Shpërndaje

Me një libër të ri provokativ publicisti Mustafa Nano tenton të futet në fushën e albanologjisë duke tentuar të analizojë historinë shqiptare që nga ilirët deri më sot dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët sllavë dhe grekë.

Që në titull Nano provokon. “SANDWICH; A është mirë me qenë shqiptar?” e titullon librin e tij duke nënkuptuar me fjalën “sandwich” qënien e shqiptarëve mes fqinjëve dhe me pyetjen shekspiriane të provokojë ndjenjën nacionaliste.

Libri volumizon ka shumë citime nga albanologë, udhëtarë e historianë të huaj që kanë shkuar për shqiptarët, por provokimi më i madh vjen me tentativën për rrëzuar mitin e “shqiptarit të mirë” e “fqinjëve të këqinj” dhe këtu ai kritikon poetin kombëtar Gjergj Fishta dhe veprën e tij “Lahuta e Malcis’”.

Sipas Nanos, marrëdhënia shqiptaro-sllave ka qenë shumë e  afërt në kohën e Skënderbeut dhe vetëm dy shekujt e fundit ajo ndryshoi dhe vjen koha kur Fishta i quan “dreqent kojshi”.

Pretendimi historiografik për një “mëni shumë të moçme, qindravjeçare, mijëvjeçare…”, apo pretendimi poetik i Gjergj Fishtës se “un shqyptar, ata janë shkje/ne na dan nji gjak e ‘i fe/n’mni t’shoqishoqit kemi lé/kem’ ndërmjet nji qiell e ‘i dhé”, është një gjë që nuk provohet nga kronika e historisë deri në kohët osmane, ashtu si nuk ka se si të provohet se “ne shqiptarëve na ndan një fe [prej sllavëve]”- shkruan Mustafa Nano në libër.

Kur sllavët luftonin krah Skënderbeut

(Pjesë nga libri)

Skënderbeu kish tre vëllezër e pesë motra, dhe Gjoni e Vojsava nuk e kanë vënë ujin në zjarr lidhur me ngjyrat etnike të emrave të pjellës së tyre. Ja se si i kanë pagëzuar (në fillim djemtë, më pas vajzat): Reposh, Stanisha, Konstantin, Gjergj (Skënderbeu), Maria, Jella, Angjelina, Vllaica e Mamica.287 Dhe nuk ka pse të befasohemi nga ky peizazh antroponimik brenda familjes së heroit kombëtar shqiptar. Ne të sotshmit, sa herë që flasim për perandorë, mbretër, princër, prijës të atyre kohëve, nënvizojmë identitetin etnik të tyre, madje akademitë e vendeve të Ballkanit hahen pafund në mbrojtje të këtyre etiketave identitare të vëna aposteriori, por kjo, për ata vetë, ka qenë më pak e rëndësishme sesa mendohet. Pretendimet e Hahnit, Hecquardit, Durhamit, Jireçekut, etj, mbi prejardhjen e përzier të fiseve e klaneve shqiptare e sllave në zonat ndërkufitare nuk duhet të jenë pa gjë. Krerët i lidhnin martesat me synimin për të fuqizuar pushtetin e ndikimin, dhe “etnia” tjetër nuk ishte pengesë për këtë gjë. Përkundrazi, ishte garanci. Në fillim të shekullit XIII, shqiptari Demetrios, djali i Progonit, që ishte princ i Arbanumit në Krujë, i kishte marrë vajzën për grua zhupanit të madh, Stefanit.288 Djali i Gjergj Topias u martua me Teodorën, një nga motrat e Vuk Brankoviqit, i cili nga ana e vet u martua me të bijën e Llazarit, Marën, dhe kështu u bë kunati i Gjergj Balshës, pasi ky i fundit, siç u tha pak rreshta më sipër, mori motrën e Marës, Jelenën (Helenën).289 Edhe shtabet e luftës, oborret etj., (për të mos folur për ushtritë) ishin të karakterit multietnik. Ndonjë ndihmës i Skënderbeut ishte sllav: Ninac Vukosaliqi, që ishte si sekretar, që nga ana e vet kish edhe një sekretar tjetër me emrin Radiq.290 E meqë jemi këtu, duhet thënë se Kuvendi i Lezhës i mbledhur prej Skënderbeut më 1444, e që shqiptarët e kanë të regjistruar në histori si një ngjarje të madhe të tyren, ka qenë sadopak një summit ballkanik a mesdhetar, ngaqë në katedralen e Shën Kollit, në Lezhë, “njëzet e dy mijë hapa prej Kruje” (siç saktëson Barleti), përveç Arianit Golem Topias, Gjergj Stresit, të birit të Balshës që kish ardhur pa vëllezërit Gjon e Bojko, Nikollë e Pal Dukagjinit, Lekë Zaharias, Pjetër Spanit, Lekë Dushmanit, ishin të pranishëm edhe Stefan Cernojeviqi me të bijtë Gjergjin e Gjonin, e disa princër venedikas.291 Stefan Cernojeviqi, që ishte me origjinë të përzier shqiptaro-sllave, ishte edhe në takimin e parë që Skënderbeu bëri në Krujë me aleatët e mundshëm në luftën kundër osmanëve.292 Edhe pas shekullit XV, një si pax ottomana ka qenë dëshmi e garanci jo vetëm e marrëdhënieve të qeta e të shtruara mes popujve që ishin nën hyqmin e Portës së Lartë, por edhe e marrje-dhënieve gjatë këtyre marrëdhënieve (jeni të lutur që lojën e fjalëve mos ta merrni për lojë). “Klanet malësore sllave e shqiptare kanë pasur një traditë të gjatë bashkëpunimi e martesash të përziera, dhe në disa raste, ka pasur legjenda që i kanë mëshuar idesë se të dyja palët kanë pasur të njëjtët paraardhës; në Kosovë, përgjatë shekujve, ndarjet etnike mes serbëve e shqiptarëve nuk kanë qenë kurrë krejtësisht të dukshme; ka pasur një asimilim etno-gjuhësor në të dyja drejtimet”.293 Ndodhi sidoqoftë në kohët osmane që u bënë “dreqent kojshi”? (Fishta).

