Shpërndaje

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka dhënë sot një tjetër provë të metodës së drejtimit të partisë dhe mbi të gjitha, të kritereve që ai ndjek në përcaktimin e suksesit politik. I pyetur për katapultimin në Parlament të Astrit Veliajt, që vjen pas largimit të Eduard Halimit, por pasi kanë dhënë dorëheqje nga mandati dy kandidate femra, Basha ka dhënë këtë përgjigje:

Në asnjë gjë nuk ngjan me të. Aq sa ngjan televizioni juaj me një motorskaf droge. Se Arben Ndoka është një person i dënuar për prostitucion, ndërsa në këtë rast nuk kemi asnjë pretendim për kriminalitet kushdo qoftë deputeti i ardhshëm

Pyetja(nga gazetarja e Vizion Plus)lidhej me faktin se praktika e tanishme – e dorëheqjeve të njëpasnjëshme të dy kandidateve femra – i ngjan asaj të ndjekur nga PS-ja për sjelljen në Parlament të Arben Ndokës. Asokohe demokratët me Bashën në krye akuzuan kryeministrin për kapje nga krimi, apo për mandat të blerë. Sot situata është identike, por kryeopozitari që i ka ngelur në derë Shqipërisë e mohon. Po të kujtojmë si u ndërtua dhe publikua lista e PD-së në qershorin e vitit të kaluar, nuk ka asgjë për t’u çuditur me këtë që shohim sot.

Thjesht duhet t’i nxjerrim anën e mirë kësaj historie e cila është ajo se kryetari i PD-së është një gënjeshtar dhe hipokrit i kapur në flagrancë i cili si i tillë vështirë se mund të besohet më. Dhe se PD-ja është asgjë më shumë sesa një sipërmarrje private e mbyllur e cila si kauzë ka vetëm axhendat personale të z. Basha.