Shpërndaje

Nga Edward LUCE

Vitin e kaluar, populli amerikan refuzoi dinastinë politike. Lamtumirë Klintonë! Mirë u pafshim Bushë! Në vend të tyre, ne kemi familjen e parë më dinasti se kurrë në historinë amerikane.

Administrata e Donald Trump-it është pak më shumë sesa familja Trump plus ndonjë mbështetës të disponueshëm. Është e paqartë se ku përfundon Shtëpia e Bardhë dhe ku nis perandoria Trump e biznesit. Një arsye përse Trump doli kundër Katarit mund të ketë qenë se një biznesmen i fuqishëm i këtij vendi i refuzoi Jared Kushnerit, dhëndërrit të tij një hua prej 500 milionë dollarësh.

Shteti i Gjirit raportohet të ketë refuzuar kërkesën e Trump-it në të kaluarën. Çfarë po nisnim të mendonim – se papritur Trump pati pikëpamje kaq të forta për politikën arabe të Gjirit? Ashtu si thuhet: ndiq paratë. Është gabim të analizosh hollësisht në veprimet e Trump-it. Ato zakonisht fshihen në vende të dukshme.

Pohimet e kësaj jave në lidhje me Donald Trump Jr janë një rast për argumentin. Për herë të parë që kur Trump mori detyrën, fjala “tradhti” ka hyrë në qarkullim. Por konotacionet e saj janë tepër makiaveliste. Njerëzit që kryejnë tradhti  ndaj vendit të tyre zakonisht joshen prej ideologjisë ose manipulimit.

Në të gjitha rastet, ata janë të ndërgjegjshëm për kufijtë e shenjtë që kapërcejnë. Por çfarë ndodh nëse familja jote është vendi yt? Çfarë ndodh nëse farefisi është besimi yt? Për një vëzhgues neutral, e-mailet e Trump Jr bëjnë të qartë se ai kërkoi informacion dëmtues për Hillari Klinton nga Kremlini. Për babanë e tij, ato tregojnë besnikërinë e të birit. Për rusët, ato provojnë se familja Trump është gati për biznes. Për prokurorët amerikanë është një provë e padiskutueshme e ndërhyrjes së një fuqie të huaj.

Nëse ndonjë nga ndihmësit e fushatës pa lidhje gjaku do të kishte takuar avokatin rus, Trump thjesht do ta kishte shkarkuar atë. Por Donald Trump nuk mund ta distancojë veten nga një vartës që quhet Donald Trump. As nuk mundet të arratiset nga fakti që edhe dy persona të tjerë në atë takim ishin menaxheri i fushatës së tij,  Paul Manafort dhe dhëndërri, Jared Kushner. Fushata e Trump-it ishte vërtet një biznes familjar.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Shtëpinë e Bardhë-Trump. Nëse dëshiron të kesh vëmendjen e mbretit, bëhu mik me fëmijët e tij. Ky është kanali përmes të cilit Kina, Arabia Saudite dhe të tjerë po zhvillojnë diplomacinë me administratën Trump. Ky është gjithashtu kanali sesi Robert Mueller, këshilltari special që drejton hetimin për Rusinë, mund të godasë Trump-in.

Çfarë do të thotë kjo për angazhimin e Amerikës me botën? Ndërsa Trump është president, Uashingtoni është qyteti burbon. Pasi Trump, jo më pak sesa Luigji XIV, është: “Qyteti është imi”. Sa më të thella çështjet, aq më shumë interesat e familjes Trump do të infektojnë çdo vendim. Shtrembërimi më i madh është në marrëdhënien ruso-amerikane.

Javën e kaluar, në samitin e G20, Trump kaloi dy orë dhe 15 minuta duke biseduar me Vladimir Putin. Vetëm Rex Tillerson, sekretari amerikan i Shtetit ishte i pranishëm. Të dy arritën një marrëveshje për të ngritur një njësi kibernetike që të ndalonte ndërhyrjen në politikat e njëri-tjetrit. Që Trump u detyrua shpejt ta hidhte poshtë këtë ide nuk ka kuptim. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia qëndrojnë tashmë në të njëjtin plan moral. Asnjë nuk e ka idenë nëse janë arritur marrëveshje të tjera midis Trump dhe Putin.

Por, familja tashmë shfaqet në çdo fushë të angazhimit global të Amerikës. Kushner është de facto kryediplomati i Trump-it. Gruaja e tij që është vajza e Trump, Ivanka është fytyra e “fuqisë së butë” amerikane. Gjatë samitit të G20, Trump u largua nga salla për një takim tjetër. Ishte Ivanka që zuri vendin e tij në tryezën e samitit, midis presidentit të Kinës, Xi Jinping, dhe kryeministres britanike Theresa May.

Sinjali për të tjerët që punojnë për Trump është i qartë. Asnjë demokraci tjetër perëndimore nuk operon kështu. Deri vonë, as Shtetet e Bashkuara nuk operonin në këtë mënyrë. Kjo u bë më e theksuar kur avancuan hetimet për Rusinë. E ndërsa kriza thellohet, familja kontrollon.

Ata që nuk janë brenda rrethit bëjnë atë që duhet për të mbrojtur veten. Publikimet më të fundit të dala nga brenda, ashtu sikundër edhe ato përpara, vijnë nga burime të shumëfishta në Shtëpinë e Bardhë. A mundet që të jetë i përfshirë Stephen Bannon, kryestrategu i Trump-it? Si kryearkitekt i fushatës së Trump “Amerika e para”, Banon është gjithashtu edhe ndihmësi më i afërt i presidentit që nuk është pjesë e familjes Trump. Ai dhe Kushner janë rivalë. Si një leninist i vetë-proklamuar synimi kryesor i Bannon është të hedhë në erë shtetin administrativ.

Nëse qëllimi është të shfuqizosh qeverinë amerikane, tani është koha për ta goditur. Nëse je president i Rusisë, emir i ndonjë mbretërie të pasur me naftë apo një nihilist që punon nga brenda, Trump ofron një mundësi të pakrahasueshme. Trump është Amerika dhe Amerika është Trump. Përsa kohë ai është president, republika amerikane është shumë vulnerabël.

*Edward Luce ëshë gazetar anglez dhe shefi opinionist i “Financial Time” për Shtetet e Bashkuara si dhe kolumnist që punon nga Uashingtoni. Përpara këtyre detyrave ka mbajtur postin e shefit të zyrës së “FT” në Uashington dhe asaj në Azinë Jugore me bazë në Nju Delhi.