Shpërndaje

Prof. dr. Hysen Matoshi

Ditë më parë botimeve tona iu shtua edhe një kontribut madhor që identifikon përpjekjet publicistike, politike, kulturore, letrare e enciklopedike të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe të asaj pasrendëse. Botimi në katër vëllime i kolanës së plotë të “Kalendarit kombiar”, nga Fondacioni Arsimor Kulturor Humanitar “Alsar” i Tiranës, ishte një sihariq për të gjithë studiuesit e Rilindjes sonë Kombëtare, të cilët tani kanë një bazë më të plotë burimore të publicistikës së asokohshme shqiptare. Studimet tona për këtë periudhë nuk mund të quhen të plota dhe të sakta pa njohjen edhe të gjithë asaj pasurie diturore, mendimtare, kulturore e artistike, e cila ka gjetur vend në njërën ndër shenjat më identifikuese të periodikut shqiptar. “Kalendari kombiar”, i cili në fillim doli me emërtimin “Ditërrëfenjësi kombiar”, është i lidhur me idetë përparimtare të themeluesit të tij, Kristo Luarasit, por edhe të personaliteteve të tjera, të cilat e mbështetën atë, sikurse janë: Kostë Trebicka, bashkëthemelues i “Kalendarit kombiar”, Nikolla Naço dhe Mit’hat Frashëri (Lumo Skëndo) etj. Vetë motoja e këtij organi publicistik, enciklopedik e kulturor shpërfaq qëllimin e botuesve të tij:
Besa, shpresa, dashuria
ato, pra, na lartësojnë.
Përçarja dhe marrëzija
Na poshtojnë e na mjerojnë.
“Kalendari Kombiar” (1897-1928), nisi të dilte si botim vjetor enciklopedik, kulturor, letrar e politik i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes. Të 22 vëllimet e kalendarit panë dritën e botimit në dy qendra të rëndësishme të mërgatës shqiptare, e cila si pjesë dinamike e kombit dha kontribut të çmueshëm për zhvillimet kulturore kombëtare, sikurse edhe për vetë krijimin e vetëdijes kombëtare dhe formimin e shtetit të pavarur shqiptar. Rrugëtimi i “Kalendarit…” nga Sofja për në Selanik, rikthimi në Sofje dhe vazhdimi pas formimit të shtetit shqiptar në Tiranë, në vitet 1926 dhe 1928, është dëshmi e zhvendosjes së qendrave të ndikimit në proceset kulturore e shoqërore të botës shqiptare.
Dashuria për mëmëdheun
Ardhja e “Kalendarit kombiar” në jetën shoqërore, kulturore e diturore të shqiptarëve mund të kundrohet si produkt i vetëdijes kombëtare që po lindte te ne në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Karakteri i tij kombëtar del i qartë që në titullimin e tij, në trajtën “kombiar”, por edhe më i qartë del në përmbajtjen ideore programatike që shpërfaqet në vetë fjalën dedikuese për mëmëdhetarët, ku, mes tjerash, thuhet: “Me gjithë se jemi me të varfër nga të gjithë të tjerët, po dashuria mbi mëmëdhenë dhe dëshira që kemi për të hapurit e gjuhës tonë dale nga dalë, me emrit të Madhit Zot së pari, do të arrijmë qëllimet tona dhe do të vijë një kohë që do të hapen dhe kishë mbi gjuhën shqipe si dikur që kanë hapur dhe kombet e tjerë. Të kemi dashuri njëri me tjetrin të jemi të bashkuar të gjithë tok: të Krishter’ e Myslimanë; të ndihim me sa na mundet për ç’do farë të shenjtëruar, të mos shajm’ e përçmojmë gjuhën e mëmës tonë, po sa të mundim ta lëvdojmë’ e ta lartësojmë së gjithash etj, etj. Këto janë detyrat e një mëmëdhetari, që ngashëron mbrothësinë gjuhës vet.” Edhe pse Ditërrëfenjësi kishte nisur rrugëtimin e tij, në dukje të parë si një kalendar për besimtarët shqiptarë ortodoksë, që nga numri i