Gëzim Mekuli

Sigurisht që është e frikshme që një agjensi e rrespektuar lajmesh, sikurse që është CNN, të merr një bombë në postë. Por, barabarësisht është e frikshme dhe e papranueshme edhe heshtja e gazetarëve në hapsirat shqiptare rreth këtij sulmi terrorist.

Ky kapitulim i gazetarisë shqipe para bombave ideologjike është tregues kokëfortë se sa e keqe dhe sa e varur nga politika është kjo gazetari. Gazetaria kritike, ajo gazetari që flet e që argumenton kundër pushtetit është e kërcënuar, po ashtu. Ajo është kërcënuar dhe po kërcënohet edhe sot me të gjitha format dhe mjetet e mundshme.

Loading...

Pse e them këtë?
Keni harruar gazetën “Koha Jonë” të Tiranës që u sulmua dhe u dogj ngase nuk i pëlqente pushtetit politika redaksionale e saj. Keni harruar të përditshmën  “Bota Sot” që është sulmuar, kohë më parë, poashtu me letra-bombë. Keni harruar rrahjet e gazetarëve shqiptarë? Po sulmin e orkestruar në internet ndaj të pavarurës “MekuliPress.info” e keni harruar? Unë jo!
Është fakt se në Prishtinë e në Tiranë, Qeveria dhe Presidenca, kur ti teket sulmon, shantazhon dhe e kërcënon gazetarinë kritike. Mediat “antimeanstream” kërcënohen të mbyllen, gazetarëve ju mbyllet goja me paga e me kërcnime nga më primitivet. Dhe, këto sulme të pushtetit, thuaja, kanë mbetur pa u analizuar e pa u ndëshkuar, së pari nga vet gazetarët dhe media në përgjithësi, e më pas edhe nga opinioni shqiptar në Kosovë e në Shqipëri.

Ne nuk dimë asgjë për personin apo personat që qëndrojnë prapa bombave me letra në Shtetet e Bashkuara. “Nuk dihet” poashtu se kush është dërguesi i letrës-bombë tek redaksia e gazetës “Bota Sot” në Zurich, e as zjarrëvënësi i gazetës “Koha Jonë”, vite me parë në Tiranë, por një gjë dihet: Kjo formë terrori fashisht nuk mund të shkëputet nga urrejtja që ngrihet kundër gazetarisë kritike e të pavarur nëpër mjedise të ndryshme të politikës së ditës.

Të dashurë lexues,
Të dashura lexuese,
Bomba dhe zjarri kundër lajmit shqip është aktivizuar që moti. Kjo mund të vërehet edhe në vetëdisciplinimin e gazetarisë politike shqipe. E them përsëri se gazetaria shqipe, lajmi politik shqiptar, ATSH, RTK, dhe TVSH janë shndërruar në stativë mikrofoni të Qeverisë: Ato flasim tek populli në emër të Qeverisë, nuk flasin tek Qeveria në emër të popullit.

Pse e them këtë?
E them këtë sepse kjo lloj gazetarie e ka censuaruar fjalën “shqiptar” dhe ka zëvëndësuar me fjalën “kosovar”. Kjo gazetari ka zëvëndësuar fjalën “popull” me fjalën “qytetar”. Kjo gazetari, e sulmuar me bomba, me zjarr e me grushta, fjalën “vjedhje” e ka zëvëndësuar me fjalën “keqpërdorim”. Kjo gazetari, prej katundarësh të shekullit XIX, e ka zëvëndësuar fjalën “hajn” me fjalën “biznismen”. Kjo gazetari fjalën “ambasador” e ka lartësuar duke i dhuruar këtij cilësi prej ZOTI, ALLAHU a PERËNDIJE. Kjo gazetari flamurin, kombin, shtetin dhe kulturën shqiptare e ka barazvendosur me ekipin futbollistik të Mallakastrës.

Shkurt e shqip: Lajmi shqiptar, ai politik e kulturor, është duke u bombarduar, dhe për këtë bombardim nuk ka (akoma) debate serioze publike, nuk ka analiza të paanshme, nuk ka trajtesa e as shqetësime akademike.

E kjo është e frikshme! Dhe, e rrezikshme!


 
Loading...