Edhe mediat serbe kanë shkruar për kriminelin serb Radomir Laban, i cili në Kosovë ka arritur të bëhet gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.

B92 shkruan se Radomir Laban kishte ikur nga burgu në Serbi pasi që ishte dënuar për korrupsion, ndërsa në Kosovë me dekretimin e presidentin Hashim Thaçi ai është bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese.

Media serbe shkruan se zyra e Thaçit ka publikuar një fotografi ku shfaqet Laban dhe katër gjyqtarët tjerë duke dhënë betimin para Presidentit.

Ndërsa, ka cituar raportimin e Reuters me burim brenda policisë serbe.

“Ai është person i kërkuar nga autoritetet në Beograd. Ka një fletarrest edhe në Interpol dhe poqëse ik nga shteti, emri i tij do të paraqitet në secilin aeroport”, kanë thënë këto burime të Reuters nga qarqe të larta në Policinë e Serbisë.

Laban do të jetë njëri prej nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, duke mbushur një prej vendeve të destinuara për përfaqësimin minoritar.

Laban ishte dënuar në Serbi me gjashtë vite burg për korrupsion si zyrtar i doganave të Serbisë.

Ai ka mbajtur vetëm gjysmën e dënimin gjatë procesit gjyqësore, mes viteve 2006-2009.

Pastaj ishte liruar. Pasi ishte dhënë aktgjykimi, ai ishte thirrur që ta kryej edhe pjesën tjetër të dënimit, por ishte arratisur në Kosovë.