Rexhep Qosja

Loading...

Çadra si metaforë e kaosit

1.I nderuar Profesor Qosja! Prej afro tre muajsh Shqipërinë e mundon një çadër e ngritur në bulevard, poshtë dritares së Kryeministrit të Shqipërisë. Në pamje të parë shkaku duket absurd: garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat janë një detyrim. Pavarësisht indiferentizmit në opinionin shqiptar, kjo çadër ka alarmuar kancelaritë perëndimore dhe sidomos partnerët evropianë të Shqipërisë. Ju e shikoni shqetësuese çadrën në bulevard?

-E shikoj shqetësuese dhe, në pikëpamje politike, kulturore dhe kombëtare e shikoj shumë dëmtuese atë çadër, atë çadër me të cilën protestohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për zgjedhje që mbahen që njëzet e pesë vjet, për zgjedhje për të cilat Kushtetuta e ligji kërkojnë, obligueshëm, prej shtetit dhe prej të gjitha partive, që të jenë të lira e të ndershme, për zgjedhje për të cilat me Kushtetutë e me ligje janë caktuar procedura, janë siguruar organe politike, shtetërore, kombëtare e ndërkombëtare, që mbikëqyrin mbajtjen e tyre. Dhe, çdo shkelje, çdo cenim i rregullave, i procedurave, i mirëvajtjes ndëshkohet apo duhet të ndëshkohet. E gjithë kjo, siç e kemi parë gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve, nuk do të thotë se nuk ndodhin shkelje e cenime të zgjedhjeve. Dhe, sa mbaj mend unë, gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve ato rregulla e procedura, ato liri e ndershmëri më së shpeshti i ka shkelur e cenuar pikërisht ai që ka shpikur çadrën! Çadra nuk është metaforë e lirisë! Çadra është metaforë e dhunës, metaforë e kaosit! Them kështu sepse me dhunë synohet të prishen zgjedhjet dhe me kaos synohet të ndryshohet vetëdija e votuesve shqiptarë!

Jemi hapësirë e vogël për aq shumë mosmarrëveshje, për aq shumë ballafaqime, për aq shumë mosdurime, për aq shumë urrejtje të ndërsjella. Dhe, haraçin e të gjitha këtyre të zezave e paguajnë jo ata që i bëjnë ato po tjetërkush: i paguan populli, i shpërfilluri nga klasa politike!

2.Ju në një shkrim të pak ditëve më parë i kini quajtur “ultimatume staliniste” thirrjet e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, (në fakt të ish-kryetarit të PD-së Sali Berisha). Duket sikur ka një mospajtim në këtë konstatim: jemi në demokraci dhe sillemi si në diktaturë. Apo jo profesor?

-Jam shumë, shumë i çuditur se si një njeri politik, relativisht i ri, dyzet e dy tre vjeç, kryesisht i shkolluar në kushtet e pluralizmit politik partiak, pjesërisht i shkolluar a i çshkolluar përjashta, ka një mendje aq të shtangur, aq dogmatike si kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka një mentalitet aq të mbetur mbrapa, është aq i tejmbushur me etje pushtetore, është aq i tejmbushur me urrejtje politike ndaj kundërshtarit kryesor! Po them i shkolluar a i çshkolluar sepse neve prej përjashta sot po na vijnë jo vetëm të shkolluar po edhe të çshkolluar, po na vijnë edhe të çshkolluar siç vinin oficerë të shkolluar në Italinë fashiste në kohën e Zogut, që prodhoheshin sipas devizës musoliniane: bona per Albania. Çuditem shumë, shumë, sesi në Shqipëri e në Kosovë prej këtyre të shkolluarve përjashta sipas devizës bona per Albania po na dalin ministra, zëvendësministra, këshilltarë kryetarësh e kryeministrash, drejtorë e kryeredaktorë, anëtarë bordesh, madje edhe gazetarë që me sjelljet e tyre kur e kur ua kalojnë edhe stalinistëve më të përbetuar!

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka shkuar shumë larg, shumë larg me ato ultimatumet e tij staliniste: s’ka dhe s’ka zgjedhje pa qeveri teknike! S’ka dhe s’ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër! Me betejën tonë do ta rrënojmë republikën e vjetër! Askush s’mund ta ndalë dot kauzën e opozitës! E të tjera.

Lufta totale e çadrës

E dëgjuat se çka u premtoi shqiptarëve një natë ai.

-Me luftë totale, tha, do të rrënojmë republikën e vjetër! Fizikisht do ta marrim Shqipërinë!

Kryetari i PD-së i premtoi Shqipërisë, i premtoi popullit shqiptar, luftë totale.

Togfjalëshi politik, dhe luftarak, luftë totale është i njohur në krejt botën qe 74 vjet! Dhe, i tmerron të gjitha shtetet dhe të gjithë ata që ia dinë prejardhjen. Më 23 shkurt të vitit 1943, ndërtuesi i propagandës naziste, hitleriane, Gebelsi, kishte mbledhur disa dhjeta mia gjermane, intelektualë, oficerë e të tjerë, në një sallë të madhe dhe u kishte premtuar, pas disfatës në Stalingrad, ku feldmareshali Fridrih von Paulus kishte kapitulluar me armatën e tij, se Gjermania do të fillojë luftën totale, e cila, duke qenë luftë totale, s’ka se si të mos sjellë fitoren!

