Shpërndaje
Nga Gëzim MEKULI
Fuqia e gjuhës dhe mundësia e sajë që të ndikoj në opinionin publik, ka bërë që gjuha të jetë temë studimi që nga antika. Për shkak të fuqisë së madhe që posedon gjuha, retorika ka përdorur gjuhën si instrument për të arritur tek qëllimet e veta. Kjo veçanërisht është duke u (keq)përdorur nga politikanët tanë.
Çfarë është “situata retorike?”
“Situata retorike” paracakton se çfarë do të flitet e çfarë do të thuhet në publik. Kjo shprehje për të parën herë u shfaq në vitin 1968 (The Rhetorical Situation). Pra është “dikush” në këto situata që kërkohet që “dikush” të reagojë dhe të marrë fjalën dhe të provojë që të ndryshojë situatën. Në çastin kur një situatë mund të ndryshohet pjesërisht apo plotësisht përmes komunikimit (fjalës dhe tekstit) atëherë kemi të bëjmë me një situatë retorike. Sipas Bitzer çdo situatë retorike përbëhet nga tre faktorë:
1. Problemi i ngutshëm,
2. Publiku dhe
3. Kushtet retorike.
1 – Problemi i ngutshëm, sipas Bitzer, është diçka e pambaruar, e papërfunduar. Është një “gabim”, një pengesë, diçka që pritet që të ndodhë e bëhet, diçka që nuk është si do të duhej të ishte. Por që situata të jetë retorike, duhet që “problemi i ngutshëm” të ketë mundësinë të ndryshohet nga njerëzit. Bitzer shembullizon me vdekjen, dimrin dhe katastrofat natyrore si tipike për problemet e ngutshme, e të cilat njeriu nuk ka mundësi ti ndryshojë, e as ti ndalojë.
2 – Publiku është elementi i dytë në një situatë retorike. Retorika kërkon çdoherë një publik. Shprehjet retorike mund të ndikojnë apo edhe të ndryshojnë vendimet dhe veprimet e popullit. Situata retorike kërkon çdoherë një publik, publik i cili është në gjendje të ndryshojë rrjedhjen e problemit të ngutshëm. Sipas Bitzer, një publik retorik është ai i cili “pranon” dhe është në gjendje të ndikohet nga diskursi dhe, po ashtu, të jetë mediator i ndryshimeve në shoqëri.
3- Elementi i tretë është “kushtet e retorikës”. E, këto mund të jenë besimi, faktet, tradita, interesi dhe motivet e ndryshme. Veprimet retorike krijojnë ndryshime duke ndikuar në mendimet, vendimet dhe veprimet e personave të cilët mund të kontribuojnë në krijimin e ndryshimeve. Pra, sipas kësaj retorika çdoherë kërkon një publik. Nuk mund të ketë situatë retorike, nëse nuk e kemi publikun.
Jeta na provokon me shumë probleme, qofshin këto të mëdha apo të vogla: fëmijët vdesin nga kanceri, njerëzit vriten në luftë, vendi na pushtohet, të humbet ora e dorës apo edhe zihemi me miqtë dhe kolegët e punës. Pra, po të mos ishin këto komplikime e këto probleme të ngutshme nuk do të kishim nevojë për përshtatje, “arnime” e adaptime. Nuk do të kishim nevojë për hulumtime retorike, e as për debate, argumentime e komunikim. Arsyeja është e thjeshtë sepse nuk do të kishim kurrfarë arsye për ndryshime; ndryshime këto që kryhen përmes komunikimit. Por jeta është me shumë telashe. Kur u vra John F. Kennedi, në vitin 1963, në Dallas, papritmas u shfaqën me qindra probleme; si frika, nevoja dhe kërkesa për informacione, sqarimet dhe lavdërimet për presidentin e vrarë. Dua të them se në këtë botë ka shumë probleme e gabime. Por të gjitha këto nuk janë retorike.
