Shpërndaje

Gëzim Mekuli

Në lidhje me lajmet, që janë duke u lansuar kohëve të fundit, do të ishte me rëndësi t’i kushtojmë kujdes një formë të veçantë e delikate të transportimit dhe modifikimit të këtij lloji të “lajmeve”. Kështu do kuptohet se çfarë vendimesh të rëndësishme në shoqërinë tonë janë të varura nga ky lloj komunikimi. Është fjala për thashethemet dhe gjepurat, “mediumin masiv” më të vjetrin në botë dhe më të lakmuarin në shqiptari!

Thashethemet në sockulturën tonë arritën të mbijetojnë. Përse? Vetëm pse është mjeti me i lirë dhe nuk kushton hiçgjë? Ka raste kur “thashethemet janë të argumentuara”, shkruan Jean Noul Kapel. Atributet që i përkasin këtij grupi “lajmesh” janë: “i pakontrolluar, i pagarantuar, shpesh i deformuar, i shëmtuar dhe i falsifikuar”. Sidoqoftë, qëllimi i thashethemeve është të bëjë sa më tërheqëse shpërndarjen e saj, të dezorientoj masat dhe të instalojë pasiguri në rrethe të caktuara politike, ekonomike, nacionale, etj.

Thashethemet fabrikohen e sofistikohen në laboratore të specializuara dhe kanë për qëllim të arrijnë ndikim në opinionin publik: në ato mediale, politike, ekonomike e deri të ato kulturore.

Ushqehen thashethemet vetëm me gojë?

Sidoqoftë, mund të konstatohet se thashethemet përmbajnë e prezantojnë pikësëpari një “informacion”, i cili, gjithsesi, ka një lidhshmëri të afërt me ndodhinë e së kaluarës dhe, i cili, do të besohet në një përqindje në opinion. Thashethemet e mediave shqiptare mbi një personalitet të njohur, tejkalojnë fjalët, sepse kjo zgjon kërshëri dhe “aha efekt” më të bujshëm se sa një qytetar “i thjeshtë”. Sepse fati i tij politik është i një interesi më të gjerë kombëtar.

Zakonisht kemi të bëjmë me fatin personal të VIP-it si jeta intime e tij, aktivitetet, mënyra e të shprehurit, të veshurit dhe, veçanërisht, veçoritë psiko-fizike të tij. “Thashethemet” për prerje në besë të luftëtarëve të lirisë, “tradhtinë e politikanit”, “përvetësimin e buxhetit shtetëror”, “burgosjet partiake e politike” dhe të ngjashme, janë duke zhvilluar efektin e vet të gjatë negativ në opinionin publik shqiptar.

Krizat në shoqëri nxisin kërkesat për lajm e informacion dhe në këto grupe të shoqërisë, siç jemi ne shqiptarët, thashethemet shpejt lindin e tejfryhen, shpërndahen si në rrafshin horizontal dhe atë vertikal, këto “marrin dhenë” lehtazi.

Shkencëtarët shpërndarjen dhe ndikimin e thashethemeve e konsiderojnë si epidemi. Ato janë aq të errëta, të pashëndosha e dinake saqë shpërndahen shumë ngadalë dhe rrezikshëm, ato janë fuqishëm të “ngjyrosura” dhe mund të orientojnë në tronditje të opinionit publik me pasoja të paparashikuara. Rast konkret kemi fërkimet në LVV dhe ndikimi dezorientues i thashethemeve dhe i “lajmeve” në organizimin, orientimin dhe drejtimin e popullit tek fryerja dhe dramatizimi i  problemit.

Edhe tani është duke vazhduar ky avaz, edhe sot instrumentalizohet populli, edhe sot e fusin në grykë të topit- E kapot partiake e mediale qëndrojnë anash, fërkojnë duart dhe presin kolltuqe, presin lek dhe “çmime nga ambasadat”! Lakmia e mediumeve për zbukurime dhe konsumim lejon fabrikantët që me çdo çmim të përvetësojë të renë, ekskluziven, dhe sensacionalen. Këto media lejojnë të drejtohen dhe shërbehen me thashetheme, apo si themi ne “informata çajtoresh”. Ka disa teori që shpërndarjen e thashethemeve dhe fjalëve i trajtojnë si teori kaotike: këto bëjnë hope, ecuria dhe zhvillimi i tyre nuk mund të parashikohet.

Pasqyrë e kristaltë do të ishte për ne shqiptarët në përgjithësi raporti e ambienti i ndotur e armiqësor, medial, politik e ndërnjerëzor, ku jo pak fjalët dhe thashethemet – të përtypura me shije nga grupacione të caktuara mediale e partiake – kanë kontribuar e ndihmuar për këtë ambient. Impotenca e mosvënies nën kontroll të kësaj të keqeje, bën që thashethemet të jenë interesante dhe plotë kuriozitet për opinionin publik dhe mjaft strategjik për qarqe të caktuara politike.

Opinioni publik është i stërlodhur. Gazetarë të mirë, ju lutem, mos lejoni që “gazetarët e ambasadave” dhe “gazetarët e pushtetit” të minojnë mendjen, ekonominë dhe ardhmërinë e shqiptarëve në përgjithësi.