QOSJA: “Vallë a nuk ka një Abdyl Frashër tjetër Shqipëria”

Më 23 tetor 1892 vdes Abdyl Frashëri, 53 vjeç, një prej ideologëve të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ishte më i madhi në moshë mes 3 vëllezërve Frashëri, Naimit e Samiut.

Abdyl Frashëri njihet si nismëtar dhe udhëheqës i Lidhjes së Prizrenit (1878) – konsiderohet gjithashtu si i pari që hodhi idenë e një autonomie (përfshirjen e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm) – pas shtypjes së Lidhjes (1881), dënohet me vdekje nga gjykata osmane; dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm; qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj. Për arsye shëndetësore u lirua me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike.


Nga Mit’hat Frashëri te historia vajzës së vetme: Të pathënat e familjes së Abdyl Frashërit

Abdyli, deri sa u bë 18 vjeç, e kaloi jetën në Frashër. Më 1857 shkoi në Janinë, ku jetoi më tepër se 20 vjet. “Kur ishte 18 vjeç, me vdekjen e të atit, Abdyli mbeti kryetar i një familje me shumë frymë. Me preokupimin për mbajtjen e familjes së madhe …, u mor me sipërmarrje të dhjetash, të taksës mbi bagëtinë e të taksave të tjera dhe, pas dy vjetëve, pasi i vdiq edhe e ëma, për të siguruar arsimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël, e la vendlindjen dhe e transferoi krejt familjen në Janinë. Aty ndërsa kryente punën e tij si nëpunës dhe qeverisjen e shtëpisë, natën me vëllezërit në mënyrë bashkëmësimi me ta ka nxënë arabisht, persisht, frëngjisht e greqisht dhe fillimet e diturisë e të shkencave” – thotë Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll. V, Istanbul, 1896. Abdyli, më 1865, tërhoqi familjen në Janinë, ku me përjashtim të vëllait të dytë, Sherifit, i cili e ndërpreu shkollën, ndoshta për t’i ardhur në ndihmë financiarisht familjes shumëfrymëshe, të tjerët, Naimi, Samiu, Tahsimi dhe Mehmeti, e filluan dhe e mbaruan gjimnazin “Zosimea”.
Abdyli u martua në moshën 35 vjeç, më 1874, “pasi vëllezërit e tij i mbaruan studimet”, – thotë vëllai i tij, Sami Frashëri. U fejua dhe pastaj u martua me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Frashërit nga familja e Lahçenjëve dhe të Xhenfize Çokut nga familja e Çokllarëve, të cilët quheshin ndryshe edhe Aliçkas. Në atë kohë Ballkëzi banonte pranë të atit, i cili ishte ushtarak i karrierës, në Janinë. Ishte motra e vetme e pesë vëllezërve, Mehmetit, Xhaferit, Fuatit, Sabriut dhe Qazimit, – thotë studiuesi Alfred Frashëri.

Abdyli u shqua si personalitet politik qysh më 1877 dhe, gjatë këtij viti, zgjidhet kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, deputet i Vilajetit të Janinës në Parlamentin II Osman dhe kryetar i Komitetit Shqiptar të Stambollit. Në vitet 1878 – 1881, Abdyli, ngrihet në lartesitë e një burri të madh shteti, është udhëheqës, ideolog, politikan, diplomat, organizator, veprimtar dhe orator i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Kujtohem shumë herë me trishtim për Abdyl Frashërin. Një hop kohe e kam parë në jetën time: po përgjithnjë e gjallë është në trutë e mija fytyra e tij … mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë, i jepnin Abdyl beut një hije me të vërtetë madhështore; po sytë – dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve edhe forcën e çelikut – dëftenin më shumë, gjithë flagën, gjithë fuqinë e këtij burri. Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në atë ditë të lumtur për mua, fjalët që dilnin si një zjarr i qërur nga goja e tij. Po ndjeja se ato fjalë ishin të drejta e të larta, ndjeja se ishin për të mirën tonë, për të mirën tënde e për të mirën time, për të mirën e të gjithë shqiptarëve … Shumë ditë më rrëkëllenin në mëndje fjalët e margaritarta që kisha dëgjuar … me trishtim, mendohem sa ka vuajtur ndofta, një i tillë burrë të rronjë e të japë shpirt larg Shqipërisë”, – shkruante Faik Konica më 1898, Efthim Dodona në “Kuvënde Shkencore në Frashër”, Tiranë, 2010.

img2001

Ballkëzia, e shoqja e Abdylit, lindi gjashtë fëmijë, nga të cilët djali i parë lindi më 1874 dhe, u quajt sipas emrit të gjyshit, Halid, vdiq shpejt, ndërsa djali i dytë, i cili lindi më 1876 dhe u quajt gjithashtu Halid, jetoi pak më gjatë por dhe ai vdiq fëmijë. Nga pesë djem dhe një vajzë që i lindën, Abdylit dhe Ballkëzit, vetëm djali i tretë, Mit’hati, dhe vajza e vetme, që u quajt sipas emrit të gjyshes, Emineja, jetuan. Dy djemtë e tjerë, që të dy me emrin Feridun, vdiqën njëri pas tjetrit që kur qenë fëmijë, – ka shkruar Kristo Frashëri.

KANË THËNË PËR ABDYL FRASHËRIN

SAMI FRASHËRI: “Edhe vdekjen, sikurse jetën, e pati burrërore. Vdiq duke dhënë këshilla të urta dhe duke thënë fjalë trimash”.

FAIK KONICA: “Mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë i jepnin Abdyl Beut një hije vërtet madhështore…

Po sytë? Dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve dhe forcën e çelikut dëftenin shumë, gjithë vlagën, gjithë fuqinë e këtij burri. I tillë ishte ky tribun i lirisë së kombit. Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta dhe i bënin të gjithë tungjatjeta, ishte i matur dhe nuk ia hidhte dot as mbreti dhe as krajli, ishte i përmendur për penë dhe  dije”.

GJERGJ FISHTA në veprën “Lahuta e Malcis”: “Një burrë që i la faqe  t’bardh Shqipnisë”.

REXHEP QOSJA: “Vallë a nuk ka një Abdyl Frashër tjetër Shqipëria”