GJOKË  DABAJ

Loading...

Është e natyrshme ta filloj këtë trajtesë prej Kombit tim.

Që Kombi im është keqas i çorientuar, sidomos prej gati tre dhjetëvjeçarësh, kjo shihet qartë në të gjithë aspektet e jetës sonë.

Pushtetarët, njerëzit që drejtojnë shtetin, në të gjitha instancat, në krye dhe në bazë, normalisht duhet të jenë njerëz model, njerëz prej të cilëvet duhet të marrim SHEMBULL dhe njerëz, të cilëvet populli dueht t’u BESOJË. Përndryshe, s’kish pse ZGJIDHESHIN. S’kish pse të ekzistonte SISTEMI, i cili jo më kot është quajtur SISTEMI I ZGJEDHJEVET. Kur themi TË ZGJEDHIM, vetëvetiu nënkuptojmë që në udhëheqjen tonë duhet të vëmë njerëzit MË TË MIRË. Kjo do të mjaftonte për ta kuptuar thelbin e çështjes. Natyrisht, nëse i quajturi SISTEM I ZGJEDHJEVET DEMOKRATKE nuk do të ish D E M A G O G J I.

A janë në krye të shtetevet tanë të sotëm NJERËZIT MË TË MIRË? Në krye të dy shtetevet tanë, në krye të tre shtetevet, ku shqiptarët janë subjekt i rëndësishëm?! Madje, në krye të pesë shtetevet, sepse edhe në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Greqisë, faktori arbor-shqiptar do të duhej të ishte I NDIJSHËM. Që të gjithë, ose thuajse që të gjithë të zgjedhurit në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Greqisë, për të cilët dihet se janë shqiptarë ose arvanitë, NUK DEKLAROHEN shqiptarë e arvanitë, le më të angazhohen dhe të punojnë për kombin e tyre!

Në vend që të jenë TË PËLQYER, e pse jo, edhe TË ADHURUAR prej popullit të vet, ata, përkundrazi, janë shndërruar tashmë në njerëz që populli s’ka qejf as t’i dëgjojë e as t’i shikojë. Janë shndërruar në persona PA AUTORITET, në njerëz që shpeshherë po u përshtatet ai epiteti, i pakëndshëm për cilindo prej nesh, LEGEN. A ka fytyrë të qëndrojë në krye të shtetit një njeri që shtetasit e tij e quajnë LEGEN?! Pa le, kur njëri-tjetrit i thonë edhe KRIMINEL! Në krye të njërës parti që ndron një KRIMINEL, ose të paktën i etiketuar si i tillë, në krye të tjetrës parti qëndron një tjetër KRIMINEL, i dëshmuar ose të paktën i etiketuar si i tillë.

Një komb që zgjedh, mban dhe duron në krye, njerëz të tillë, të “denjë” për epitetet LEGENA e KRIMINELË, kuptohet që është, që në themelet e tij, I ÇORIENTUAR.

Një emision televiziv i djaloshit atdhetar, që quhet Marin Mema, na i solli ndër mend pasuritë nëntokësore që na i ka falur Perendia me shumicë. Na i dha me shifra, sa naftë, sa krom, sa bakër, sa argjend, sa ar ka nëntoka jonë, dhe sa MJERIM ka sipër kësaj toke. Krejt këtë pasuri, ose po na e zhvatin të huajt, ose po e mjelin PËR VETE kapitalistët e rinj të këtij vendi. Për popullin askush nuk po e vret mendjen. Në Mallakastër e gjetkë ku nxiret nafta, tokën po e mbulon pisllëku dhe jeta aty, përditë e më keq, po bëhet e pajetueshme. Në Bulqizë e gjetkë, fëmijët kërcinjrrjepur të popullit të varfër detyrohen të dalin me trasta për të mbledhur kokrra kromi, në vend që të mbledhin sentenca diturie nëpër libra.

