Shpërndaje

Prej më shumë se një jave televizioni kombëtar Top Channel ka bërë kritika të forta për qeverinë e kryeministrit Rama mbi mënyrën se si ai dhe mazhoranca e kanë trajtuar çështjen “Tahiri”.

Në edicionet e lajmeve të këtij televizioni ka pasur çdo ditë nga një kronikë “pikante” ku nuk kurseheshin notat e kritikës dhe ironisë për sjelljen e kreut të qeverisë. Fillimisht Rama vendosi të heshtte, por këtë të enjte gjërat kanë plasur në publik. Shkak u bë konferenca evropiane për mediat e mbajtur në Tiranë për të cilën Top Channel i kujtoi Ramës se çfarë është liria e medias dhe kritikat e Brukselit.

Në materialin e Top Channel tërhiqej vëmendja se Rama para gazetarëve të huaj zgjodhi një gjuhë më të moderuar se me reporterët shqiptarë.
“…në sy të komisionerit Hahn, ai nuk përmendi më fjalët kazan mediatik, as ripërsëriti epitete si idiote, të paaftë, injorantë, shprehje më të cilat gazetarët ndeshen rëndom gjatë punës me të. Gjithashtu konferenca për lirinë e medias dhe konferenca për shtyp me komisionerin hahn, nuk u transmetua siç transmetohen rëndom aktivitetet e tij ekskluzivisht vetëm përmes kanalit të tij personal televiziv ERTV, por pati edhe kamera te tjera.” – thuhet ndër të tjera në komentin redaksional të Top Channel. Më tej ky televizion në pronësi të Vjollca Hoxhës, të vesë së themeluesit Dritan Hoxha i kërkon hapur kreut të qeverisë të mos fyejë gazetarët sepse kjo përbën vepër penale.
“Kryeministri kërkoi sot që ti rikthehet medias liria e saj, por këtë duhet të fillojë ta bëjë nga vetja. Të pranojë se kur i bëhen pyetje, ai s’mund t’i përgjigjet me fyerje, të pranojë se nuk ka pyetje, por vetëm përgjigje te këqija. Kryeministri e di mirë se fyerja nuk mund të jetë më vepër penale, pavarësisht se ai kërkon kthimin e saj si të tillë. Sepse këtë e pengon pikërisht Komisioni Europian. Kryeministri duhet të pranojë se ai, dhe jo mediat paguhet me taksat e shqiptarëve dhe se misioni i tyre është pikërisht të ruajnë sesi këto taksat përdoren apo shpërdoren. Kryeministri e di, ashtu si edhe ata përpara tij, se lajmësi nuk goditet dhe ktë e thotë jo vetëm be, por edhe kanuni qindra vite më parë. Dhe nëse qeveria I bën mirë detyrat e shtëpisë edhe për lirinë e shprehjes, atëherë po, le të shohim se ku janë edhe problemet tona. Por siç thoshte Ronald Reagan, problemi gjithmonë është qeveria” shkruan Top Channel.
Në orët e mbrëmjes, menjëherë pas edicioneve të mbrëmjes të lajmëve, Rama nuk është përmbajtur. Në faqen e tij në Facebook ai i ka kthyer përgjigje Top Channel duke rikthyer në fjalorin e tij fjalën “kazan” në një postim që e quan “HAHNI DHE KAZANI” ashtu si titulli i lajmit të Top Channel. Rama e quan drejtpërdrejt këtë ekran të pabesueshmë dhe gënjeshtar.
“Në lajm, siç do ta lexoni, thuhet se kryeministri e cilësoi median si të pabesueshme. Po, e vërtetë, kështu mendoj! Por si për ta vërtetuar me dëshminë e vet se sa të pabesueshme janë mediat, Top Channel, siç e shihni, e informon publikun se konferenca për lirinë e medias dhe konferenca për shtyp me Komisionerin nuk u transmetuan në ERTV! Ju të gjithë tani mund ta shikoni vetë provën e kësaj gënjeshtre me bisht, nëse zbrisni në postimin e dytë e të tretë të ditës dhe klikoni videon e dhënë live nga ERTV. Tani pyetja që vjen vetiu është: Nëse një televizion kombëtar që ka bërë histori falë gjenialitetit të të ndjerit Dritan Hoxha, është katandisur sot të gënjejë kaq hapur, edhe për një fakt kaq të thjeshtë, si mund të quhet e besueshme media në Shqipëri?- shkruan Rama.
Që mes Ramës dhe Top Channel tashmë është një “luftë e hapur”, kjo nuk është më një dileme. Mister mbetet shkaku i kësaj përplasjeje që ndoshta nuk është kaq parimore sa “liria e mediave” pasi Edi Rama nuk e ka për herë të parë përplasjen e tij me gazetarët dhe në të kaluarën Top Channel nuk ka qenë kaq i ndjeshëm për të tilla tema.