Shpërndaje

Agjencia për Mediat Elektronike e Malit të Zi u ka shqiptuar vërejtje televizioneve “Boin” dhe “Teuta” për shkak të transmetimit të spoteve muzikore të dy këngëve shqipe me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Në vendimin e Agjencisë për Mediat Elektronike, të datës 18 dhjetor 2017, të nënshkruar nga drejtori Abaz Xhafiq, thuhet se emetuesit të programit “Boin” i shqiptohet vërejtje si masë administrative-mbikqyrëse për shkak të shkeljes së disa neneve dhe të Lejes për emetim, “me rastin e emetimit, më 28 nëntor 2017, të spotit muzikor për këngën ‘Jam shqiptare’, me interpretues Pëllumb Vrinca.

Sipas Agjencisë për Mediat Elektronike, vërejtja është shqiptuar për shkak të ritransmetimit të përmbajtjeve programore nëpërmes së cilës mund të nxitet urrejtja dhe diskriminimi në bazë të përkatësisë etnike, shkeljes së detyrimeve nga emetuesi që emrin, shenjën, respektivisht shenjën e shkurtër identifikuese të medias elektronike ta shënojë edhe në rastin e ritransmetimit të programit nga emetuesit tjerë, shkeljes së detyrimit të medias që në një vend të përshtatshëm të vendosë emrin e medias nga është marrë përmbajtja programore ose pjesa e saj, si dhe emetimit të përmbajtjeve me të cilat nxitet dhe përhapet gjuha e urrejtjes, me qëllim të krijimit të intolerancës ose urrejtjes nacionale, dhe në të cilën përdoren terma fyes që mund të lidhen me grupe shoqërore ose etnike.

Ndërkaq Televizionit “Teuta”, në bazë të vendimit të Agjencisë për Mediat Elektronike, të datës 29 dhjetor 2017, i është shqiptuar vërejtja si masë administrative-mbikqyrëse për shkak të emetimit, më 28 nëntor 2017, të spotit muzikor për këngën ‘Albanian’, me interpretues Etnon feat Lyrical Son & DJ Blunt.

Në bazë të vendimit, vërejtja i është shqiptuar TV “Teuta” për shkak të emetimit të përmbajtjes programore me të cilën mund të rrezikohet rendi kushtetues i Malit të Zi.

Agjencia për Mediat Elektronike ka kërkuar nga TV “Boin” dhe TV “Teuta” që t’i harmonizojnë përmbajtjet e tyre programore në pajtim me detyrimet e Ligjit për mediat elektronike, aktet nënligjore të kësaj agjencie dhe lejes për emetim të programit.