Shpërndaje

Deputeti dhe themeluesi i Vetëvendosjes Albin Kurti edhe sot, më 7 dhjetor 2017, po gjykohet nga drejtësia kosovare për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës, në kundërshtim të dy marrëveshjeve ndërkombëtare, ajo e Asociacionit të Komunave Serbe dhe Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi.

Veprimet e Kurtit, bashkë me të tjerë deputetë të VV-së e opozitës, u bënë gjatë legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës.

Por, kjo datë, për Kurtin ka edhe një tjetër domethënie.

Më 7 dhjetor të vitit 2001, Kurti ishte liruar nga burgjet serbe, pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politik të regjimit serb, shkruan Periskopi.

16 vjet më pas, Kurti e gjen veten sërish para organeve të drejtësisë, por këtë herë jo para drejtësisë serbe, por asaj të Kosovës. Kurti, sikurse atëherë kur nuk e njihte drejtësinë që e kontrollonte ish-presidenti serb, Slobodan Millosheviq, nuk e njeh as këtë sistem drejtësie, që thotë se kontrollohet e i shërben njerëzve që kanë kapur pushtetin.

Më 13 mars 2000 në Nish, Albin Kurti ishte dënuar me 15 vjet burg të rëndë. Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Milosheviqit që e ka mbajtur Kosovën nën okupim”.

Vazhdon seanca ndaj deputetëve të Vetëvendosjes

Vazhdon seanca ndaj deputetëve të Vetëvendosjes

Opslået af Periskopi på 1. december 2017

Ndërsa, kur ishte dënuar, ai kishte thënë se “nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më epej rasti do të veproja sërish njësoj.”

Kurti është politikani më i votuar sipas rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit. Ai dhe organizata e tij, Vetëvendosje, ende e kundërshtojnë versionin aktual të demarkacionit, marrëveshje që së shpejti do të dalë në Kuvend për t’u votuar, bashkangjitur me raportin e komisionit të ri të Qeverisë Haradinaj.

Sipas një shkrimi të kallxo.com, Kurti në 20 vitet e fundit ka mbajtur 4 bite burg, për shkak të akuzave të vazhdueshme nga regjimi serb, misioni i EULEX-it dhe drejtësia kosovare, si pasojë e angazhimeve të tij politike.