Vini, mediat e kazanit dhe mediat e dybekut

Kush ka një kuriozitet për të ditur se çfarë kuptimi ka termi “media të kazanit” që përdor dovleti i Tiranës në këto ditë, mund ta marrë vesh më në fund. Dritën mbi këtë enigmë të madhe ka hedhur Jonida Shehu, prezantuese në Top-Channel, e cila ka mundur të konfirmojë në emisionin e Adi Krastës, se të paktën Top-Channel, nuk është një media e tillë.

“Krasta e ka pyetur Shehun lidhur me shprehjen e kryeministrit “media të kazanit”, ndërsa kjo e fundit u përgjigj se ka media të tilla që prodhojnë lajme të pavërteta”, raporton “Tema” këtë dialog shterues për një çështje që ka lënë pa gjumë shumë njerëz në Shqipëri(http://www.gazetatema.net/web/2017/01/09/gazetarja-rrefen-darken-me-rame…).

Shehu shpalos aftësi raportimi kur nuk lë kusur asnjë hollësi nga darka që kryeministri shtroi për Vit të Ri me gazetaret femra, eufemizëm cinik ky ndoshta i kryeministrit për median e dybekut. Me këtë të fundit e kemi fjalën për ato media, që janë prodhim i gazetarisë së tipit kamomil, që e nis në aksham me fjalë të mira dhe e ngrys duke e lënë “portokallen” aty ku e gjeti, pra pa e rrotulluar, pasi kështu i vjen radha të gjithëve.

E mbaj mend, ka qenë kolegia Anila Basha ajo që i ka thënë: “Zoti kryeministër, ke deklaruar se jemi media kazani dhe e ke pasur fjalën për portale…”.

Fjali që të mban në ankth për karakterin investigues që përçon. Por kryeministri siç na rrëfen, d.m.th siç i rrëfen Shehu, Krastës, ka ditur si të dalë nga kjo situatë, duke e lënë kazanin jashtë darkës në atë moment.

Gjeti një justifikim kryeministri aty për aty dhe tha që “kujt t’i djegë le ta mbajë. Unë e kam pasur fjalën për ato media që nuk verifikojnë lajme përpara se t’i japin, por krijojnë tymnajë dhe po themi lajme më shumë për “like””, vijon Shehu.

Dhe pastaj:

Jo, nëse do më digjte nuk do kisha shkuar në atë darkë ndoshta, ose nuk do isha ndier rehat. Por nuk më dogji, se nuk e ndiej veten pjesë të një media apo të një programi, apo të një lloj kontributi në gazetari për aq sa unë kam që spekulon, ne nuk spekulojmë. Ka shumë që spekulojnë dhe mbase-mbase nëse do ta analizonim mirë deklaratën e kryeministrit, absolutisht nuk është përgjithësuese, por nuk është se nuk ka media që janë të diskutueshme, sidomos në epokën dixhitale dhe me Facebook-un vërdallë”.

Ky është gati një studim, gjynah po nuk u thellua në doktoraturë!

Ja, u thanë këto fjalë, u zbuluan këto të vërteta, e tani nuk na mbetet vetëm të vrasim mendjen, të marrim një pasqyrë, një foto të Edit dhe të nisim e të këndojmë në introspeksion, a jemi apo jo pranë kazanit, brenda tij? Pyetje që të torturon, të lë në dilemën “të shkruaj a të mos shkruaj”?

Shtrohet kjo pyetje edhe sepse jo të gjithë, sidomos ata që mund të jenë në kazan, e kanë aftësinë e Krastës për të bërë show vit pas viti, por edhe aftësinë e Shehut që “e analizon mirë deklaratën e kryeministrit” e cila sipas saj “nuk është përgjithësuese”, e që mu për këtë arsye “nuk i djeg“.

I duhet besuar kryeministrit që thotë “verifikoni lajmin”, diçka kjo e ngjashme me atë devizën e njohur: Beso dhe Kontrollo! Ja p.sh kur ti lexon në faqen zyrtare të Bashkisë Kavajë se “kryetari i Bashkisë Elvis Roshi mori pjesë në…”, menjëherë duhet të hapësh regjistrin e gjendjes civile e të verifikosh, a ka lindur në Kavajë ndonjë njeri me këtë emër. Po qe se po, jepi, se e ke të garantuar. Se nuk mund të quhesh gazetar kur ça lexon në faqe zyrtare i merr e i hedh direkt si lajme. Jo. Ja merr Sali Berishën, nuk dihet kur ka lindur. Ama socialistët e bënë detyrën; i kanë ruajtur teserën e partisë, kështu që secili mund të besojë se Saliu ka lindur hëm në korrik, hëm në tetor. E njëjta me kryeministrin që i flasin Edi – por e ka Edvin. Me të verifikuar këto të dhëna të nderuar kallanjxhinjë kazani fitoni të drejtën që kryeministrit p.sh t’i flisni edhe Vini. Dhe kështu nisni e nxirrni pak kokën nga kazani. Kujt t’I djegë le ta mbajë.

Këto janë zhvillime serioze, shumë serioze, që kuptohen nga ata që kanë nuhatje. Qysh tani mund të shohim një ulje buxhetesh për ATSH-në dhe RTSh-në, por edhe një reduktim për transparenca.al. Puna më e mirë vjen nga vullnetarizmi, nga gatishmëria, dëshira e mirë, por edhe nga një adn qytetarie. Këto të bashkojnë në misionin e madh që na urdhëron gjenerata tjetër.

Besoj se isha i sinqertë, ndaj një lutje për Vinin:

A ma jep një autograf? Ja bëj një koment këtu se nuk ta fshij, zëre se ta postova në FCB!

Shaptilografisti