Shpërndaje

Fokusimi i gazetarisë shqipe në person: Manipulim e ç’orientim, – s’është informim

Gëzim Mekuli

Fokusimi i tepruar i medias shqipe në person, përpara procesit dhe thelbit të ndodhisë, është duke zvogëluar vlerat informative.

Çka është fokusimi në person?
Me fokusimin në person, me personifikimin, apo me orientimin e gazetarëve “tek personi”, kemi të bëjmë atëherë kur një apo disa persona shpeshidentifikohen në emisone televizive, në gazetë apo nëpër portale. Pra, flasim atëherë kur një medium, gjithnjë e më shpesh, ka si pikëvështrim persona të veçantë e të përzgjedhur. Shembull: Kohëve të fundit hapsira publike shqiptare është duke u mbingarkuar me «fokusimin në person» nga televizionet kombëtare, sikurse Klan Kosova, TV21 dhe RTK.

Ky personifikim gazetaresk po përdoret edhe si një ndër kriteriet për formësimin e lajmit shqip. Gazetarët shqiptarë po përdorin thashethemet, shpifjet, hipotezat, insuniatat, dëshirat dhe ëndërrat e personëve të veçantë si «fakte» dhe si «dëshmi» të lajmit. Përpos kësaj fokusimi në person po ndërtohet edhe me fotografi të mëdha, me theksimin e emrit dhe mbiemrit në kryetitull dhe nëntitull të lajmit. Dhe ky fokusim bëhet me qëllime të caktuara politike, konkretisht bëhet për të sulmuar z. Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Kjo lloj gazetarie ka marrë përmasa të mëdha, gjithsesi shqetësuese e të dëmshme për hapsirën publike, andaj, është me rëndësi të trajtohet ky zhvillim jo i mirë gazetaresk. Fokusimi në person po e «çarmatosë» procesin debatues publik në shumë mënyra:

Përse?

– Mbiçmimi i personit para ndodhisë është duke larguar përqendrimin e publikut nga tema dhe nga burimi i vërtetë i problemit. Nëse bëhet përshkrimi i një mosmarrëveshjeje politike, duke u fokusuar në person, populli po e humbas kuptimin për mosmarrëveshjet dhe për problematikën. Mosmarrëveshjet dhe gjeneza e krizës, artificialisht, përzogëlohet e zhvlerësohet, ndërsa pesha e personit përzmadhohet e mbivlerësohet. Shembull: Përqendrimi i tepruar e monoton tek njëshat e EULEX-it, UNMIK-ut, NATO-s dhe tek “njëshat e fortë pucistë”, ka bërë që pjesëmarrësit aktivë të politikës të shndërrohen në vështrues pasiv.

– Pasojat e këtij përqendrimi në vetëm një person ka bërë politikën më pak të rëndësishme për popullin. Kjo ka gatuar mendimin dhe bindjen se politika bëhet vetëm përmes dy apo tre personave dhe, ky zhvillim politik gjallëron vetëm korridoreve e zyrave të partive politike dhe të parlamentit: Është izoluar depërtimi i mendimit akademik e universitar; Është nënçmuar debati dhe kritika shkencore që vie nga intelektualët të cilët nuk i takojnë partive politike. Pra, kjo gazetari edhe ka ligështuar interesimin e të rinjve -popullit- për kyçje në debate dhe kyçje në kritikën politike të karakterit europerëndimor. Edhe pse hapësira publike shqiptare në Kosovë është e interesuar të jetë pjesëmarrëse aktive në zhvillimin e proceseve politike, prapëseprapë është «fokusimi në person» ai që po shuan ndjenjat dhe po vështirëson debatin ndërtues dhe ndjekjen aktivie të proceseve politike.

Gjuetia pas skandaleve, intrigat e mbushura me konflikte po çojnë aty ku shumë çështje relevante politike nuk debatohen e nuk po publikohen fare. Padyshim, fokusimi i medias në person është duke ushqyer “mendimin njësh” dhe po i dhuron përparësi lajmit dhe perspektivës “njëshe.” Pra, çdo gjë këtu na duket si një regji e një “telenovelë turke” apo serial i izoluar artistikisht dhe pa ndonjë lidhshmëri logjike.

Më tutje, fokusimi në “personat elitë” i ka dhënë një kuptimësi të shtrembër vlerave të shoqërisë shqiptare. Ky “televizorizim” i rrejshëm i shoqërisë i ka krijuar popullit bindjen dhe mendimin se janë një, dy apo tre persona të veçantë, e “të pazëvendësueshëm”, që udhëheqin e drejtojnë me proceset politike të Kosovës; e, jo fuqia kolektive intelektuale dhe politike e popullit.

Televizorizimi i dëmshëm i shoqërisë shqiptare dhe «fokusimi në person» është edhe budallallëk institucional; sepse kjo edhe apelon tek mentaliteti ynë. Kjo të shpjegon e “të vërteton” se shqiptarët kontrollohen nga kompleksi i vlerave të vogla, e hiq nga logjika e arsyeja.

Edhe nëse ka përqendrim në pasoja, atëherë ky përqendrim është duke u bërë në drejtim e në mënyrë të gabuar; Në vend se të thuhet diçka rreth asaj se çfar pasojash do të kenë për Ty dhe për Mua vendimmarrjet e orkestruara e të gabuara partiake nga “kinsepersonat me rëndësi”, gazetarët turren e përqendrohen në atë se çfarë pasojash “fatale” do të kenë këto vendimmarrje për aktivistat, për ministrat e për “njëshat” partiak.

Gazetaria e mirë politike duhet të jetë e orientuar në pasojat; por në ato pasoja që do prekej e do të përballohej populli, e jo gazetaria e cila është e merakosur për pasojat dhe pësimet “fatale” që do të përballohej personi. /MekuliPress.info/