parë e deri tek i fundit në të do të dilte në pah fryma bashkuese gjithëkombëtare. Ta zëmë, aty do të gjenin vend edhe datat e festave më të rëndësishme myslimane, krahas atyre krishtere – katolike, autorët e teksteve ishin të përkatësive të ndryshme krahinore e fetare dhe gjithnjë trumbetohej ideja për bashkim e vëllazëri ndërmjet shqiptarëve. Madje, edhe paragjykimet lidhur me shqiptarët do të mund të zhbëheshin vetëm me një qëndrim të tillë: “Ky ditërrëfenjës vë gur’ e parë të themelisë për mbrothësin’ e Kombit tonë dhe bije dashuri të madhe për ç’do punë bese, ashtu pra, dhe bashkim e vëllazëri; që të kuptojnë Kombet e huaj se nuk jemi të egër…”
Tribunë e mendimit intelektual
“Kalendari Kombiar” ishte tribunë e mendimit atdhetar dhe intelektual shqiptar të kohës, organ që bashkoi rreth vetes kontributet e çmuara ideore, të cilat kishin në thelb përparimin e kombit dhe ideologjinë kombëtare. Në të gjetën vend krijime artistike-letrare, pa lënë anash as pjesën diturake – enciklopedike si përmbajtje shumë e nevojshme për kohën, duke nisur që nga njohuritë themelore e deri tek ato shkencore, informacione kryesore nga vendi dhe bota, dimensione të historisë sonë kombëtare, duke përfshirë edhe aspektin praktik si veçanti të një kalendari, sikurse janë fenomenet e pritshme natyrore (eklipset), kalendarin e përgjithshëm vjetor, të dhënat për datat e rëndësishme fetare (myslimane, katolike dhe kuptohet me theks të veçantë tek ato ortodokse), të dhënat mbi ngjarjet kryesore që kishin shënuar vitin pararendës etj. Në vëllimet e “Kalendarit Kombiar” janë përfshirë kontribute të ndryshme shkrimore të autorëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare, apo edhe të atyre që vijnë pas saj, përkatësisht pas krijimit të shtetit shqiptar. Mjafton të përmenden emrat e Naim Frashërit, Zef Skiroit, Gjerasim Qiriazit, Josif Bagerit, Petro Nini Luarasit, Loni Logorit, Anton Santorit, Vaso Pashë Shkodranit, Naum Veqilharxhit, Papa Kristo Negovanit, Asdrenit, Çajupit, Shahin Kolonjës, Gjergj Fishtës, Hilë Mosit, Jani Vruhos, Luigj Gurakuqit, Sali Butkës etj.
Natyrisht tek autorët më prezentë duhet shtuar edhe botuesit e këtij organi publicistik Kristo Luarasin dhe Kostë Trebickën, por, megjithatë, kryeautori i “Kalendarit Kombiar” mbetet Mithat Frashëri, alias Lumo Skëndo, me emrin e të cilit identifikohet një pjesë madhe shkrimeve, qofshin ato autoriale, qofshin të përgatitura prej tij.
Personalitete dhe ngjarje të botës shqiptare
Marrë parasysh faktin se “Kalendari Kombiar” është një organ shtypi i kohës, që përcjell me dinamizëm dhe kujdes të veçantë personalitetet letrare e diturore të botës shqiptare, në faqet e tij gjejmë shkrime të ndryshme që afirmojnë punën, përkatësisht personalitetin e tyre. Tekste diskursive, por edhe krijime letrare, gjejmë veçmas për Naim Frashërin, i cili vlerësohet si figura kryesore e kohës, qoftë për letraritetin, qoftë për shqiptarësinë e tij, por vëmendje iu kushtohet edhe Sami Frashërit, Jeronim de Radës, Konstandin Kristoforidhit, pastaj kryeheroit tonë Skënderbeut, në 500-vjetorin e lindjes etj. Një dimension po ashtu i rëndësishëm ndërlidhet edhe me përcjelljen dhe reklamimin e produktit letrar, arsimor e dituror të kohës, me çka ky organ do të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet veprës dhe lexuesit.