E kryetari i PD-së, 74 vjet më vonë, pas Gebelsit, na premtoi se me luftë totale do ta çlirojë Shqipërinë prej demokracisë, prej reformës së drejtësisë, prej vetingut, prej orientimit të saj evropian!

Porsi atë fjalinë famëkeqe me të cilën e shënoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën si rrezik për rajonin, edhe fjalinë tjetër të Lulzim Bashës Me luftë totale do ta rrënojmë republikën e vjetër pas shqiptimit të dytrihershëm ia hoqën prej repertorit ata që nuk e kanë mendjen të histerizuar si ai.

Nuk mund ta di a e futi Lulzim Basha në përdorimin e tij kërcënues togfjalëshin skëterror luftë totale nga mosdija apo me qëllim, por e di: një parti politike që udhëhiqet prej një njeriu me mendje aq të turbulluar, aq të dogmatizuar, siç tregohet Lulzim Basha në çadër, e rrezikon shumë veten në të gjitha pikëpamjet, e rrezikon shtetin në të cilin vepron dhe e rrezikon popullin prej pjesëtarëve të të cilit është i përbërë ai shtet. E misioni kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, në të vërtetë i përfaqësuesve të saj, nuk duhet të mbesin as katastrofa e vitit 1997, as grushteti i dështuar në shtator të vitit 1998, as tragjedia e Gërdecit, as vrasja e protestuesve më 21 janar 2011, as shkeljet jo dhe të rralla të Kushtetutës e të ligjeve, po ndërtimi demokratik i Shqipërisë. Ajo, PD-ja ka anëtarë, ajo ka veprimtarë, ajo ka mendje të shquara, por ata i ka shpërfillur ish-kryetari i saj Sali Berisha ditën që e ka emëruar Lulzim Bashën kryetar të saj! Për të gjitha këto arsye është e rëndësishme për vetë PD-në, që është parti historike në politikën shqiptare, është e rëndësishme për Shqipërinë, që PD-ja të bëjë ndryshim në organizimin e saj e në veprimtaritë e saj, e për t’i bërë këto ajo duhet të lirohet prej fatamorganave të dy kryetarëve të saj, Sali Berishës e Lulzim Bashës.

Dua të shpresoj se zyrtari i lartë diplomatik amerikan Hoit Brajan Ji do të arrijë që kryetari PD-së Lulzim Basha të heqë dorë prej “luftës totale” dhe prej fatamorganës së quajtur “republika e re” e cila si tha ai me 13 maj “do të marrë me të gjitha mënyrat fatet e vendit nëse Rama nuk tërhiqet” dhe më në fund do pranojë zgjedhjet e 18 qershorit 2017.

Fatamorganat e tyre

3.Kryetari real i PD-së, Sali Berisha, kohët e fundit e ka përsëritur shpesh një term të huazuar nga ju. E kam fjalën për vitin 1997, të cilin ju e keni konsideruar “një vit të revolucionit të vonuar demokratik”. Për “revolucion demokratik” çuditërisht flet dhe Berisha aktualisht. A ju shqetëson ky huazim që ka bërë Berisha dhe a është realisht momenti për të bërë “revolucion demokratik” me 50 mënyra, sikurse shprehet ish-kryetari i PD-së.

-Në vitin 1997 populli ishte ngritur kundër pushtetit despotik të Sali Berishës dhe të kastës së tij politike. Bazat e një vargu të këqijash në politikë e në shoqëri në Shqipëri do të vihen në atë kohë, kurse sot po bëhen përpjekje prej Qeverisë për mënjanimin e tyre. Unë atë ngritje të popullit e kam quajtur revolucion i vonuar demokratik dhe e quajta kështu – i vonuar sepse kam menduar se ndërtimi i shëndoshë demokratik i Shqipërisë do të duhej të kishte filluar në vitet 1991-1992. Sigurisht me kërkesën e njerëzve të Partisë Demokratike do të shkruhen shumë artikuj kundër meje, në të cilët në mënyrë staliniste shpjegohej togfjalëshi revolucion i vonuar demokratik, kurse unë etiketohesha enverist, stalinist, antidemokrat, armik. Ndër ata që shkruanin kështu kundër meje sigurisht kishte të tillë që nuk i kishin dëgjuar togfjalëshat e përdorur në ish vendet komuniste kur atje ishin bërë ato lëvizjet popullore që kishin përmbysur komunizmin: nuk i kishin dëgjuar togfjalëshat revolucion demokratik, revolucion paqësor, revolucion i mëndafshtë, revolucioni i kadifenjtë. E të tjerë. Unë përkraha një lëvizje popullore, që doja të ishte paqësore, revolucion demokratik, që do ta çlironte Shqipërinë prej despotizmit të Sali Berishës me shokët e me kastën e tij politike, kurse Sali Berisha sot flet për një revolucion që do të përmbysë demokracinë. Për shkak se në gjuhën e tij fjala revolucion nënkupton dhunën, ai thotë: Edi Rama e kupton vetëm revolucionin, domethënë mund të përmbyset vetëm me dhunë. Meqenëse me të do të përmbyset demokracia, revolucioni i Sali Berishës e i Lulzim Bashës në të vërtetë është kundërrevolucion: kundërrevolucion për një fatamorganë e quajtur “republika e re”.