Erdhi koha që Pax ottomana të ishte më pak pax e më shumë ottomana, e në këtë kuptim konflikti ka qenë i pranishëm. E duhet thënë se të gjitha palët kanë bërë viktimën në këtë mes. Serbët po se po, që viktimizimin e kanë një sport nacional e historik, por edhe shqiptarët. Madje, në këtë rast, shqiptarët ca më shumë. Ata e kanë bërë të udhës të qahen prej fqinjëve të tyre. Vazhdimisht kanë nxjerrë mëtimin se ata kanë qenë prore të sulmuarit, e asnjëherë sulmuesit, se ata kanë vuajtur pozicionin sandëich mes serbëve e grekëve. Duhet thënë se kjo është e vërtetë në shekullin XIX e më pas, kur Perandoria Osmane po binte, e kur shqiptarët, ashtu si të tjerët apo tok me të tjerët, zunë të përpiqeshin të krijonin shtetin e tyre. “Ishte ideologjia serbe e shekullit XIX që krijoi një kult të betejës mesjetare në Fushë-Kosovë, që e trajtoi këtë betejë si një ngjarje që i përkufizonte serbët në planin shpirtëror e kombëtar; ishte edhe roli politik i luajtur nga fuqitë protektore, siç ishte Rusia, me konsujt e tyre në Prishtinë e Mitrovicë, që bënë të krijohet një atmosferë e re dyshimesh e armiqësie nga ana e shqiptarëve lokalë; ishte edhe dëbimi në masë i shqiptarëve dhe i myslimanëve nga zonat e pushtuara prej Serbisë e Malit të Zi më 1877-1878 që i bindën shqiptarët e Kosovës se Serbia – dhe serbët e Kosovës, të cilët mbaheshin si pjesa ‘e pashëlbyer’ e popullsisë serbe – përfaqësonin një kërcënim për ekzistencën e tyre”295. Më herët, gjithnjë pas pushtimit osman, shqiptarët nuk kanë qenë edhe aq të pafajshëm. Madje, edhe gjatë shekullit XIX, në Kosovën që mbeti në duart e shqiptarëve pas themelimit të principatës, më pas mbretërisë, serbe, nuk ishte qejf i madh të ishe një serb. Historiografia shqiptare nuk harron asnjëherë të nënvizojë kontributin e shqiptarëve gjatë kryengritjeve greke, madje edhe gjatë atyre serbe, gjë që sigurisht është e drejtë, sidomos në rastin grek, por në të njëjtën kohë lë mënjanë faktin që këta shqiptarë të luftërave ballkanike për pavarësi nuk kanë qenë vetëm në kampin antiturk. Kanë qenë edhe në kampin turk, mbi të gjitha kanë qenë në këtë kamp, ku s’e kanë pasur për gjë të luftojnë kundër sllavëve e grekëve; madje edhe kundër shqiptarëve. Është thënë se atje ku ka pasur osmanllinj duke luftuar, ka pasur në krah të tyre edhe shqiptarë, më së pari e më së shumti shqiptarë, të cilët janë parë si kampionë të fémohimit e mercenarizmit në Turqinë europiane.”