Interes përbëjnë edhe shkrimet përkitazi me ngjarjet kryesore që shënuan kthesë në historinë kombëtare të shqiptarëve e të cilat i përkisnin periudhës gjatë së cilës doli “Kalendari Kombiar”, përkatësisht viteve 1897-1928. Botuesi dhe autoritetet e këtij organi të veçantë të publicistikës shqiptare i përcollën me një interes të madh zhvillimet që kishin të bënin me lëvizjen kombëtare, apo edhe ngjarjet e karakterit kulturor, arsimor, sikurse ishin Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, Kongresi i Dibrës, i Elbasanit, hapja e shkollës Normale të Elbasanit, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, masakrat serbe në tokat shqiptare, ardhjen e Princ Vidit në krye të Shqipërisë, luftën e përbotshme etj. Për të gjitha këto zhvillime historike kalendari përmban një bazë të mirë studimore, e cila ka qenë mjaft vështirë që të sigurohet pa formatin ekzistues të kolanës së plotë që pa dritën e botimit falë punës së madhe të Fondacionit Alsar, Këshillit botues, me z. Mehdi Gurra në krye dhe veçmas kjo nuk do të arrihej edhe pa punën e madhe të prof. asoc. dr. Genci Luarasit si përgatitës i materialit.
Se sa i ka shërbyer ngritjes së përgjithshme kulturore, arsimore, diturore, shoqërore e kombëtare dalja e “Kalendarit Kombiar” besoj se u tha mjaftueshëm. Ishte një tribunë që avancoi më tej shkrimin shqip, mendimin dhe krijimtarinë kombëtare. E bëri shqipen gjuhë të komunikimit shkrimor në fushë të publicistikës, të letërsisë, të dijeve nga shkenca të ndryshme shoqërore dhe natyrore. Emancipimi kulturor kombëtar, me një dëshmi të këtillë publicistike, letrare dhe enciklopedike, mori hov, duke dhënë ndihmesë të çmueshme edhe sa i përket ndërgjegjësimit të përgjithshëm kombëtar që rezultoi më tej me formimin e shtetit shqiptar.
Në vend të përfundimit
Riardhja e “Kalendarit Kombiar” në jetën tonë të sotme kulturore, arsimore e diturore në formatin e tij të plotë prej rreth 3600 faqesh, në katër vëllime me një realizim të rrallë teknik, përbën një ngjarje të rëndësisë së veçantë. Përgatitësi dhe botuesi kanë mbledhur me kujdes gurët e këtij mozaiku të çmueshëm dhe me një përkushtim të madh i kanë funksionalizuar si një tërësi. Jam i sigurt se, duke e pasur si kolanë të plotë, ne do ta njohim më mirë këtë vlerë të rrallë të së kaluarës sonë, këtë kryevepër të dijetarëve, shkrimtarëve, botuesve tanë, të cilët shkrinë mundin e tyre në këto faqe përreth tri dekada. Megjithatë, vlera më e madhe e botimit të këtillë të “Kalendarit Kombiar” ka të bëjë me njohjen më të gjithanshme të periudhës më dinamike të zhvillimit të shqiptarëve, të asaj periudhe që e bëri shqipen gjuhë të letërsisë, gjuhë të dijes, gjuhë të mendimit politik, që i bëri shqiptarët ta shkruajnë gjuhën me një alfabet unik, që e bëri Shqipërinë shtet. Kushdo ka menduar të shkruajë për Rilindjen Kombëtare dhe produktin e saj madhor, ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, pa e njohur këtë perlë të rrallë këtë thesar disi të harruar e të fragmentuar deri tani, do të ketë bërë vetëm një punë të pjesshme. Prandaj, them me bindje të plotë se “Kalendari Kombiar” do t’iu shërbejë studiuesve të arteve e të dijeve të ndryshme, të letërsisë, të gjuhës, të historisë, të publicistikës, të enciklopedisë, trashëgimisë sonë, teologjisë, mjekësisë, astronomisë, gjeografisë, demografisë, bujqësisë etj.
I botuar, pa ndërhyrje, ky format i “Kalendarit Kombiar” shfaqet si një monument gjuhësor e alfabetik me tërë vlerën e autenticitetit të tij, një dëshmi e evoluimit të shkrimit e të mendimit shqip, pavarësisht se ky fakt disi e rëndon komunikimin me lexuesit e zakonshëm. Botimi i “Kalendarit Kombiar” e sjell më pranë nesh periudhën e Rilindjes Kombëtare – personalitetet, ngjarjet, idetë dhe vlerat e saj.