4.Kryeministri Edi Rama u ka bërë një sërë lëshimesh çadristëve të PD-së, sikurse bëri me tërheqjen nga zgjedhjet vendore në Kavajë… Një gjë të tillë nuk besoj se do ta bënte Sali Berisha. A bëri mirë Edi Rama?

-Sipas mundimit tim, kryeministri Edi Rama bëri mirë me tërheqjen nga zgjedhjet vendore në Kavajë. Krijuesit e Çadrës, në Kavajë synonin të përsërisnin 21 janarin e vitit 2011, por tani, në vend të Sali Berishës e të Lulzim Bashës, dëshironin që vrasës të protestuesve të bëheshin Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj! Megjithatë me tërheqjen e zgjedhjeve në Kavajë, si e tha Johanes Han, u cenua demokracia! Po, u cenua demokracia, por u shmang ajo që u synua nga Sali Berisha e Lulzim Basha.

5.Partia Demokratike vazhdon a të mohojë pjesëmarrjen në zgjedhjet e 18 qershorit, duke këmbëngulur në disa kërkesa thuajse të parealizueshme. Le të supozojmë se PD-ja nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Sa e rrezikon kjo demokracinë shqiptare? A do të ngelet vendi pa opozitën aq të nevojshme?

-Si dëshmon Komisioni Qendror Zgjedhor i Shqipërisë, në zgjedhjet e 18 qershorit 2017 do të marrin pjesë 15 parti. Kjo do të thotë se vendi nuk do të mbetet pa opozitë. Do të ishte mirë për të e për Shqipërinë që PD-ja të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, por të marrë pjesë në zgjedhjet pa fatamorganën e “republikës së re”, që e shpalli Lulzim Basha në çadër! Por, të mos harrojmë se historia e organizimit i quajtur shtet njeh demokraci edhe pa opozitë, madje edhe pa parti. Studiuesit e të ardhmes thonë se do të vijë koha kur nuk do të ketë më parti politike. Demokracinë nuk e garanton vetvetiu opozita, demokracinë e garantojnë Kushtetuta dhe ligjet e shtetit, e garanton shteti i së drejtës. Mospjesëmarrja e PD-së në zgjedhjet e 18 qershorit, prandaj, nuk e rrezikon demokracinë shqiptare. Nuk e thotë kot populli: ai që s’është, ai që s’do të marrë pjesë, pa të bën dhe pa të mundet.

Rroftë Shqipëria, rroftë populli shqiptar, parti do të kemi boll, më tepër se ç’na duhen, me PD-në a pa PD-në!

6.A do të jetë më e mirë Shqipëria pas 18 qershorit?

Dua të shpresoj se Shqipëria do të jetë më e mirë pas 18 qershorit.

Dua të shpresoj se Shqipëria do të jetë Shqipëria që duam e Shqipëria që duhet ta synojmë, mbas reformës së drejtësisë dhe Vetingut, por mbas reformës së drejtësisë dhe Vetingut që do të zbatohen pashmangshëm. Shqipëria do të jetë më e mirë, Shqipëria do të jetë Shqipëria që duam, mbasi të bëhen reformat në të gjitha fushat e jetës sipas standardeve që kërkon Bashkimi Evropian: mbasi të bëhen reformat në fushën e arsimit, ku edhe janë nisur një varg ndryshimesh të rëndësishme, në fushën e shëndetësisë, në fushën e kulturës, në fushën e mbrojtjes së mjedisit, në fushën e të drejtës së pronës intelektuale e në fushat e tjera, të cilat BE-ja ua qet kusht vendeve që synojnë anëtarësim brenda saj.

7.Ndërkohë në Kosovë ka një debat nëse Republika më e re në Ballkan do të ketë ushtrinë e saj. Cili është mendimi juaj për këtë çështje afro 18 vjet pas çlirimit të Kosovës?

-Si çdo shtet, edhe shteti i Kosovës duhet të ketë ushtrinë e vet. Dhe, ushtrinë e vet mund ta krijojë si do vetë, me ligj, me ndryshim a pa ndryshim të Kushtetutës. Dhe, kur do vetë. Ushtrinë e saj Kosova duhet ta krijojë me shumicën e votave të deputetëve në Kuvendin e saj, domethënë pa të drejtën e asnjë grupi të pakicave kombëtare që me votat e veta prej grupi ta suprimojë vullnetin e shumicës e kjo domethënë ta suprimojë demokracinë. Shtetet që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, me faktin pse e kanë njohur, nuk kanë të drejtë as juridike, as demokratike e as etike t’i vënë kushte se si do ta krijojë ushtrinë e saj.

Shkatërrimi i sistemit të vlerave

8.Prej më shumë se dy vjetësh Kosova bashkëqeverisej nga dy parti në dukje opozitare me njëra-tjetrën, sikurse janë LDK dhe PDK. A ishte normale që Kosova të vazhdonte të qeverisej nga një koalicion i tillë?

