Shpërndaje

Nga Gëzim Mekuli

Liri e shprehjes, apo përdorim i medies?

Gazetaria shqipe përsëri “ra në kurth” të strategjisë së vullnetarëve shqiptarë në Siri. Dhe jo vetëm të tyre, por gazetaria shqipe “ra në kurthë” edhe të agjentëve të sigurimit serb (UDB-së).

E keni parë se si vullnetarët shqiptarë, qofshin këta nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, përpos kallashnikovit në duar, me vete kanë edhe kamerat për të xhiruar e filmuar. Këta e dinë, se për të pasur sukses dhe ndikim në hapësirat shqiptare, duhen përdorur edhe mediet.

Dhe këta edhe po ia dalin. Bile me shumë sukses: videoxhirimet e tyre prej disa sekondave, ku këta shkëlqejnë me kallashnikov dhe paraqiten duke mbajtur “fjalime” për opinionin shqiptar, (fjalime në gjuhën shqipe), po i lançojnë në “Youtube”.

Dhe menjëherë plas sherri. Përsëri shtrohet pyetja: A janë të sigurt gazetarët nëse burimi është i lirë? A janë këta persona me poste të rëndësisë së veçantë në vendet nga këta vijnë, apo njerëz të rëndomtë? Si duket, këta vullnetarë “i dinë” edhe dëshirat dhe etikën e gazetarisë shqipe si dhe nivelin e shkollimit të tyre. Shumë nga këto xhirime e aksione, në realitet, janë tentime për t’u “shprehur”.

Qëllimi i tyre është, para së gjithash, të depërtojnë tek unë dhe tek ti. Pra, në medie. Shtrohet përsëri pyetja: nëse gazetaria jonë duhet të lejojë të publikojë fjalime, xhirime e “shprehje” të tilla? Dhe përsëri këtu, pashmangshëm përsëri pyetja e madhe: A ishte dhe a është joprofesionale të ftohen në studio agjentët e Serbisë në mediet shqipe, para se këta t’i ftojë prokuroria e shtetit?

Sepse duke u bazuar nga e kaluara e tyre e keqe, fundi i fundit, ne nuk e dimë nëse këta janë të detyruar të flasin nën dhunë e presion psikik. Mediet duhet të dinë se nuk duhet lejuar transportimi i ideve të vullnetarëve dhe njerëzve të sigurimit serb. Duhet hulumtuar nëse këta njerëz funksionojnë si “stativë mikrofoni” e forcave të caktuara politike e ideologjike.

Një debat i shëndoshë e i fuqishëm duhet të zhvillohet se si liria e shprehjes duhet të administrohet, duke mos qenë kjo në shërbim të infiltrimit të sigurimeve dhe ideologjive të huaja terroriste e ekspansioniste.

Në Norvegji, vend i prekur nga dukuri të tilla, ka kohë që ky debat është duke u ankoruar dhe u fuqizuar. Le ta kujtojmë propozimin e vjetër të zonjës Thatcher: “T’u refuzohet dhe t’u ndalohet terroristëve oksigjeni publik”.

(Shkrim i botuar në mediat e Tiranës dhe të Prishtinës në vitin 2015)