Në Kosovë nuk po gjen zbatim Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara – Ligj ky i cili obligon institucionet që në çdo 50 të punësuar, të punësojnë një me aftësi të kufizuara.

Loading...

Kjo ndodh edhe përkundër kualifikimeve të këtyre personave.

Filloreta Çitaku, 26 vjeçarja nga Podujeva, tash e katër vjet ka përfunduar Fakultetin Ekonomik. Ajo ka aplikuar në shumë vende të punës, madje ka mbajtur edhe trajnime.

E zhgënjyer ajo thotë për KosovaPress se institucionet nuk janë duke u marrë aspak me këtë kategori.

Sipas saj, ata çdo ditë janë duke u ballafaquar me diskriminim.

“Unë mendoj që shkaku i kësaj është se institucionet tona merren shumë pak me kategorinë e personave me nevoja të veçanta. Por, jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe ato private”, tha ajo.

Se ligji nuk po zbatohet e thonë edhe organizatat të cilat mbështesin këtë kategori.

Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, thotë se 99 për qind e këtyre personave janë të papunë.

“Zbatueshmëria e këtij mekanizmi ligjor fatkeqësisht është shumë larg asaj të pranueshmes që është për persona me aftësi të kufizuara. Sot personat me aftësi të kufizuara, përkundër përgatitjeve të tyre edhe profesionale dhe sipas nevojave të tregut të punës është shumë vështirë të jenë pjesë integrale e tregut të punës. Personat me aftësi të kufizuara edhe sot janë shumica mbi 99 për qind të papunë”, tha Kadriu.

Kadriu thotë se kjo ndodh për shkak të mungesës së vullnetit të institucioneve për zbatimin e ligjit.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë për KosovaPress se kjo kategori meriton të punësohet.

“Ata më së shumti kanë nevojë që atyre t’iu jepet mundësia jo në formë të mëshirës, jo në formë të keqardhjes, por në formë të aftësive që i kanë, ta tregojnë vetën, përmes një vendi të punës, dhe ata vetëm këtë e kërkojnë. Do të thotë ata nuk kërkojnë që të trajtohet të veçantë nga të tjerët”, ka thënë Shala.

Se këtyre personave po u bëhet shkelje e të drejtave të njeriut, e thotë edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Jashari: Kjo kategori konsiderohet si grupi më i cenueshëm në shoqërinë kosovare

“Në përgjithësi them se konsiderohet që janë grupet më të cenueshme në shoqërinë kosovare, sa i përket realizimit të të drejtave që garantohen me ligj. Nuk duhet harruar që është standard tek personat e verbër ose tek problemet e të rinjve, sidomos fëmijët që kanë problem me aftësi të kufizuara, nuk ekziston një përkujdesje sistematike e organizuar nga institucioneve publike për të ofruar përkrahjen dhe mbrojtjen adekuate. Gjithashtu kemi pasur rastet kur edhe planifikimet buxhetore të institucioneve qendrore të vendit nuk kanë qenë adekuate dhe nuk kanë qenë të përshtatshme me nevojën e përkrahjes”, tha ai.

Fadil Osmani nga Qendra për Punësim në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke folur rreth kësaj çështje ka thënë se 445 persona me aftësi të kufizuara janë në evidencën e punësimit.

“Në evidencën tonë të punësimit i kemi 445 persona me aftësi të kufizuara, prej tyre 144 janë femra. Ky numër mundet me qenë shumë më i madh, por fillimisht po hezitojnë me ardhë me u paraqit. Përndryshe, shërbimet të cilat ofrohen prej shërbimeve të punësimit janë shërbime pa pagesë, janë shërbime për të gjithë klientët tonë punëkërkues, në këtë kategori hyjnë edhe personat me aftësi të kufizuara dhe grupet e margjinalizuara”, ka përfunduar Osmani.

Loading...