Home Media dhe Politika KOMUNIKIMI / Mjeshtëria e të dëgjuarit

KOMUNIKIMI / Mjeshtëria e të dëgjuarit

Shpërndaje

Nga: Gëzim Mekuli

Një pyetje! Sa je në gjendje të dëgjosh se çfarë thonë të tjerët, aty, afër teje?

Mjeti im, profesioni im është komunikimi, që do të thotë të “bëj publike”. Dhe, komunikimi zhvillohet nëpërmjet dialogut. Dua të them diçka që eshtë brengosëse e që, njëkohësisht, është edhe irrituese: Është fjala për (mos) respektin, që ne, si shoqëri, kemi për bashkëbiseduesin. Ky shqetësim përforcohet sa herë që shkoj në atdheun tim; sa herë që jam brenda kulturës gjithpërfshirëse të kombit tim.

Ndonjëherë, në mesin e miqve, shohim se më shumë shpenzojme energji duke u përpjekur për të menduar për atë se çfarë do të themi më pas, sesa të dëgjojmë me kujdes se çfarë po thotë tjetri, afër nesh. Por, në qoftë se edhe ai/ajo, që ne flasim me të, do të bënë të njëjtën gjë, sikurse edhe ne, biseda jonë më tepër do t’i përngjante monologut se një dialogu të sinqertë në mes miqsh.

Ky model i “komunikimit shqiptar” nuk është i pazakontë, as në shumë takime akademikësh, në emisionet televizive, në Pparlament dhe në debate. Por, në çastin kur kemi pranuar se ne nuk po dialogojmë, por po monologojmë, atëherë, për fat të mirë, kemi mundësi për t’u përmirësuar e për t’u bërë më të mirë në dëgjim.

Të nderuar lexues,
retorika mund të jetë po aq e mirë, edhe nëse ti bindesh. Nuk është “retorikë e mirë” nëse vetëm ti arrin të bindësh bashkëbiseduesin. Nëse ti, me vëmendje dhe respekt, dëgjon pikëpamjet e tjerëve, bëhesh më i mençur dhe më i mirë për të bindur. Bile, kjo të ndihmon në zbulimin dhe në ndryshimin e pikëpamjeve tuaja “të papërshtatshme”, “emocionale” e të “turbullta”.

Nëse ti, ashtu si edhe unë, do të bëheshim “më te mirë” në dëgjimin e tjetrit, ne, që tashmë mund të fillojmë trajnimin e të dëgjuarit me bashkëfolësin.

Është shumë e thjeshtë, kjo:

– Ji me vëmendje dhe i pranishëm tek biseda dhe takim me miqtë.

– Largoje atë dreq telefoni dhe çdo gjë tjetër që mund të konkurrojë në vjedhjen e vëmendjes tuaj gjatë bisedimit.

– Dëgjo dhe përqendrohu në atë që thotë tjetri, në vend që të mendosh se çka ti, vet, do t’i thuash atij më pas. Shtrohet pyetja: si mund të ndërtosh argumente, ide e kundërargumente nëse ti nuk e dëgjon e nuk e kupton?

– Mendo jashtë modeleve tuaja, të zakonshme, të komunikimit e të mendimit.

– Drejtoju me emër bashkëbiseduesit – mikut që ke afër. Mos e thuaj vetëm se e ke kuptuar mendimin dhe fjalën e tij, por shpërfaqja, me gjuhën e trupit, këtë mirëkuptim.

– Ndërto, progresivisht, mendimin dhe porosinë në diskutim.

– Ushtro, sepse kjo mund të të ndihmojë për tu bërë edhe më i zgjuar.

Të nderuar lexues, nuk është turp e as “humbje e fytyrës” nëse ti i thua asaj apo atij se pajtohesh tërësisht apo pjesërisht me mendimin e tij! Njëkohësisht, në të njëjtën kohë e menjëherë lavdëroje shokun/shoqen për pikëpamjet e tij/saj. Biseda do të jetë më e pasur e kështu do të mësojmë më shumë nga njëri-tjetri. Rezultati i bisedës do të jetë tjetër. Mos u tut se “nuk bëhet kiameti” nëse ai/ajo është më argumentuese dhe më bindëse gjatë bisedës!

Rezultatet shkencore dëshmojnë se njerëzit kreativ veçohen, ndër tjerash, për nga fleksibiliteti dhe aftësia për “të lëshuar pe”. Fleksibiliteti është aftësia për të parë aspekte të ndryshme të çështjeve dhe kjo mund të mbajë të hapura dyert dhe mundësitë për të zgjedhur mospajtimet që kemi me njëri-tjetrin.

Unë, sot, jam i gatshëm për ushtrimin në artin e të dëgjuarit. A je ti me mua?