-Jo, nuk ishte normale. Dhe, nuk ishte normale që Kosova të sundohej siç po sundohej prej një koalicioni që e përbënte edhe një parti që me të gjitha mjetet jo vetëm politike ishte kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej së cilës është krijuar PDK-ja. Dhe, ky mospajtim, në të vërtetë kjo kundërshti thelbësore midis tyre në kohë të luftës, kohë pas kohe shfaqej edhe gjatë qeverisjes së koalicionit deri tash. Marrëdhëniet midis tyre ishin tepër të papastra për të qëndruar aq gjatë bashkë dhe është e habitshme si qëndruan deri tash. LDK-ja gjatë i ka furnizuar ndërkombëtarët me dosje plot shpifje kundër komandantëve dhe, në përgjithësi, kundër UÇK-së dhe formimi i Gjykatës speciale është rrjedhojë sidomos e këtyre dosjeve. Nganjëherë këtë punë të pistë, njerëz të saj, gazeta e portale të saj, e bëjnë edhe sot! E dëgjuat një ditë kryeministrin e Kosovës, kur Ramush Haradinajt, pak para se të arrestohej në Francë, ia përmendi Liqenin e Radoniqit:

-Ramushi me këtë rast paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: “Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestojë Isa Mustafën”…ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të “popullit”!

Meqenëse marrëdhëniet e ndërsjella të këtyre dy partive ishin siç ishin para luftës e gjatë luftës, nuk është e çuditshme pse marrëdhëniet e tyre të sotme dhe sundimi i tyre i sotëm ishte i padurueshëm, shumë. Në të gjitha pikëpamjet. Të gjitha këto dhe disa shkaqe të tjera, bënë që kjo qeveri më në fund të përmbyset dhe të çohet në plehun e historisë.

Por, shkaku kryesor për përmbysjen e kësaj qeverie ishin dy mosmarrëveshjet në thelb kundërkombëtare të nënshkruara para dy vjetësh, të cilat Kuvendi i Kosovës nuk i pranoi. Njërën prej tyre e quajti të paligjshme Gjykata Kushtetuese. Qeveria prandaj ishte e paligjshme qe dy vjet.

9.Si e shihni gjendjen e përgjithshme në Kosovë sot, profesor?

-Ajo që më së pari bie në sy dhe ndihet në politikë, në Kosovë, sot është mungesa e sistemit të vlerave! Në të vërtetë në Kosovë është rrënuar çdo sistem vlerash. Të drejtën e sundon padrejtësia! Të vërtetën e sundon gënjeshtra! Sinqeritetin e sundon mashtrimi! Besën e sundon pabesia! Ndershmërinë e sundon prishësia! Parimësinë e sundon leverdia! Përgjegjshmërinë e sundon paskrupullësia! Të moralshmen e sundon dhe e sfidon paturpësia. E të tjera! Në Kosovë sikur po legalizohet një i ashtuquajturi racizëm social: shpërfillja e të varfërve, shkelja e të drejtave të punëtorëve prej punëdhënësve privatë, kurse në sektorin shoqëror shfrytëzimi i punëtorëve të varfër prej disa punëdhënësve privatë, pasiguria e përgjithshme e tyre – e të varfërve, e të shpërfillurve, shpunësimi i lehtë, i paarsyeshëm i atyre të paktëve që janë punësuar!

Kosova është institucionalisht e bllokuar prej egoizmit të kastës sunduese, e cila përfaqëson veten, interesat e veta e jo popullin.

Sa lojën, sa komedinë, sa tragjikomedinë e luajnë sot në Kosovë oligarkët politikë shpesh në bashkëpunim me oligarkë financiarë! Sa hajnin, sa horrin, sa mashtruesin, sa zhvatësin, sa falsifikatorin, sa rrogëtarin e sa të padinjitetshmin e të padinjitetshmen i kanë ngritur ata në partitë e tyre, në pushtetin e tyre dhe në diplomacinë e tyre të quajtur diplomaci e Kosovës! Njëri prej këtyre sundimtarëve të kastës politike – kryeministri kishte krijuar shtabin e tij me të cilin i përndiqte, i përgojonte, bënte çmos që t’i komprometonte intelektualët e opozitarët e tjerë, partiakë, që merrnin guximin ta kritikonin. A keni dëgjuar dhe a e keni parë ç’thonë e ç’bëjnë kundër disa intelektualëve abrashët e rrogëtarët e tij, nënministrat, këshilltarët, zëdhënësit e tij, të cilët për dy ditë nënshkruajnë dyzet kontrata ryshfet!

Në Kosovë është legalizuar nepotizmi si mbeturinë shumë e dëmshme e primitivizmit!

Në Kosovë korrupsioni është bërë sistem!

Korrupsioni ka privatizuar gjyqësorin! Në të vërtetë nepotizmi ka privatizuar Kosovën, ka zhvlerësuar e përvetësuar pasurinë e saj materiale, ka zhvlerësuar e fyer pasurinë e saj shpirtërore dhe të merituarit e saj.

Profiti ka shkretuar shpirtin e njerëzve politikë e njerëzit e politikës po shkretojnë Kosovën!

Gjithë këto të këqija në Kosovë e kanë dëmtuar fort kontekstin e kulturës dhe të qytetërimit! Asnjëherë kultura, krijimtaria shkencore dhe ajo artistike nuk janë shpërfillur e nuk janë fyer sa sot, fyer në shumë mënyra, prej kësaj politike. Është krijuar përshtypja se kasta politike e shpërfill, e fyen kulturën, e shpërfill krijimtarinë shkencore e artistike sepse e shqetësojnë meritat kombëtare të krijuesve të shquar të tyre.