Një problem i ngutshëm i cili nuk mund të modifikohet dhe të zgjidhet, nuk është problem retorik. Gjërat që ndodhin jashtë kontrollit të njeriut si për shembull stinët e vitit, mplakja e njeriut, vdekja dhe shumë të tjera fatkeqësi natyrore, janë probleme të ngutshme, por këto nuk janë retorike. Komunikimi retorik nuk ka të bëjë me proceset natyrore; ne nuk mund të ndalojmë dhe të shërojmë vdekjen. Kjo do të na gjejë të gjithëve. Gjërat që nuk mund ti ndryshojmë sot, apo edhe nesër, nuk debatohen dhe nuk bisedohen dot. Sikur të ishte e mundur unë do ta zgjasnim jetën edhe së paku për 300 vjet. Pra, ne s’mund të vendosim dhe s’mundemi as edhe të ndikojmë se kur do të vdesim. Pra një problem i ngutshëm, e i cili mund të zgjidhet përmes mjeteve tjera, e jo përmes komunikimit, nuk është retorik. Nëse mua më është prishur biçikleta, dhe këtë kam mundësi ta rregulloj me kaçavidhë, duke mos përdorur komunikimin si mjet, atëherë, këtu kemi të bëjmë me një problem teknik e jo retorik. Një publik retorik përbëhet kryesisht nga njerëzit të cilët me ndihmën e shprehjeve retorike munden (1) të ndikohen dhe të bindën që të mendojnë apo të veprojnë në mënyra të caktuara, dhe (2) të cilët kanë mundësi dhe (3) dëshirë për të krijuar ndryshime që do ti ndihmonin problemit të ngutshëm të situatës.
Detyra e folësit në një situatë retorike është, pikë së pari, që të kuptoj dhe ta “skenoj” problemin e ngutshëm. Së dyti folësi duhet ta bindë publikun për pikëpamjet e tij për situatën. Ky folës duhet të ndërtojë e krijojë bashkimin dhe pajtueshmërinë mbi këtë pikëpamje, në mënyrë që publiku retorik të mendojë dhe të veprojë në atë mënyrë që ta modifikojë apo të zgjedhë problemin e ngutshëm. Shembull: “Decentralizimi i Kosovës është rezultat i trazirave të Marsit, andaj edhe ne ishim të shtrënguar ta pranojmë këtë”, thonin politikanët e Prishtinës dhe Tiranës. Folësit shqiptarë, duke e kuptuar situatën retorike, nguteshin që përmes fjalimeve retorike të ndikojnë publikun/popullin, dhe përmes bindjes së popullit të realizojnë qëllimet e tyre politike. Shtrohet pyetja, po ashtu, retorike: Nëse trazirat e marsit ishin ato që “shtrënguan” politikanët të fabrikohet decentralizimi i Kosovës në baza serbe, (e jo etnike, siç po manipulohet retorikisht), atëherë, si është e mundur që masakrat dhe lufta e Serbisë ndaj shqiptarëve nuk pollën argumente (deri më tani) për bashkim kombëtar?
Kushtet retorike
Që në antikë Aristoteli përdalloi dy mundësi dhe kushte retorike. Kushtet retorike dhe jo-retorike. Në grupin jo-retorik hynë të gjitha ato që folësi nuk ka kontroll dhe mundësi ti drejtojë. Ndërkaq, në kushtet retorike folësi drejton dhe udhëheq këtë situatë përmes logos-it, etos-it dhe patos-it. Shembull: Në Kosovë që nga viti 1991, përmes fjalimeve retorike, e të ndihmuara nga mediat, është duke u tentuar, që me çdo çmim të binden shqiptarët e Kosovës, se këta, krejt papritmas, tani e tutje duhet të jenë e të quhen “kombi kosovar”, e jo shqiptar!
Njëkohësisht, folësi dhe publiku janë pjesë e situatës. Të thënat se “u detyruam” të lëshojmë pe për komuna të ndara serbe për shkak të pavarësisë së Kosovës, janë shprehje retorike dhe përgjigje të përshtatshme retorike që i kërkonte “problemi i ngutshëm” i situatës retorike në Kosovë. Edhe diçka; të gjithë ata/ato të cilat mbështesin mendimin, se “Kosova është multietnike”, gabohen. Shtet multikulturor po, pra shtet me shumë kultura, si Norvegjia. Edhe Norvegjia ka shumë pakica, por ky vend nuk quhet “shtet multietnik”, por quhet shtet “multikulturor”. Ky prodhim politik nuk është asgjë tjetër, pos prodhim i situatës retorike, të cilën e kërkon problemi i ngutshëm retorik.
Situata retorike dhe problemi i ngutshëm ka provokuar dhe ka nxitur shumë publicistë, politikanë dhe analistë shqiptarë që në shkrimet dhe idetë e tyre të përzgjedhin argumentime dikotomike. Dhe, pikërisht, është propaganda ajo që operon me botën dikotomike, të ndarë në “NE = TË MIRËT” dhe “ATA = TË KËQINJTË”. Këto rrëfime mitike, stereotipe dhe prodhime të fotografisë së armikut, njihen si strategji e propagandës së tmerrit. Debatet liberale e konsiderojnë si problematike argumentimin dikotomik, sepse shoqëritë demokratike pranojnë “mendimin tjetër” si pjesë e shoqërisë pluraliste. Këto e trajtojnë “mendimin tjetër” si “kundërshtare” e jo si armike; edhe pse nuk kanë hiçgjë të përbashkët me “mendimin tjetër”.