Mos vdis, se pas shirave arën e mbushi bari,

Ka rënë në ullishte mizë e ullirit.

Loading...

Hardhia duhet spërkatur shpejt me gurkali

Dhe ende s’ka dalë nga plisi kercelli i misrit.

Ne endërronim të bënim një anije,

Kurrkush s’e mendonte me ç’dru do ta ngrinim,

Kishim ndërmend ta ndërtonim me degë hardhie

Dhe vela t’i vinim. 

Bodrumet e saj t’i mbushnim me poçe me verë

Dhe të lundronim në ishujt e Havajës;

Ta pinim verën me vajzat e ishujve në Belvedere,

Zezaku të bënte fresk me fletën e palmës.

 

Mos vdis se kalit i ra në vrapim një patkua

Dhe nisi ta ngrejë nga dhimbja këmbën e parë;

Kërkojmë patkonj e s’na jep njeri hua,

S’e gjejmë as nallbanin e marrë.

Ne ëndërronim të shkonim në hipodrome,

në vende të lumtura ku munden me kuaj,

Tani dhe kali calon e s’na ha as barin e njomë;

me sy si gota na sheh si të huaj…

 

Mos vdis, se dielli në oborr e ka shtruar sofrën e madhe

Dhe presim të vijnë vajzat të gjitha,

Të gjitha ato që ti u thoshe “sorkadheve”,

Kur grisnin fustanet në driza.

 

Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë

Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh!

Ne ëndërronim një vdekje më të mirë:

Duke vdekur, fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës…


 
Loading...