Home Thelle George Friedman: Teknologjia e lartë nuk ka lindur në Silicon Valley. Ka...

George Friedman: Teknologjia e lartë nuk ka lindur në Silicon Valley. Ka lindur në luftë

Shpërndaje

Shitja e produkteve është e rëndësishme, por duhet të kuptojmë rolin që luan lufta në produktet e konsumit. Për pacifistët që e duan teknologjinë dhe libertarianët që e duan atë të paktën po aq shumë, kjo është një ironi shumë e thellë

Teknologjia është një themel i fortë i fuqisë kombëtare. Teknologjitë që përcaktojnë një epokë zakonisht vijnë nga një fuqi e madhe gjeopolitike. Përdorimet e tyre janë të qarta.

Për shembull, inxhinieria romake ndihmoi në formimin e botës mesdhetare. Teknologjia britanike krijoi dhe mbështeti revolucionin industrial.

Këto perandori mund të absorbonin koston e inovacionit, sepse ato i kishin paratë për ta bërë këtë gjë. Ato gjithashtu e dinin se kjo vetëm sa do të përforconte fuqinë e tyre. Dhe për shkak se teknologjitë kanë për qëllim forcimin e pushtetit, edhe ato më të mirat në qëllim, janë shpikur për objektiva ushtarake.

Origjina e iPhone

Mendoni për shembull iPhone, një shpikje e Apple, gjenisë së Steve Jobs-it dhe një produkti të dobishëm e të padëmshëm. Ose të paktën kështu duket.

Pjesa kryesore e iPhone, siç ndodh me kaq shumë pajisje elektronike sot, është mikroprocesori. Mikroprocesori u sponsorizua nga qeveria amerikane kohë më parë, atëherë kur kishte nevojë për një kompjuter të lehtë, për raketat, avionët dhe sistemet e tjera.

Shumë shpejt, teknologjia u përdor në aeroplanët luftarakë F-14, raketat balistike ndërkontinentale dhe raketat bërthamore të hedhura nga nëndetëset.

Ecim përpara në kohë dhe shkojmë në vitin 1985.

General Dynamics, e njohur në atë kohë si GTE, ndihmoi Ushtrinë Amerikane të krijojë një rrjet të avancuar për një pajisje të shpikur rreth 12 vjet më herët. Pajisja ishte celulari, i cili do të përballej me testin e parë të vërtetë, gjatë Operacionit “Desert Storm”.

Ushtria kishte nevojë për një sistem të besueshëm komunikimi pa kabëll, që mund të zhvendosej kollaj. Dhe celulari ishte më i përshtatshmi.

Shumë prej aksesorëve të iPhone, si dhe funksioneve mbështetëse, u zhvilluan për qëllime të ngjashme. Ideja e fotografisë digjitale u zhvillua nga Zyra Kombëtare e Zbulimit, e cila kishte nevojë për një mënyrë më efikase për të prodhuar fotografi të marra nga satelitët.

Hartat dhe shërbimet e vendndodhjes gjithashtu kanë origjinë ushtarake. GPS fillimisht kishte për qëllim të drejtonte me saktësi sistemet dhe automjetet e forcave të armatosura, jo shoferët e Uber-it. Satelitët që e bëjnë GPS të mundshëm, edhe sot, komandohen nga Forcat Ajrore të SHBA.

Dhe pastaj është interneti, që sot të gjithë e kemi në dispozicionin tonë. Ai u zhvillua nga Agjencia e Projekteve të Avancuar të Mbrojtjes – më së shumti e njohur si DARPA.

Brezat më të fundit të iPhone-ve ofrojnë softuer për njohjen e zërit. SIRI, siç e njohim sot, ishte fillimisht një projekt i SRI International, një institut kërkimor amerikan, financuar nga DARPA.

Kur teknologjia e lartë maturohet

Disa pika janë për t’u theksuar.

E para dhe më e dukshmja është se iPhone, një ikonë e inovacionit, është në fakt një përbërje teknologjish të vjetra; Vetëm SIRI u shpik këtë shekull. Në fakt, Apple i përditësoi ato teknologji, i bashkoi ato në një platformë të vetme dhe e shndërroi atë platformë në një produkt të paketuar dhe të shitur në mënyrë të shkëlqyer.

Megjithatë, ajo që quhet “teknologji e lartë”, është shpesh një inovacion më i vjetër, përditësuar për përdorim modern. Është evolucionare, por nuk është revolucionare.

Së dyti, ushtria është një burim parësor i inovacionit në shoqërinë tonë. 50 vitet e Luftës së Ftohtë shënuan një kulm të rritjes teknologjike. Teknologjia e nevojshme për të mbështetur luftën globale – në hapësirë, në ajër, në det, nën det, dhe në tokë – kërkonte krijueshmëri pa limit.

Në këtë drejtim, SHBA-ja, me burimet e veta intelektuale dhe financiare, kishte përparësi. Por publiku është ose i pavetëdijshëm, ose indiferent ndaj faktit se shumica e teknologjive që sot e konsiderojmë paqësore, është projektuar për të lejuar SHBA-të që të bëjnë luftë globale termonukleare.

Së treti, ne kujtohemi jo vetëm për moshën e teknologjive, por edhe për pjekurinë e tyre. Pjekuria është e ndryshme nga vjetërsia. Mikroprocesori nuk mund të konsiderohet teknologji e fundit – ai është përdorur në praktikë, para vitit 1970.

Por as nuk mund të konsiderohet i vjetëruar. Ende përdoret gjerësisht. Ai është bërë themeli i shoqërisë, megjithëse nuk po rinovohet rrënjësisht.

E njëjta gjë mund të thuhet për makinën dhe motorin me djegie të brendshme. Ishte tepër e dobishme dhe do të shitej për më shumë se një shekull, por risitë themelore ishin në zbatim që rreth vitit 1970. Industria më së shumti u mor me marketingun pas atij viti.

Mikroprocesori ka një të ardhme të ndritur, por ditët e veta heroike i ka lënë pas.

Modeli i Inovacionit

Inovacionet më të mëdha ndjekin këtë model.

Një grusht shkencëtarësh krijojnë mundësi, të cilat më pas zhvillohen për përdorim ushtarak para se të shiten në tregjet e konsumit. Qeveritë, të cilat janë përgjegjëse për mbrojtjen kombëtare, zakonisht financojnë kërkimin.

Industria private, e cila përfundimisht përfiton prej tij, është shumë kundër riskut për të investuar në atë kohë. Në vend të kësaj, ajo përfiton nga kërkim-zhvillimi ushtarak, e përdor atë dhe shpall se sa shumë nuk i pëlqejnë ndërhyrjet e qeverisë në punën e saj.

Shitja e produkteve është e rëndësishme, por duhet të kuptojmë rolin që luan lufta në produktet e konsumit. Për pacifistët që e duan teknologjinë dhe libertarianët që e duan atë të paktën po aq shumë, kjo është një ironi shumë e thellë. / Mauldin Economics –