10.Nuk janë të paktë ata që mendojnë se “çadra” në bulevard komandohet nga një dorë që komandon fijet për destabilizim jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoni. A mendoni edhe Ju se ekziston një skenar i tillë, domethënë një skenar antishqiptar?

-Si intelektual që merret me trajtimin e njëmendësisë dhe të dukurive të saj politike, shoqërore, kulturore, unë nuk mund të di për ato që bëhen fshehurazi, domethënë unë nuk mund të di nëse ekziston a jo farë skenari i sigurimeve antishqiptare. Por, unë e di se këto që po ndodhin sot në Shqipëri me të madhe u përgjigjen interesave kundërshqiptare të disa shteteve dhe të disa qarqeve politike në Evropë dhe në Ballkan. E kjo do të thotë se dikush, nga jashtë, është fortë i interesuar për farë tollovie të përgjakshme në Shqipëri e në Kosovë. E Shqipëria sot është më e plagosshme se Kosova – në Kosovë është Bonstilli.

11.Parlamenti maqedonas u përgjak ditë më parë, ndërsa një shqiptar u zgjodh kryetar parlamenti. E konsideroni këtë një zhvillim pozitiv apo negativ?

-Mendoj se kriza në Maqedoni, që disa po e quajnë vetëm politike, nuk është vetëm politike, është dhe etnike – maqedonaso-shqiptare, është qetësuar momentalisht, por nuk është zgjidhur. Kur dhe në ç’mënyra krejt do të shpërthejë rishtazi kjo krizë unë nuk mund ta di.

Marksi gjenial dhe armiqtë e tij mediokër

12.Papritmas ditët e fundit u hap dhe një debat për Karl Marksin. Prof. Fatos Tarifa bëri një shkrim të veçantë për këtë temë. A mund ta konsiderojmë atë, pra, Marksin, një mendimtar e ekonomist fare të parëndësishëm si u tha, gati një mediokritet, dhe një fatkeqësi që i ra Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX?

-Karl Marksin mund ta zhvlerësojnë si mediokritet vetëm mediokritetet. Profesor Fatos Tarifa e botoi një shkrim me mjaft të dhëna, me mjaft shpjegime e me vlerësime, që e dëshmojnë rëndësinë mendore dhe rëndësinë humane të veprës së Karl Marksit. Gjykimeve të tij historiko – letrare për veprën letrare të autorit që e nxiti debatin për Marksin u mungon, ndërkaq, karakteri shkencor. E ato ishin pak fjali. Nuk merret parasysh në ato gjykime se vetëm historia do ta tregojë nëse do t’u shpëtojë pjesa më e madhe e veprave të atij që i shqiptoi ato naivitete për Marksin, kushtëzimeve politike e ideologjike staliniste të cilave u ka shërbyer aq shumë ai.

Marksi ka krijuar teori të re për zhvillimin historik të njerëzimit, teori të re për zhvillimin shoqëror, teori të re për zhvillimin e kapitalizmit. Teori të reja nuk krijojnë mediokritetet po gjenitë. Gjykimet e tij për kapitalin po i dëshmon edhe koha jonë. Karl Marksi jo vetëm në një vit është zgjedhur njeriu i shekullit në Britaninë e Madhe. Mendimet e Marksit e kanë lëvizur historinë botërore, prandaj shumë nga krijuesit dhe intelektualët më të mëdhenj botërorë ishin ithtarë të tij, apo adhurues të tij. Mjerisht Marksi dhe marksizmi janë shtrembëruar dhe janë keqpërdorur prej ithtarëve të tij në një varg vendesh komuniste. Nuk e ka thënë rastësisht, prandaj, ai vetë, pra Marksi, se kurrsesi nuk do të pranonte të ishte anëtar i ndonjë partie marksiste!

Zgjatimet komuniste në filma dhe zgjatimet staliniste në letërsi

  1. Tani, i nderuar profesor, po ju bëj një pyetje që duket jashtë kontekstit, por unë mendoj se është një vijimësi e natyrshme për çështjet që biseduam, pasi mendoj se duket si e fabrikuar në çadrën e bulevardit. Është hapur një debat, madje ka dhe një nismë zyrtare për ndalimin e filmave të prodhuar në kohën e diktaturës. Në fakt, thuajse e gjithë trashëgimia jonë filmike përmblidhet në krijimtarinë e asaj periudhe. Dua të di vlerësimin tuaj për ata filma dhe për këtë nismë?

 

-Pavarësisht prej kohës kur bëhet, pavarësisht në çfarë kontekstesh politike, ideologjike, shoqërore, kulturore, fetare, shtetërore bëhet, pavarësisht prej nivelit a statusit shoqëror të atyre që e bëjnë, censura është institucion famëkeq, prandaj edhe komprometues për ata që e bëjnë, për politikën, ideologjinë, kulturën, shtetin që e bëjnë! Sipas bindjes sime, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u është dashur aspak, bash aspak, nisma për ndalimin e një numri të filmave, kurse të shfaqjes me shpjegime të veçanta i një numri tjetër të filmave të krijuar në kohën e komunizmit.

Nisma për ndalimin, në të vërtetë për censurimin e tillë të filmave është një nismë, që mbështetet në zhvlerësime kryekëput politike e ideologjike të filmave të asaj kohe. Për ta thuhet se janë “zgjatime të natyrshme të ideologjisë komuniste”, që përbëjnë “një provokim të rëndë për një pjesë të popullit tonë dhe, në përgjithësi, për higjienën mendore e shpirtërore të çdo qytetari normal”! Normal!!!

