Boiken Abazi

PSD-ja, bishti të cilin PDK-AAK-NISMA-AKR dhe Lista “Srpska” perdorin për të hedhur pluhur mbi Lëvizjen VETËVENDOSJE!, paska deklaruar sot se Lëvizja “po e fsheh faktin se kryesuesi i Kuvendit Komunal të Kamenicës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ishte zgjedhur edhe nga asambleistët e PDK-së dhe nga Lista ‘Srpska’”, dhe për pasojë i bie që paskemi standarde të dyfishta që sot e kemi denigruar PSD-në që ka bërë shkarkimin – e jashtëligjshëm – të të njëjtit kryesues, me votat e të njëjtave partive.

Jam çuditur nga ai votim i parë në Dardanë (Kamenicë), më 20 janar 2018. Në atë kohë Qëndron Kastrati (që më vonë doli hajn i kulluar politik, duke vjedhur mandatin) kishte dhënë dorëheqjen nga pozicionet drejtuese në LV, por jo edhe nga anëtarësia. Nga anëtarësia në LV dhe nga posti i Kryetarit të Komunës, ai nuk dha kurrë dorëheqje, edhe pasi u zgjodh në maj nënkryetar i PSD-së. Kjo sa i përket guximit dhe sinqeritetit të tij.

Loading...

Në janar, kur PSD-ja (atëbotë e fshehur brenda LV) kishte bojkotuar Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të LV, kur sulmonin LV për çdo ditë me shpifje, atëbotë LV votonte për kryetar Albin Kurtin në 21 janar 2018, ndërsa Qëndron Kastrati përbetohej lart e poshtë se nuk do largohej kurrë nga LV. Dhe këtë lojë Qëndron Kastrati e bënte në një moment tejet të vështirë për LV – moment i vështirë i krijuar drejtpërdrejt edhe përmes kontributit dashakeq të Qëndron Kastratit.

Qëndron Kastrati ia ka atribuar atë votim të kryesuesit në janar aftësive të tij bindëse dhe negociuese, ndërkohë që sapo kishte ardhur në pushtet, dhe është lutur që mos t’ia prishnim planin, pasi ishte i bindur se do t’i bënte për vete asambleistët e partive të tjera me aftësinë e tij të pashoq, duke i kthyer ata në njerëz që punojnë në të mirë të Dardanës (Kamenicës) dhe Kosovës. Ai pretendonte se po ta linte LV-ja të qetë, e mos ta kritikonim, do ta realizonte këtë mision “fisnik”. Por, me kuorumin që PSD-ja po bën në Kuvend, duke mbajtur në pushtet koalicionin PDK-AAK-NISMA-AKR dhe Lista “Srpska”, e kanë kuptuar të gjithë se kush ka bërë për vete kë, e me cilin qëllim “fisnik” është punuar. Është e qartë pse ka insistuar atëherë t’i lëmë dorë të lirë. Është kuptuar edhe që PSD-ja paska marrë e para borxh te partitë e pushtetit, e pastaj ia ka kthyer në Kuvendin e Kosovës për t’i mbajtuar në pushtet. E tash pushteti ia ka kthyer pak borxhin në Dardanë, në një zinxhir borxhesh që jepen e merren në dëm të gjithë vendit! Qëndron Kastrati e rrejti njëherë LV. I rrejti edhe qytetarët në Dardanë (Kamenicë). Tash ankohet pse nuk po e hamë sapunin për djath.

Si atëherë edhe sot, e vetmja mundësi e PSD-së për t’i marrë aktivistë LV janë punësimet e postet, apo premtimet për to. Prandaj edhe janë përpjekur që herët në Dardanë të bëjnë sa më shumë premtime për punësime për aktivistët e LV, apo të caktojnë në poste aktivistë të LV – me shpresën gjithnjë se në një moment të dytë do t’i tërheqin me vete. Por u ka ngecur sharra në gozhdë, e nuk shkojnë dot më thellë se 2%.


 
Loading...