Shpërndaje

Presidenti Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për ta dërguar në Kuvend ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Në komentin e tij postuar në Facebook, Thaçi shkruan se sot ‘mori fund saga e debateve shterpe akademike’ e cila ka prolonguar ‘izolimin e qytetarëve të vendit’.

Shkrimi i plotë në Facebook:

E mirëpres dhe përgëzoj Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendimin e sotëm për ta proceduar për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore.

Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi i jep fund izolimit të vendit tonë, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave, por edhe e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë.

Me vendimin e sotëm të Qeverisë, merr fund saga e debateve shterpe akademike, e cila duke mos sjellë asnjë argument të ri, për tri vite me radhë ka prolonguar izolimin e qytetarëve të vendit, duke shkaktuar konfuzion dhe frikë se kinse Kosova rrezikon të humbet territor.

Tani është koha që Kuvendi i Republikës së Kosovës të marrë vendimin e vet meritor në interes të qytetarëve të vendit, të cilët me durim të pashembullt janë duke pritur me vite të tëra heqjen e vizave, respektivisht heqjen e izolimit. HTH