Drejt një Jugosllavie, jo si rend kushtetues, me ndarje territoriale federative, por drejt një koncepti të shtetit që synon tretjen e kombeve të ndryshme dhe krijimin e një kombi të vetëm të ri. Jugosllavia nuk funksionoi edhe pse kombet në të kishin një autonomi politike. IRJM, me këtë përbërje etnish, nuk ka gjasë ekzistence as në utopitë më të çmendura të mendueshme.
Si do që të jetë, a kanë shqiptarët një vizion se si e duan këtë shtet? Në IRJM ne ende nuk kemi të hartuar një platformë orientuese e të mirështjelluar, të bazuar politikisht dhe të studiuar mundësisht në mënyrë akademike, që do i shërbente politikëbërjes praktike shqiptare.
Edhe në kontekstin çështjes së emrit sot, por edhe për temat vendimtare që do të prekin ekzistencën e shtetit nesër, neve na duhet një platformë udhërrëfyese për ku duam të shkojmë. Me ne mendoj Kombin shqiptar. Në qoftë se ende vazhdojmë të ndjejmë përkatësi në kombin shqiptar, atëherë identiteti i ri shtetëror i IRJM-së që do të na përshtatej më së miri do ishte ai me elemente sa më sllave, apo thjesht, një identitet sa më joshqiptar i mundshëm. Kështu do ta kishim më të lehtë të justifikonim joluojalitetin ndaj këtij shteti, i cili do evokonte një përkatësi minimale të shqiptarëve në të. Në të kundërt, nëse hamendësojmë një emër të pranueshëm për shqiptarët e këtushëm, mos do të thotë atëherë kjo që ne të tretemi brenda këtij identitet të ri dhe rrjedhimisht të heqim dorë përfundimisht nga kombi shqiptar? Pra çfarë nëse shteti do të pagëzohej me një emër të pranueshëm dhe çfarë nëse i japin një emër të papranueshëm për ne. Nëse nuk e kemi menduar këtë, atëherë pse na qenka e rëndësishme forma e emrit. Çë pastaj?!
Mospasja e një platforme dhe strategjie kombëtare, do të thoshte automatikisht ndjekje e një të huaje. Po të guxojmë të vazhdojmë hamendësimin se shqiptarët, e sidomos Ali Ahmeti dhe partia e tij, po bëjnë çmos për të ndërmjetësuar dhe gjetur një identitet shtetëror të pranueshëm edhe për shqiptarët, kjo do të thoshte se z. Ahmeti e paskësh pasur me gjithë mend kur pohonte me krenari që në konfliktin e vitit 2001 shqiptarët luftuan për ruajtjen e integritetit të shtetit sllavomaqedonas. Pra patriotët shqiptarë që kapën pushkët dhe nxituan në luftë duke u betuar mbi flamurin kuq-e-zi e për të bashkuar kombin, paskan rënë në fakt në betejat e përgjakshme për të ruajtur një shtet që në të ardhmen do të jetë streha e një kombi të ri qytetar sllavo-shqiptarë, pra një Jugosllavi e re?!


 
Loading...