Më kujton kjo një kohë të largët, kur Roma, mbasi i  kish rrafshuar me tokën 70 qytete të Ilirisë Jugore, po e sulmonte për ta pushtuar edhe Ilirinë Qendrore. Pretori Anici u tha disa qyteteve bregdetarë: “Sa tatime ju merr mbreti juaj?” Ata iu përgjigjën: “Kaq.” “Epo, unë do të ju marr vetëm gjysmën e asaj që ju merr mbreti juaj.” Atëherë, qytetet bregdetarë iu dorëzuan Anicit. Anici e pushtoi Shkodrën. E zu rob mbretin Gent dhe i çoi Romës një karvan karrocash, ngarkuar plot me thesar, që romakët s’e kishin parë as ëndërruar ndonjëherë.

Kështu po ndodh edhe sot me Shqipërinë dhe me shqiptarët, që nga Bajgora e Çiçavica deri te Dhëmbeli e Çajupi. Miliarderët tanë të sotëm po sillen ndaj popullit të vet, siç silleshin mbretërit tanë të dikurshëm dhe pashallarët tanë të mëvonshëm. Dhe, doemos, edhe këta do të përfundojnë ashtu siç përfunduan dikur: mbreti Gent dhe pashallarët Ali Tepelena e Mahmut Bushati, që i shtynin me këmbë thasët e florinjvet.

Një shtresë nëpunësish që nuk ua zgjidh shtetasvet asnjë problem “pa iu lyer rrotat”, dmth., pa i dhënë ryshfet, është një shtresë moralisht e kalbur. Dhe, kur shtresa e nëpunësvet është moralisht e kalbur, pra, JONJERËZORE, JOHUMANE dhe JOATDHETARE, vetëkuptohet që populli e urren atë shtresë. Dhe, kur populli e uren shtresën e nëpunësvet të vet, ai, nga njëra anë, gjendet i shtrënguar të kërkojë mjetet, të gjejë para, për të mbaruar punët, nga ana tjetër, të synojë për të ikur nga atdheu i vet sa më parë. Kush i jep para nëpunësit ME DËSHIRË?! Dhe, kush largohet nga vendi i vet ME DËSHIRË?! Që të dy këta veprime janë veprime të një populli TË ÇORIENTUAR!

Kasta e juristëvet është shndërruar në kastë PARAZHVATËSE, pa pikën e moralit në ushtrimin e profesionit të vet! Kasta e mësuesvet po noton midis një pune fëmijëdashëse, që vetë profesioni do të duhej t’ia kultivonte, dhe një pune FËMIJËPOSHTËRUESE në një mori aspektesh. Kasta e mjekëvet praktikisht e ka shkelur, e ka shndërruar në SHKARRAVINË, Betimin e Hipokratit.

Djemtë, të cilëvet do t’u shkonte më shumë emërtimi MESHKUJ, nuk e shohin vajzën si një qenie të admirueshme, me të cilën të lidhin ëndrrat e një familjeje të ardhshme, por e shohin si një FEMËR. Duket sikur shpirti i djemvet është reduktuar në shkallën më banale të epshit. Një e tillë gjeneratë MESHKUJSH, ose do të bredhë “lule më lule” (në të vërtetë, lakër më lakër) dhe përfundimisht nuk do të dijë si ta mbyllë jetën, ose, edhe kur të krijojë familje, s’do të dijë si ta shijojë jetën në familje.

30 apo 40 për qind e kësaj kategorie MESHKUJSH të çorientuar do të përfundojë në divorce. Ose, as që do të arrijë të martohet ndonjëherë.

Se në çfarë pozite e kanë katandisur veten vajza dhe gruaja e sotme, mjafton të dalësh në një rrugë qyteti dhe të shohësh si vishen. Veshin një lloj pantallonash elastike, të cilat ua nxjerrin krejt në shesh tiparet e pjesëvet të poshtme të trupit. Mbrapa u shikohen, me të gjitha nuancat e tyre joshëse, ato që në shqip quhen tule ose mullaqe. Ndërkaq, përpara, ai lloj veshjeje është aq e puthitur, sa pothuaj u dallohet qartë edhe forma e dy kotiledonevet. Përse duhet të vishen ASHTU, vajzat dhe gratë e sotme, përveçse për të dëshmuar që vetëdija e tyre është tashmë krejt e çorientuar?! Ato nuk janë vajza apo gra. Ato janë thjesht FEMRA!