Kjo nismë për ndalimin, në të vërtetë për censurimin e tillë të filmave, siç e ka vërejtur Moikom Zeqo, megjithatë, godet dhe letërsinë, krijimtarinë artistike dhe krijimtarinë shkencore në gjuhën shqipe në përgjithësi në Shqipëri dhe në Kosovë. Filmi është art, art i popullarizuar, por arte janë edhe letërsia, edhe muzika, edhe piktura po aq të popullarizuara. Ajo që nismëtarët e censurës së filmave e thonë për filmat, prandaj, mund të thuhet edhe për artet e tjera, sidomos, për letërsinë dhe muzikën, rrjedhimisht do të mund të dilte, prandaj, edhe kërkesa për ndalimin e tyre, sikundër për filmat.

Ajo që ata nismëtarë e thanë për filmat, që s’e kanë thënë, por do të mund ta thoshin edhe për letërsinë e muzikën, mund të thuhet edhe për shumë vepra nga fusha e shkencave shoqërore të krijuara në kohën e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë.

Përkrahje të veçantë nismës për ndalimin e disa filmave dhe censurimin e veçantë të disa të tjerëve, i dhanë edhe disa krijues të njohur, e mes tyre edhe të tillë, veprat e të cilëve janë skenarizuar dhe filmuar asokohe. Njëri ndër ta, përpos të tjerash, tha:

“Në filmat tonë nuk kishte humanizëm, nuk kishte histori dashurie, por kishte egërsi (…)!”

Ç’është e vërteta në ata filma kishte edhe humanizëm edhe histori dashurie.

“Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e patolerueshme, tha më tej ai, që spektatori shqiptar t’i shohë ata filma, ku ka personazhe, fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit…!”

Të gjitha ato që thanë për filmat e kohës së komunizmit ata që e dhanë nismën për ndalimin e censurimin e tyre, dhe të gjitha ato që thanë për filmat ata që e përkrahën nismën për ndalimin dhe censurimin e tyre, dhe të gjitha ato që tha ai dy fjali të të cilit u cituan më lart mund të thuhen edhe për një varg vjershash, poemash, tregimesh, romanesh, dramash, sprovash, letrare dhe trajtesash, studimesh, monografish shkencore të shkruara shqip në atë kohë.

Ç’është romani Dimri i madh? Pa dyshim “zgjatim i natyrshëm i komunizmit”, në të vërtetë “zgjatim i natyrshëm i stalinizmit”! Ç’është romani Dasma? Pa dyshim zgjatim i natyrshëm i maoizmit, domethënë i politikës dhe ideologjisë së revolucionit kulturor kinez!

Ç’janë edhe disa romane të tjera, disa tregime, disa vjersha e poema dhe disa sprova e artikuj publicistikë të këtij autori e të disa autorëve të tjerë? Zgjatime të politikës dhe të ideologjisë staliniste, zgjatime me të cilat glorifikohet lufta e klasave, roli i proletariatit në botë, socializmi stalinist dhe mohohen rendet politiko-shoqërore, ekonomike dhe kulturore borgjeze, domethënë perëndimore, duke përfshirë këtu edhe letërsinë moderne dhe në përgjithësi artet moderne!

Ndalimi dhe censura e filmave të krijuar në kohën e komunizmit, që predikojnë autorët e nismës, objektivisht cenon rëndë kështu edhe një pjesë të krijimtarisë të një vargu krijuesish të tjerë letrarë, artistikë e shkencorë.

E kjo do të thotë ndryshim i historisë, shfytyrim i saj dhe i së vërtetës. A mund të fshihen historia dhe e vërteta? Unë them: jo dhe jo.

14.Këtë nismë për ndalimin e filmave, Artisti i Popullit Piro Milkani, por edhe të tjerë artistë të mëdhenj si Reshat Arbana, Luftar Paja etj., e kanë quajtur një nismë gebelsiane. A nuk duket se ka teprim në këtë etiketim të nismës? Në fund të fundit, duhet ta ruajmë apo ta zhdukim këtë trashëgimi që aktualisht e kemi?

-Jam kundër çdo ndalimi të veprave artistike e shkencore. Jam kundër çdo censure ndaj veprave artistike dhe shkencore. Çdo periudhë, çdo epokë, çdo kohë historike ka artet e veta dhe shkencat e veta, me të arriturat, me vlerat dhe me të metat e tyre. E ato të meta mund të jenë artistike kur është fjala për artet dhe shkencore kur është fjala për shkencat. Por ato të meta mund të jenë të shkaktuara prej dhuntisë së paktë të krijuesit, prej kufizimeve politike, ideologjike, partiake, fetare, e kufizimeve të tjera dhe kjo domethënë prej përkatësive të ndryshme të krijuesve të tyre.

Ato, të gjitha, me të mirat dhe të metat e tyre, me vlerat dhe kufizimet e tyre janë dëshmi artistike dhe shkencore dhe kulturore dhe dokumentare e asaj periudhe, asaj epoke, asaj kohe. T’i ndalosh, t’i censurosh domethënë të ndalosh, të censurosh, të paragjykosh, të thjeshtësosh, të varfërosh të kaluarën tënde, traditën tënde, kulturën tënde!

