Viti 1932, Për vashat shqiptare

Si shkruanin paraardhësit

Nga Safet Butka

Botuar më 1932

“Si mund të jetë i zgjuar e i mbarë nji komb, pa pasur në vijë jetën e shtëpisë dhe të fëmijë?” Naim Frashëri

Vashat shqiptare – motrat tona! Ç’fjalë me tingëllim të mallshëm! Shqiptari i vërtetë e ka dashur, e ka mbrojtur dhe e ka nderuar motrën, si asgjëkund në botë. Për fat të mirë, këtë ndjenjë të lartë e ka edhe sot. Por nuk e shfaq dot ku duhet dhe si duhet. Ky s’është faji i tij. Fajin e ka koha. Koha e sotme kërkon prej tij të tjera detyra, të tjera mjete veprimi. Dhe këto duhet t’i njohë, t’i peshojë dhe të jetë në gjendje t’i vërë në punë. Përndryshe, s’u përgjigjet dot nevojave të shumta… Po le të mos ngarkojmë vetëm kohën, kur fajin na e ka edhe koka. Nëse shkarkohet në këtë rast i padituri dhe i pafuqishmi në mjete lëndore, nuk shpëtojnë nga përgjegjsia morale ca të paktë, që janë bijtë e kohës e që merren me problemet e ndryshme të jetës dhe të mbarëvajtjes së kombit. Sepse këta zotërinj s’janë munduar të zgjojnë një interes të përbashkët për femrën shqiptare, pa të cilin problemi i saj s’mund të zgjidhet kurrë. Përgjegjësia më e madhe u ngarkohet atyre që janë ose pretendojnë të jenë udhëheqësit e popullit të paditur. Aq më e madhe bëhet përgjegjsia, kur disa nga këta që merren me probleme shoqërore, çështjen e vashave e ndajnë përdhunisht prej tyre, në vend që ta këqyrin në lidhjen natyrore dhe në vend që ta nxjerrin si problemin më me rëndësi për kombin. Sepse, pa u vënë në udhë jeta e vashave, që do të jenë mëmat e nesërme, nuk mund të vihet në vijë jeta e familjes; pa u përmirësuar jeta e gjendja e familjes, që është themeli i shoqërisë, s’mund të vejë mbarë as puna e një shteti.
Mjerisht, këtë të vërtetë, që na e tha Naimi dyzet vjet më parë, po na e vërtetojnë sot provat e hidhura që kemi nga jeta praktike, të cilat na thonë: Pasqyra e një shteti është familja. Shumë nga pengimet e mëdha që gjen punimi i makinës shtetërore, e kanë rrënjën te gjendja e keqe e gruas. Në gjithë fushat e tjera po bëhen ndryshime. Përkundrazi, përsa i përket gruas, që është shtylla e familjes, po ndodhin disa ndryshime të shtrembra (si pemë të mungesës së një interesi të përgjithshëm), që do t’i shohim pak më afër në pjesët pasuese të këtij artikulli, ku do të mundohemi të këqyrim gjendjen e gruas së sotme dhe rolin e saj.

Nga pikëpamja morale
Fjala “moral” ka një kuptim të gjerë. Ne po e ngushtojmë në këtë rast, duke e barazuar me fjalën “nder”. Mund të themi me mburrje të arësyeshme se morali i familjes sonë, në kuptimin e ngushtë, qëndron sotpërsot ende në një shkallë të lartë, ndërsa, në kuptimin e gjerë, është i vjetëruar.
Disa njerëz janë të mendjes se prishja e moralit shkaktohet nga qytetërimi evropian që po marrim dhe që në këtë pikpamje është i dobët. Disa të tjerë ua hedhin fajin të rinjve, që po ua merr mendjen moda dhe po u del turpi e frika. Këtë e shpreh edhe një zotni, Kandillodhinapti (pseudonim), në Gazetën e Korçës në një numër të marsit a të prillit 1929. Po cilët kanë të drejtë? Për mendimin tim, asnjëra palë. Se po të jetë ashtu, atëherë kultura e Perëndimit qenka e dëmshme dhe s’u dashka marrë fare! Atëherë, liria nuk u dashka dhënë! Atëherë, moda e veshjes dhe dalja e vashave zbuluar e gjysmë zbuluar duhet vënë në karantinë! Edhe në mos daçim ta marrim atë kulturë sido që është, ajo do të na vijë vetë dhe atëherë do të na gjejë të papërgatitur e do të hamë hëm qepët, hëm shkopinjtë. Se liria e gruas dhe moda, të cilat duken sot një sëmundje e dëmshme, janë pjesë të pandara të atij qytetërimi që po marrim e duhet të marrim në të tjera pikpamje. Kultura evropiane është themeluar në familjen e në shoqërrinë e atyre vendeve, në parimet e zakonet atyre popujve. Ne duhet të marrim atë që është e shëndoshë dhe e përshtatshme për ne, duke ruajtur atë që kemi pozitive, shqiptare.

Është e ditur se me zgjerimin e kuptimit të fjalës “moral” vështirësohen edhe konditat e pasjes një morali të plotë. Që ta ketë njeriu me të vërtetë, lipset të jetë i zhvilluar mirë me anën e edukatës familjare, shkollore dhe qytetare. Mendja dhe vullneti i mirë duhet të jenë armët e tij më të forta për të mbrojtur moralin dhe të drejtat. A i plotësojnë vashat këto kushte të kohës? Duke menduar se edukata që po marrin sot në familjen pa harmoni, në shkollë, që thuajse nuk ia kanë parë derën dhe në shoqëri, ku ato nuk marrin pjesë aktive, duhet të përgjigjemi negativisht. Vashat e sotme jo vetëm që nuk po përgatiten si duhet për të mbrojtur nderin e tyre, por gjejnë pengime të cilat i demoralizojnë përpara se të dalin në fushën e luftës së jetës. Pengimet fillojnë qysh në familje. Prindërit nuk i dërgojnë vashat në ato shkolla që janë, se mos u demoralizohet apo mos harxhohen. Nuk shpëtojnë nga përgjegjsia disa prindër “intelektualë” që po kënaqen duke i lënë bijat e tyre vetëm me një përparim të modës. Se moda pa dituri dhe edukatë morale, është e dëmshme. Po barra e fajit rëndon më tepër tek ata që s’kanë sy të shohin se demoralizimi i vashave vjen së brendshmi: nga padrejtësitë kundrejt vashave, duke i lënë mbyllur e në padituri dhe, sidomos, duke dashur t’i martojnë shpesh si qëmoti.