Thjeshtë FEMRA, sepse shkojnë në punë dhe s’dinë ta ruajnë dinjitetin e vet. Përdoren prej lloj-lloj MESHKUJSH. Martohen e s’dinë ta mbajnë familjen. Gjysma e tyre përfundojnë si mos më keq: ose durojnë torturat e MESHKUJVET, (jo bashkëshortëvet, por MESHKUJVET), ose durojnë peripecitë e divorcevet. Fëmijë prindërish të ndarë presin vendimet e gjykatavet për t’ua caktuar ditët e takimevet me njërin apo me tjetrin prind. Fëmijë prindërish që “s’kanë nerva” për të ndërtuar familje, detyrohen ta kalojnë krejt fëmijërinë mes grindjevet, zhurmavet dhe rrahjevet të babit me mamin.

Ndërkohë, krejt populli është I DETYRUAR të shohë “modele” mbas “modelesh”, në ekrane e në gazeta. Kofshë të zbuluara, gjinj të zbuluar, fryrë me selikon. Ndërsa në sfond, vrasje mbas vrasjesh, humbje jetësh, sikur njerëzit të ishin kunguj! Dhe, nëpër ajër, si një tullumbace që e çon era nga të dojë, sillet thënia pseudofilozofike:” JI VETËVETJA!” Ç’dreq “VETËVETE” mund të jetë një i këtillë njeri?!

Nxënësi shkon në shkollë dhe s’di përse po e harxhon jetën, duke mbajtur poshtë e përpjetë një çantë të madhe, plot me libra, letra e lapsa, pa lexuar e pa shkruar asnjëherë, veçse kur e detyrojnë. “Lënda” që nxënësit e studentët e sotëm e zotërojnë në të gjitha hollësitë, është “LËNDA” E TË KOPJUARIT. A s’është edhe ky njëri nga aspektet e të çorientuarit të njeriut të sotëm?! Është shndërruar “SHKOLLIMI” i njeriut në një kalvar pa fund stërmundimi: mbaro një shkollë fillore (që është një e dhjeta e jetës), mbaro një shkollë të mesme (që s’të hyn në punë për asgjë), mbaro një fakultet (që sërish s’të hyn në punë), kryej një master, puno për një doktoratë dhe PLAKU PA U MARTAUR!

Ku po shkon kështu shoqëria gjithnjerëzore, midis së cilës, mjerisht, ndër më të çorientuarat, shoqëria shqiptare?! Me këta shqiptarë që sot janë fëmijë dhe të rinj, ç’do të bëhet kur të jenë 40 e 50 vjeç?! Krejt sistemi i edukimit, jo vetëm i të quajurvet shkollarë, por i krejt popullit, është I ÇORIENTUAR!

Ha njeriu gjithë jetën mish viçi e s’prek kurrë viç të gjallë me dorë. Ha njeriu gjithë jetën mish cjapi e mish dashi e s’di as t’i dallojë kokërdhitë e cjapit nga bajgat e dashit, le më t’ua pastrojë oborrin me shat e me fshesë! S’po themi krejt populli, por të paktën gjysma e popullit t’i kish këto punë pjesë të jetës.

Ha njeriu gjithë jetën mish pule e s’ka prekur kurrë pulë të gjallë me dorë. A nuk meriton ky lloj njeriu TË NGOPET me mish hormonesh jetëshkurtues?!

Ha njeriu gjithë jetën speca, domate, patëllxhana, bamje, patate, qepë, fasule, dhe nuk ka provuar ndonjëherë, as t’i mbjellë, as t’ua shkriftojë dheun rreth rrënjëvet e as t’i ujitë ato bimë me ujë kanali. Thjesht, s’di njeriu, as praktikisht as teorikisht, SI PRODHOHEN ATO QË HA, dhe kjo do të thotë që ai meriton të ushqehet me zarzavate gjenetikisht të modifikuar deri në shkallën që të mos i përtypë dot! Që të mos mund t’i përtypë! Që t’i kërcasin nëpër dhëmbë! Që të mos mund ta dallojë qepën e ngrënshme nga qepa plastike!