Pas përimtimeve të përgjithshme shkencore, kulturore, qytetëruese të përvojave të veta të hidhura të shekujve të shkuar para dhe pas Inkuizicionit, Evropa dhe Amerika kanë hequr dorë prej mohimit e ndëshkimit të heretikëve dhe të heretizmit. Para pak ditësh lexova se vepra e Hitlerit Lufta ime, që përfaqëson Manifestin e politikës dhe ideologjisë së tij naziste, raciste, antisemite, që ka prodhuar tragjedinë e madhe të quajtur Lufta e Dytë Botërore, është botuar e ribotuar katër herë gjatë vitit 2016 në Gjermani. Në qoftë se nuk gabohem ajo u botua edhe në Shqipëri. E ne, e një numër i intelektualëve tanë, një numër i shkrimtarëve tanë, ç’bëjnë e ç’kërkojnë? Nuk kërkojnë të ndalohet vepra e Hitlerit, po kërkojnë të ndalohen e të censurohen filmat tonë sepse na qenkan zgjatime të komunizmit,sepse në ndonjërin prej tyre paska fëmijë që spiunojnë në “favor të regjimit”, se, po të spiunonin në favor të armiqve të regjimit, nuk do të duhej të ndaloheshin!

Paragjykimet e ndryshme, leverditë e ndryshme, mosdurimet e ndryshme na bëjnë sot të harrojmë se në atë kohë kur janë krijuar filmat që disa censorë kërkojnë të ndalohen e të censurohen janë krijuar edhe filma me vlerë artistike edhe filma të dobët, janë krijuar vepra letrare me vlerë artistike dhe me vlera modeste, a pa farë vlere, janë krijuar vepra shkencore me rëndësi të madhe shkencore dhe pa vlera shkencore.

Në atë kohë, në kushte të diktaturës, disa nga krijuesit e kanë pasur shumë vështirë, kanë vuajtur dhe janë rrezikuar. Por, kanë krijuar dhe ne duhet të kemi nderim për ta e për krijimtarinë e tyre.

Krijuesit e djeshëm ende të paarritshëm sot

Ne duhet të pyesim veten dhe njëri-tjetrin sot: pse edhe njëzet e shtatë vjet pas rënies së komunizmit romanet më të mira, dhe poezitë më të mira, dhe tregimet më të mira në gjuhën shqipe, janë romane, poezi dhe tregime që u shkruan e u botuan në atë kohë.

Ne duhet të pyesim veten dhe njëri-tjetrin sot: pse trajtesat, studimet, monografitë më të mira, më të rëndësishme shkencore mbi gjuhën shqipe, mbi historinë shqiptare, mbi kulturën shqiptare, mbi letërsinë popullore shqipe, mbi etnografinë shqiptare, mbi muzikën shqiptare, mbi kulturën popullore shqiptare në përgjithësi u shkruan në atë kohë, që po e dënojnë sot siç po e dënojnë edhe disa që ishin idhuj shumë të privilegjuar të pushtetit të asaj kohe?

Ne duhet të pyesim veten dhe të pyesim njëri-tjetrin sot: pse edhe njëzet e shtatë vjet pas rënies së komunizmit regjisorët tanë më të mirë janë Dhimitër Anagnosti, Piro Milkani, Xhanfize Keko, Kristaq Dhamo, Mevlan Shanaj, Viktor Gjika, Mihallaq Luarasi, Saimir Kumbaro, e të tjerë, kurse aktoret më të çmuara e aktorët më të çmuar, unë them të gjithmonshëm e të gjithmonshme, në historinë e kinematografisë dhe të kulturës shqiptare janë: Robert Ndrenika, Prokop Mima, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Ndrekë Luca, Margarita Xhepa, Timo Floko, Tinka Kurti, Rikard Larja, Roza Anagnosti, Edi Luarasi, Violeta Manushi, Reshat Arbana, Luftar Paja, Mirush Kabashi, Mevlan Shanaj. E të tjerë, e të tjerë. Të më ndjejnë edhe shumë të tjerë që s’po ua përmend emrat.

Ata janë bërë regjisorë të çmuar sepse kanë bërë regji edhe të filmave me vlera artistike, sepse kanë bërë regji edhe të filmave me rëndësi estetike, kuptimore dhe etike në kushte shumë kufizuese për lirinë krijuese.

Ata janë bërë aktorë të çmuar dhe ato janë bërë aktore të çmuara sepse kanë interpretuar me dhunti të veçantë role në filma të vlefshëm, artistikisht dhe historikisht të rëndësishëm, në kushte shumë kufizuese edhe për ta e për to.

