Shpërndaje

Gëzim Mekuli

Para se gjithash kjo varet nga politika dhe qeveritë. Së dyti kjo varet nga dobësitë, kundërshtimet dhe joprofesionalizmi i gazetarëve, dhe së treti kjo varet edhe nga presioni dhe dhuna gazetareske. 
Lajmet janë tregti. Këtë e dinin fillimisht dhe themeluesit e agjencive të para të lajmeve europiane. Ata ishin tregtarë të thjeshtë dhe nuk kishin kurrfarë para përgatitje   publicistike. Ata donin vetëm një gjë; të fitonin sa më shumë para. Në vitin 1835 Charles Havas, themelon në kryeqendrën e metropolit evropian AFP-në (Agjencinë Frans Press). Qëllimi i tij ishte që të njëjtin lajm, mundësisht ta shes tek sa më shumë klientë. Gjithkund të jetë i pari, kjo ishte ëndrra e Paul Julius Reuters, i cili në vitin 1851 në Londër, themeloi agjenturën e vet të parë të lajmeve “Reuters”. Çdo lajm, lajm ta dërgoj e ta lançoj sa më shpejtë e me “më kohe” se sa agjencitë e tjera të lajmeve, kjo ishte puna e tij.

Problemi i madh: Sa janë lajmet objektive?

Duke pasur parasysh rezultatet e kërkimeve shkencore mbi lajmet, dhe përforcuar përmes vrojtimeve të punës së mediave, shohim se çështja mbi realitetin dhe objektivitetin e lajmeve qëndron gjithmonë aktuale dhe është fushë interesi për shumë shkencëtarë mediash, politolog, gazetarë, filozofë si dhe për vet konsumuesit e produkteve mediatike. Shtrohet pyetja, a ka mundësi që një reportazh të ndërmjetësojë botën në mënyrë objektive, duke pasur parasysh ndikimet shumëdimensionale që ekzistojnë rreth seleksionimit dhe transmetimit të lajmeve?

A informohemi drejt?

Se, sa janë, dhe sa mund të jenë lajmet objektive, ka diskutime të shumta, mospajtime dhe argumentime të ndryshme. Rreth termit “objektivitet” lidhet së pari norma profesionale. Së dyti, kërkuesit dhe pretenduesit-politik, dhe së treti problemi teorik. Shikuar nga pikëpamja e gazetarëve profesionalistë, objektiviteti është pikësynim, është një normë që udhëheq dhe e çon përpara gazetarinë. Objektiviteti “nuk mund” të vërtetohet e as të falsifikohet, thonë këta.

Objektiviteti, cili është ai në të vërtetë?

Objektiviteti mund të përshkruhet edhe si çështje e së vërtetës, rëndësisë, e jo partishmërisë, e asnjanësisë dhe e barazpeshës. Në këtë mënyrë, fjala “objektivitet” dhe “realitet” mund të kuptohet edhe në kodeksin ligjor si dhe atë gazetaresk. Për kërkuesit politik, shprehja “objektivitet” ka një funksion instrumental. Pretenduesit politik tentojnë që përmes seleksionimit të lajmeve të ndikojnë në interesa të caktuara politike dhe ekonomike. Dhe përmes mediave, mundësisht, të ndikojnë në ndryshimin apo edhe në konservimin e shoqërisë. Kjo bëhet, posaçërisht, e qartë gjatë fushatave parazgjedhore, atëherë kur mediat akuzohen se mbajnë këtë apo atë interes partiak. Vet shprehja “objektivitet” na drejton në problemin teorik p.sh. në literaturë, psikologji, sociologji, filozofi. Edhe kjo interpretohet në mënyra të ndryshme. Sipas Lippmann, problemi qëndron në atë se bota është aq e madhe, aq shumë e ndërlikuar dhe multidimensionale, që ajo të mund të kuptohet aq lehtë dhe pa telashe.

Lajmet dhe e vërteta ndryshojnë nga njëra-tjetra

Sipas Lippmann-it lajmet dhe e vërteta ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Ajo çka konsiderohet për mediat “ndodhi e ngjarje”, nuk është asgjë tjetër pos rezultat i seleksionimit dhe procesit të përpunimit të lajmeve. I tërë ky proces i ndërtimit të realitetit udhëhiqet, dirigjohet dhe përpunohet nga mediat. Nga kjo del se mediat mund të quhen “organe kolektive” që realitetin e shoqërisë e interpretojnë dhe thjeshtësojnë në një episod që quhet lajm. Nga kjo lind dhe pyetja: Sa janë lajmet objektive? Si seleksionohen ato? Si ndërtohen ato? Së fundi, a janë në gjendje që ato, pra lajmet, të bëjnë interpretimin objektiv të kësaj bote reale, “shume të madhe e aq komplekse”? Lajmi është lajm atëherë dhe vetëm atëherë, kur mediat, ndodhinë/ngjarjen, nga një kënd i largët i botës, ia afron opinionit publik në mënyrë të padjallëzuar, dhe ja sqaron atë, ja mundëson ta shohë atë, ta dëgjojë atë, ta “perceptojë e ta shijoj” atë. A e bënë këtë media shqiptare?