Ha njeriu bukë tri herë në ditë, pa e provuar KURRË, as si mbillen, as si korren, gruri, thekra, elbi, misri, dhe ka MORAL që t’i qortojë, madje të kërkojë ndëshkimin e atyre që s’e prodhojnë miellin e s’e gatuajnë bukën ashtu si duhet. Ky lloj njeriu është I ÇORIENTUAR dhe këtij lloj njeriu, në mos e ndryshoftë, ME VETËDIJE dhe ME VETËDETYRIM KOLEKTIV, mënyrën e të jetuarit, do t’i vijë doemos NDËSHKIMI nga më të llahtarshmit!

Në vendin tim, arrestohen përnjëheresh treqind njerëz! Treqind familje në gjendje lebetie! Fëmijë të tmerruar, bashkëshorte që s’dinë ç’të bëjnë! Nëna që vënë kujen, duke mbyllur dyer e dritare, që kuja e tyre të mos dalë përjashta! Tri mijë familje të tjera i kalojnë netët në ankth, duke pritur policinë, armëngrehur e fytyrëmaskuar, t’ua rropatë me shqelma dyer, rafte e karrige. Kush mund të thotë që kombi shqiptar, në këtë gjysmëshekulli, po bën jetë normale?! Kush mund të thotë që ky popull nuk është mjerimisht I ÇORIENTUAR?! Dhe na dalin natë për natë ca komentues bla-bla, gjoja sikur po na ORIENTOJNË!

Dalin kamerat dhe filmojnë kodra, brigje e male mbeturinash, që hapin gjokset e tyre të qelbur drejt qiellit! A nuk i ngjan kështu ky komb I ÇORIENTUAR një tekahuti që kryen nevojën në mes të rrugës dhe s’di as të ngrejë brekët, por ecën përmes bulevardit me brekë nëpër këmbë?! Si është e mundur ta mbajë veten për kryetar bashkie një derdimen, i cili s’është në gjendje të mbajë pastër përrenjtë e livadhet, në territorin që i është besuar?!

Shohim protestat kundër ndotjes së mjedisit, kundër grumbullimit skandaloz të mbeturinavet, në Librazhd, në Durrës, në Sukth, në Fier. Mblidhen atje ca punëtorë e ca fshatarë që i ka zënë halli se s’marrin dot frymë prej erës së keqe dhe prej tymravet. Sheh midis tufës së protestuesvet edhe 10 a 15 kalamaj dhe… kjo është “protesta”.

Ku janë intelektualët?! Ku janë mjekët?! Ku janë mësuesit?! Ku janë të shkolluarit e këtij vendi, ku janë juristët, që t’i prijnë popullit, që të mbajnë fjalime me peshë, që t’u kërkojnë llogari qeveritarëvet abuzues, në atë mënyrë që qeveritarët abuzues të ndjehen ngushtë përpara protestuesvet?! S’ka prej tyre! Ata, ose kanë ikur nga sytë këmbët, kanë marrë dhenë dhe shikojnë punët e veta, SKLLEVËR të vendevet të pasur, ose janë SKLLEVËR të zyravet vendore, ku e marrin një grimë rrogë të pamerituar. Mijëra INFERMIERË E NDIHMËSMJEKË kërkojnë viza Gjermanie, për të pastruar atje bythët e pleqvet e të plakavet, dhe nuk dalin në rrugë për të kërkuar mbajtjen pastër Atdheut të vet!  A s’janë të gjitha këto një pasqyrë e mjerimit, në të cilin është zhytur ky komb tashmë prej vitesh?!