Ne duhet të pyesim veten dhe njëri-tjetrin sot pse edhe njëzet e shtatë vjet pas rëniesë së komunizmit nuk kemi shkrimtarë me dhuntinë e dëshmuar dhe me rëndësinë artistike e historike të veprës së tyre siç janë Petro Marko, Jakov Xoxa, Dritëro Agolli, Ismail Kadare e mandej Sterjo Spase, Sabri Godo, Qamil Buxheli, Fatos Arapi, Vath Koreshi, Skënder Drini, Vedat Kokona, Dhimitër Xhuvani, Fatos Kongoli, Frederik Reshpja, Ndoc Gjetja, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Anton Papleka, Zija Çela…

Ne duhet të pyesim veten dhe njëri tjetrin sot: pse edhe njëzet e shtatë vjet pas rënies së komunizmit nuk kemi studiues shkencorë me prestigj shkencor e kulturor kombëtar siç janë Eqrem Çabej, Aleks Buda, Hasan Ceka, Skender Anamali, Luan Omari, Androkli Kostallari, Dhimitër Shuteriqi, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Jup Kastrati, Vehbi Bala, Muzafer Korkuti, Kristo Frashëri, Arben Puto, Stefanaq Pollo, dhe bashkëkohësit e tjerë dhe pasardhësit e mëhershëm a më të vonshëm siç janë, Qemal Haxhihasani, Zihni Sako, Ramadan Sokoli, Rrog Zojzi, Mark Tirtja, Kareman Ulqini, Andromaqi Gjergji, Stefan Prifti, Fatmir Agalliu, Etëhem Lika, Mehmet Çeliku, Kolec Topalli, Seit Mansaku, Enver Hysa, Rami Memushaj, Valter Memisha, Gazmend Shpuza, Zija Xholi, Kristaq Prifti, Selami Pulaha, Petrika Thëngjilli, Selim Islami, Ana Lalaj, Marenglen Verli, Valentina Duka, Jorgo Bulo, Klara Kodra, Floresha Dado, Gjergj Zheji, Alfred Uçi, Nasho Jorgaqi, Moikom Zeqo, Ali Xhiku, Neritan Ceka, Jorgji Gjinari, Anastas Dodi, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Mehmet Çeliku, Gjovalin Shkurtaj, Remzi Përnaska, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Romeo Gurakuqi, Afërdita Onuzi, Ramazan Bogdani, Vasil Tole. Të më ndjejnë edhe shumë të tjerë që s’po ua përmend emrat – edhe shumë autorë të veprave artistike figurative dhe muzikore.

Hiqni veprat e këtyre studiuesve dhe të këtyre artistëve, hiqni veprimtarinë e tyre arsimore, kulturore, kombëtare dhe shihni çka do të mbetet!

Kur të përgjigjemi drejt, ndershëm, pa paragjykime, pa koniunkturizëm kombëtar e ndërkombëtar në këto pyetje, ne do të heqim dorë prej famëkeqes së quajtur censurë, prandaj edhe prej ndërmarrjeve që varfërojnë kulturën tonë, trashëgiminë tonë dhe dëshmitë artistike e shkencore të identitetit dhe të qenies sonë.

Dhe do të sillemi siç sillen popujt me tradita të mëdha kulturore ndaj arteve e shkencave të tyre: siç sillen gjermanët që s’mendojnë të ndalojnë a të censurojnë dokumentarët e Leni Rifenshtalit, apo ish sovjetikët që nuk ndalojnë a censurojnë filmat e Sergej Ajzenshtajnit, Dziga Vertovit, Vselovod Pudovkinit e romanet e Shollohovit, të Pasternakut, të Leonovit, të Fadejevit e të tjerëve.

Ne s’guxojmë të harrojmë se aty ku kërkohet dhe zbatohet censura, aty shpesh kërkohet dhe zbatohet dhuna. Jo rastësisht në pjesën më të madhe të deklaratave politike të kryetarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë sot shprehet dhunë – dhunë politike dhe dhunë e përgjithshme! Dhunë që ushqehet edhe nga këto e veprime të ngjashme si këto.

Jo rastësisht një numër mediesh në Shqipëri dhe në Kosovë, si mjete të blera, të shantazhuara a të frikësuara prej partive, ushtrojnë dhunë jo vetëm politike! Jo rastësisht edhe disa individë – gazetarë e gazetare e të tjerë predikojnë dhunë.

Publicisti që kërkoi të ushtrohet dhunë, të bëhet atentat ndaj ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vllahutin, në të vërtetë ishte zbatues i fyerjeve dhe dhunës retorike që ndaj kësaj diplomateje dhe jo vetëm ndaj saj më parë në të vërtetë ishte bërë në çadër prej kryetarëve të PD-së?

E ç’bëjmë ne? Ç’bëjnë intelektualët tanë? Ç’bëjnë krijuesit tanë? Ç’bëjnë intelektualët që dikur quheshin koka e popullit? Herët më të shpeshta ose heshtin ose bëjnë çka u bë në letrën me të cilën u mbrojt ambasadorja Romana Vllahutin, u mbrojt prej sulmit të individit, publicist, që vetëm mund të flasë e nuk mund të bëjë asgjë sepse nuk ka farë pushteti, por nuk u mbrojt prej sulmeve të atyre që e sulmuan, e fyen të parët, nuk u mbrojt prej sulmeve të atyre që ishin faktorë kryesorë që nxitën atentat ndaj saj, nuk u mbrojt prej kryedhunëtarëve politikë në jetën politike e shoqërore sot në Shqipëri, me ndikim edhe në Kosovë! Të këtilla ishin dhe vazhdojnë të jenë mbrojtjet e një numri të intelektualëve tanë: mbrojtje të servilëve që puthin duar të pushtetarëve e damkosin e denoncojnë shërbyesit e tyre politikë!

Intervistoi Xhevdet Shehu, Gazeta Dita, Tirane, 14.5.2017.


 
Loading...