Elvis Hoxha

Që Kosova është kthyer në objekt të shpejtë pazaresh, që kushtetutshmëria e saj është më e dyshuar se kurrë, këtë e dëshmojnë fare qartë tri pikat e nënvizuara prej Besnik Pulës ne tekstin më poshtë:

Loading...

Disa pyetje serioze kësaj radhe (vërejtje: postimi është i gjatë). Lexova dokumentin që e ka përgatitur PSD-ja, për krijimin e “Delegacionit Shtetëror” në negociata me Serbinë. Po i lëjmë anash për një moment pohimet e spekulimet për motivacionet e synimet politike të këtij grupi e të të tjerëve në këtë mes. Disa hamendësime i kam rreth kësaj në rrafsh kushtetues dhe juridik. (Po i ndaj sa për bisedë, sepse nuk besoj se këto marrin përgjigje këtu në Facebook.)

1) Si mundet Kuvendi i Kosovës të formojë delegacion SHTETËROR për bisedime me Serbinë? Kushtetueshmërisht, Shteti është koleksioni, ose bashkimi, i të gjitha institucioneve kushtetuese/politike të vendit, përfshirë Kuvendin, Qeverinë, Presidentin dhe Gjykatat dhe sistemin juridik. Pra, Kuvendi vetëvetiu nuk e përfaqëson SHTETIN, e as nuk mund të pretendojë një gjë të tillë. Kushtetuta i jep të drejtën Kuvendit ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por këtë e bën si NJË NGA PUSHTETET KUSHTETUESE E POLITIKE të vendit, e jo si organ ekskluziv që e përfaqëson shtetin si të tillë.

E dyta, kushtetetuta e Kosovës, si çdo kushtetutë parlamentare, e ndan Kreun e Qeverisë (Kryeministrin) me mandat politik udhëheqjen e pushtetit ekzekutiv, nga Kreu i Shtetit (Presidenti), me mandat përfaqësimin e unitetit të shtetit. Nëse qëllimi është krijimi i një “Delegacioni Shtetëror”, si është e mundur të krijohet një i tillë (si organ supra-politik) duke anashkaluar Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, të gjithë këta kushtetueshmërisht të autorizuar e të ngarkuar me udhëheqjen e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit, përfshirë negocijimin e marrëveshjeve ndërkombëtare? Kuvendi mund të mandatojë QEVERINË të ndërmarrë masa ose detyra të caktuara, ai nuk mund të mandatojë VETËVETËN duke krijuar organe paralele mandati i së cilave bie ndesh me parimet dhe rolet elementare institucionale të përcaktuara nga kushtetuta!

E them këtë thjesht nga një pikëpamje ligjore/kushtetuese. Sepse e dimë se Kuvendi i Kosovës mund ta emërtojë delegacionin si të dojë, sepse bashkëbiseduesi përcaktohet nga Kushtetuta. Për më tepër, nëse Mogherini vazhdon ta ftojë Presidentin e Kosovës në takime me Presidentin e Serbisë për të vazhduar bisedimet që i kanë filluar, PSD-ja me Ramushin mund të formojnë delegacione sot e gjithë ditën dhe nuk do të mund ta anashkalojnë Thaçin. (Megjithëse, ky mund të mos jetë fare synimi i vërtetë, dhe pretendimi i këtij të fundit se tash e pas “kam mbështetjen edhe të opozitës për bisedime” vetëm sa do ta përforcojë atë politikisht.)

2) Nëse “Delegacioni Shtetëror” është organ përfaqësues i KUVENDIT të Kosovës, me çfarë të drejte në delegacion futet si “Përfaqësues i Opozitës” (siç kërkohet nga ligji i propozuar i PSD-së) një person i cili NUK ËSHTË DEPUTET (fjala është për Shpend Ahmetin). Me çfarë mandati një person i jashtëm bëhet pjesë e një organi përfaqësues të formuar nga Kuvendi, kur ai nuk është pjesë e Kuvendit? Sipas Kushtetutës, “Opozitë” ligjërisht njihet ai i cili ka mandat deputeti në Kuvend. Pra, DEPUTETI është ai që e përfaqëson opozitën në Kuvend dhe në sytë e ligjit dhe të kushtetutës. Si mundet personi i cili NUK është deputet të trajtohet ligjërisht e kushtetutshmërisht si “përfaqësues i opozitës”, aq më pak si përfaqësues SHTETËROR i Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare, pa asnjë bazë kushtetuese? Aq më tepër kur ky person ligjshmërisht ka vetëm mandatin e një kryetari komune!

3) Kjo nuk është pyetje, kjo është koment: po e marrim vesh të gjithë se këto janë hiç më shumë e as më pak se akrobacione politike me baza seriozisht të kontestueshme juridiko-kushtetuese, me motiv të ndërsjellë të mbijetesës dhe shmangies nga kërkimi i mandatit legjitim përmes zgjedhjeve. Por hajgarja që po bëhet ndërkohë me shtetin e Kosovës, tallja që i bëhet parimeve bazë kushtetuese dhe manipulimi eklatant i vullnetit të shprehur demokratik të qytetarëve, ashtu si zëvendësministrat, rrogat, taksat, e pensionet e Ramushit, janë llogari që do të vijnë e paguhen me kohë.


 
Loading...