Kush e ka fajin për të gjitha këto? A mos e ka fajin familja, e cila tashmë ka dalë binarësh dhe shkon nga ta shpien rrotat e zhvidhosura të kësaj kamionçine sociale karakatinë?! Apo është fajtor sistemi i arsimit, i cili nuk po u jep dot fëmijëvet, as arsim, as edukim?! Familja nuk po rrit dot bija dinjitoze e bij dinjitozë! Shkolla nuk po nxjerr dot në sipërfaqe të shoqërisë, vajza dinjitoze e dhem dinjitozë!

Djem e vajza që rriten në fshat, mendjen e kanë te qytetet. Djem e vajza që rriten në qytete, mendjen e mbajnë te metropolet. Krijohet kështu një situatë që qindra mijë kërkuesish e ëndrrimtarësh të „një jete më të mirë“, ia mësyjnë SHBA-së, karvan i gjatë përmes Meksikës, dhe BE-së, lundra vetëmbytëse që e mbushin Detin e Mesdheut me kufoma shpresëmbytura! Shpresëmbytur ata që mbyten në Mesdhe dhe shpresëvrarë ata që s’po i lënë ta kapërcejnë Gardhin e Trampit dhe shpresëpërvuajtur shumica e atyre që s‘arrijnë ta prekin „parajsën BE-SHBA“.

Ku po shkon kështu njeriu?!

Ai që i ka grumbulluar miliardat, pse nuk po e sheh që është shndërruar në një ÇIBAN SOCIAL, mbushur plot me qelb?! Shtetet, drejt të cilëvet po vërshojnë qindra mijë mendje të çorientuara, pse nuk po e shohin që shkaktarja e këtij vërshimi është pikërisht mënyra si e grumbullojnë ata pasurinë?!

Pse nuk ka sot sociologë, të cilëvet t‘u dëgjohen fjalët anembanë kontinentevet?! (A po shihni? Unë po i shkruaj këta rreshta dhe askush s’është i gatshëm as të m’i botojë, le më të më paguajë!)

Udhëheqja shetërore, E SËMURË, është produkt i kësaj shoqërie, TË SËMURË. Kështu: një sistem juridik I SËMURË, një administratë E SËMURË, një sistem arsimor I SËMURË, një gazetari E SËMURË, përfundimisht një komb I SËMURË dhe krejt njerëzimi I SËMURË! Një trup i gjallë, i mbërthyer metastazash kanceroze!

Si i bëhet që njerëzimi të dalë prej një të këtillë kolapsi të frikshëm historiko-social?!

Një filozof i madh ka thënë dikur: NË ÇDO UJË TË TURBULLT KA EDHE UJË TË PASTËR.

E vetmja shpresë është, pra, te pjesa e shëndetshme, te UJI I PASTËR, i cili doemos ekziston në këtë masë ujore kaq keq të ndotur. Te mendja e shëndoshë dhe te një moral I RIKONSTRUKTUAR! Është koha kur pikërisht ky komponent i njerëzimit, komponenti që unë po e quaj I SHËNDETSHËM, të bëjë përpjekje për të dalë në sipërfaqe dhe për të MBIZOTËRUAR. Çasti historik është i atillë që njerëzimi po e çon vetëveten drejt katastrofavet të pariparueshme. Për t’i dalë përballë kësaj rrokullime, PJESËS SË KTHJELLËT TË NJERËZIMIT i ka dalë detyra madhore që të gjejë mënyrat për të ndalur katastrofën. A do të mund ta ndalë katastrofën gjithnjerëzore PJESA E KTHJELLËT E NJERËZIMIT?!

Pa KOLOSË TË MENDJES, kjo kthesë që kërkon momenti historik, as që mund të ndodhë. Por, si do të „krijohet“ KOLOSI I MENDJES gjithnjerëzore?! KOLOSI I MENDJES gjithnjerëzore gjendet në mendjen dhe në moralin e miliona njerëzvet, të atyre që e kanë ruajtur shëndetin mendor dhe moralin përkatës progresiv, si dhe në ata njerëz që dëshirojnë të kthehen në rrugën e mbarë. Ç’duhet të bëjnë, në këtë gjysmëshekulli të vështirë, miliona mendjet e thjeshta, por të vetëdijshme se njeriut i duhet një shigjetë shpëtimtare kahjerrëfyese?!

Dikujt mund t‘i duket e çuditshme, por krejt ky proces shndërrimi duhet të fillojë te SEKSI. Një djalë 10, 12 apo 15 vjeç, nuk duhet t’u nënshtrohet lloj-lloj ngasjevet seksuale. Një djalë 10, 12 apo 15 vjeç, duhet t’i gjejë vetes PUNË, në fushën mendore, fizike dhe artistike, në mënyrë që të mos i dalë koha as të mendojë për ngasjet seksuale, le më t’u nënshtrohet gjithfarë abuzimeve. Një vajzë 10, 12 apo 15 vjeçe nuk duhet t’i lejojë vetes kurrsesi ZHVIRGJËRIMIN para se të gjejë një djalë, me të cilin do ta shtyjnë arsyeja dhe ndjenja për të krijuar familje. Një vajzë 10, 12 apo 15 vjeçe duhet t’i gjejë PUNË vetes, në fushën e dijes, në punët fizike, në sportet, në artet dhe në veprimtaritë shoqërore, aq sa të mos i dalë koha për t’u marrë me sfidat që kanë lidhje me seksin.

Një djalë që u afrohet të 25-avet, prioritetin numër një duhet ta ketë KRIJIMIN E FAMILJES. Nuk kanë ç’i duhen një djali 25-vjeçar, as studimet, as karriera politike, sportive apo artistike, as grumbullimi i pasurisë, para FAMILJES! Një djalë 25-vjeçar duhet të krijojë familjen dhe, mbas kësaj, në harmoni me bashkëshorten, t’i realizojë edhe studimet, edhe cilëndo karrierë që ai e quan të nevojshme dhe të arritshme.

Një vajzë që u afrohet të 20-avet, prioritetin numër një duhet ta ketë KRIJIMIN E FAMILJES. Nuk kanë ç’i duhen një vajze 20-vjeçare ëndrrat e tjera, para ëndrrës për të gjetur një bashkëshort të mirë dhe për t’u bërë NËNË me atë bashkëshort. Vetëm mbasi ta ketë realizuar këtë synim thelbërisht jetësor, fare thjesht dhe pa shumë “filozofi”, gruaja mund dhe duhet të mendojë dhe të veprojë, në bashkërendim me bashkëshortin, edhe për shkencë, edhe për arte, edhe për sporte, edhe për angazhim në politikë.

Filozofimet“ që martesa dhe fëmija t’i lidhin duar e këmbë për të bërë karrierë, janë  thjesht llafe të paaftësh. Të tillët, edhe pa fëmijë e pa familje, i kanë duar e këmbë të lidhura.

Asgjë nuk është e pamundur. Njerëzit e kthjellët mendërisht dhe të mirëpozicionuar moralisht, janë në gjendje t’i arrijnë që të gjitha, sidomos sot, kur mjetet për të realizuar një jetesë modeste nuk i mungojnë asnjë njeriu. Them, jetesë modeste! Jo jetë me surullahe e me pretendime fantazistësh!

Në këtë mënyrë, njerëzit e thjeshtë, të kthjellët dhe modestë, siç i takon të jetë një qenieje të gjallë e TË PËRKOHSHME, nuk do të merren, nuk do t’u duhet të merren, as me seks jashtë marteset, as me homoseks, as me konsum droge, as me kumar e baste dhe as me të kaluar kot qoftë edhe të një ore të jetës së vet. E gjithë jeta e njeriut duhet të jetë e mbushur me punë të mira!

Njeriut të thjeshtë nuk duhet t’i hyjë në punë, as përvetësimi me çfarëdo mënyre e pasurisë së të tjerëvet, as dredhia, as intriga, as shpifja, as grumbullimi i babëzitur i paravet, për t’i harxhuar ato para s’di se ku. Një njeri i këtillë, i thjeshtë, nuk do të harrojë që i ka një palë prindër, të cilëvet duhet t’u gjendet afër në radhë të parë shpirtërisht, por edhe materialisht. Dhe një njeri i këtillë i thjeshtë, nuk do të harrojë që detyra e parë e tija është jo thjesht të rrisë një fëmijë, por të rrisë një fëmijë PA VESE! Një nënë e mençur ka thënë dikur për fëmijën e vet: S’po m’vjen keq se po më vdes, keq po m’vjen se po m’merr ves!

