Shpërndaje

Qeverinë e Kosovës nuk është se po e shqetëson nisma e Serbisë e cila do t’i shkruaj një letër Komisionit Europian që 22 vendet e BE-së, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta tërheqin atë.

Në qeveri shprehen se do të punojnë në rritjen e numrit të njohësve për Kosovën dhe nuk është fokus i tyre se çfarë bëjnë të tjerët.

Halil Matoshi, drejtor i zyrës për komunikim në Qeverinë e Kosovës ka thënë se institucionet e Kosovës nuk janë të fokusuara në punën e të tjerëve, por që numri i njohjeve të rritet, e që sipas tij kjo po ndodh.

“ Fokusimi i Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve relevante nuk është ajo se çfarë thonë e bëjnë të tjerët, porse që Kosova të marrë sa më shumë njohje ndërkombëtare, e numri i tyre po rritet nga dita në ditë”, ka thënë Matoshi.

Serbia, tashmë ka përgatitur një letër të cilën më 10 tetor Brukselit do t’ia dorëzojë kryeministrja Ana Bërnabiq.

Me këtë letër dëshirohet të tregohet se janë përdorur standard e të dyfishta sa i përket rastit të Katalonisë dhe Kosovës.

Por, kjo nismë e Serbisë sipas zyrtarëve në Kosovë nuk mund të ketë efekt, pasi e drejta ndërkombëtare nuk e njeh tërheqjen e njohjes.

“Jo. E drejta ndërkombëtare nuk e njeh çnjohjen si akt i vullnetit politik të shteteve si akt individual”, ka thënë Matoshi, të premten.

Ai ka bërë të ditur se Kosova nuk do të “mbrohet’, nga ky veprim i Serbisë, duke e cilësuar si politikë reaktive.

“Kursi i Qeverisë së Kosovës është veprimi në bazë të strategjisë kombëtare për integrimet euroatlantike dhe ajo nuk shpenzon kohë në politika reaktive”, është shprehur ky zyrtar i qeverisë.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2018. Deri më tani ajo është njohur nga 114 shtete, ndërsa që pavarësia e saj vazhdon të mos njihet nga Serbia dhe 5 vendet anëtarë të përhershme të BE-së, (Spanja, Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia)