Shpërndaje

Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov ka reaguar ndaj deklaratave të homologut të tij serb, Ivica Daçiq i cili në Athinë theksoi se Serbia ka gabuar që e ka njohur Maqedoninë me këtë emër, pasi emri i vërtetë është Ish-republika jugosllave e Maqedonisë.

Dimitrov ka shprehur keqardhje për këto deklarata, duke shtuar se do të preferonte që Maqedonia të kishte raporte miqësore me Serbinë.

“Shpreh keqardhje për deklaratat e Daçiqit. Maqedonia dhe Serbia ishin pjesë e një shteti federal. Unë jam i bindur se të dy vendet do të preferonin të kishin një marrëdhënie të bazuar në respekt reciprok, mirëkuptim dhe frymë evropiane”, ka thënë ministri maqedonas.

“Mos harroni, në rajon ne rritemi dhe biem së bashku”, shtoi lideri i diplomacisë maqedonase.

Ivica Daçiq gjatë një takimi me ministrin e jashtëm grek, theksoi se Serbia ka gabuar me njohjen e shteti të Maqedonisë me emrin aktual, sidomos për përkrahjen që ky shtet i ka dhënë Kosovës.

Kujtojmë se Maqedonia ka njohur Kosovën, dhe e ka përkrahur edhe në UNESCO.