Synimi të jetë: Një fëmijë i edukuar në radhë të parë me PUNË dhe, rrjedhimisht, me një arsye dhe me një moral të denjë për të mos i përdhosur paraardhësit! A është e lehtë kjo mënyrë jetese? Jo! Por njeriut nuk i lejohet t’u largohet punëvet të vështira!

Njeriu i thjeshtë i shekullit XXI duhet që, e pakta një orë në ditë ta kalojë në PUNË KRAHU: në dhe e baltë, në gur, në tekstile, në dru ose në metal. Një orë në ditë PUNË KRAHU! Në mos pastë mundësi tjetër për t’u marrë me PUNË KRAHU, le të dalë e të mbledhë hedhurina e mbeturina, për të pastruar mjedisin ku jeton. Le të hapë kanale me lopatë, që të mos i përmbytet qyteti sa herë bie shi!

Nuk mund të konceptohet më, as të tolerohet, as të lejohet, një jetë njeriu që lind e vdes pa njohur praktikisht asnjë kafshë tjetër, përveç MACES dhe QENIT.

Njeriu i thjeshtë i shekullit XXI ka EDHE një detyrë tepër të rëndësishme për të kryer. Ai duhet TË SHKRUAJË! Dikujt prapë mund t’i duket e çuditshme, por, nëse miliona njerëz, të cilëvet qysh në moshën 5-6-vjeçare, u mësohet shkrimi dhe leximi, nuk do t’i përdorin EFEKTIVISHT shkrimin dhe leximin, atëherë pse u dashka t’i mësohen njeriut këto dy mjeshtri?!

Të shkruarit e të lexuarit në internet, pa i përdorur, EFEKTIVISHT, të shkruarit e të lexuarit NË LETËR, nuk janë të mjaftueshëm.

Njeriu që ka mësuar të shkruajë, qoftë edhe me 4 klasë shkollë, duhet të shkruajë, PËR ARKIVIM, e pakta një faqe letër në ditë, që do të thotë 365 faqe në vit dhe 3650 faqe në 10 vjet. Të gjitha këto t’i depozitojë në arkivin familjar.

Njeriu që ka mësuar të lexojë, qoftë edhe me 4 klasë shkollë, duhet TË LEXOJË, në librin prej letre, ME NËNVIZIME dhe ME SHËNIME ANASH, të paktën 20 faqe në ditë, që do të thotë 7300 faqe në vit dhe 73000 faqe në 10 vjet dhe këtë praktikë TË LEXUARI, dmth., këtë praktikë të pajisuri me dituri, njeriu normal, pa ndonjë defekt të rëndë shqisor apo pa ndonjë sëmundje tjetër të rëndë, duhet ta ndërpresë ditën kur të ndërpresë bukën dhe gjellën, dmth. ditën kur të vdesë.

Kjo është rruga, e cila, me parimin NDRYSHIMET SASIORË SJELLIN NDRYSHIME CILËSORË, në fare pak dhjetëvjetësha, njerëzimit do të mund t’i krijohen KOLOSËT E MENDJES, prej të cilëvet ai e pret SHPËTIMIN. Në mos ardhtë ky NJERI, në mos u krijoftë ky NJERI, jeta mbi planetin Tokë është lemerisht e rrëzikuar!

Për ne shqiptarët është koha e fundit që duhet ta mbledhim veten. Të ORGANIZOHET pjesa e kthjellët e shqiptarvet, t’i dalë zot Gjuhës së vet, Atdheut të vet dhe Kombit të vet në të gjithë aspektet dhe të arrijmë që në adresën tonë të mos mund të përdoren më shprehjet e njohura denigruese dhe poshtëruese.

Tetor-nëntor 2018                                                                 Gjokë Dabaj.


 
Loading...