“Gënjeshtra nis fluturimin dhe e vërteta e ndjek nga pas duke çaluar” ka shkruar irlandezi Jonathan Swift. Tri shekuj më parë ky pohim ishte hiperbolë, kurse sot përshkruan mirë mediat sociale, nëqse u përmbahesh rezultateve të një hulumtimi ambicioz të botuar nga revista shkencore “Science”. Hulumtimi ka marrë në shqyrtim lajme e rëndësishme më të diskutuara, në anglisht, qysh kur ekziston Twitter – 126000 lajme, të ndara nga 3 milion përdorues në më shumë se 10 vjet – dhe ka zbuluar se e vërteta nuk mund të konkurrojë me gënjeshtrat dhe falsitetet. Në Twitter lajmet false fitojnë gjithmonë ndaj atyre të vërteta, arrijnë më shumë persona, penetrojnë më në thellësi në rrjetet sociale dhe përhapen më me shpejtësi se lajmet e vërteta. “Është e qartë se informacionet false ia kalojnë më mirë se ato të vërteta”, pohon Soroush Vosoughi, analist të dhënash pranë MIT-it që studion fake news qysh nga viti 2013 dhe ka kryer hulumtimin. “Është faji jo vetëm i bot-eve. Mund të ketë të bëjë diçka me natyrën njerëzore”. Hulumtimi ka alarmuar ekspertët e shkencave sociale. “Duhet të ridizajnojmë ekosistemin e informacioneve”, ka shkruar një grup politologësh dhe juristësh në një artikull të botuar gjithmonë tek “Science”, ku kërkojnë një kërkim më të madh ndërdisiplinor “për të reduktuar përhapjen e lajmeve false dhe rregulluar difektet që kanë nxjerrë në pah”.

Loading...

“Si mund të krijojmë një ekosistem të lajmeve që i jep vlerë dhe promovon të vërtetën?”, pyesin ata. Rezultatet e hulumtimit lënë të kuptohet se nuk do të jetë e lehtë. Megjithëse Vosoughi dhe kolegët e tij përqëndrohen vetëm tek Twitter (hulumtimi është kryer mbi të dhënat që kompania i ka dhënë MIT-it), puna e tyre ka pasoja edhe mbi Facebook, YouTube dhe rrjetet sociale më të rëndësishme. Të gjitha platformat që amplifikojnë përmbajtjet provokatore rrezikojnë që të shërbejnë si përhapëse të fake news. Edhe pse hulumtimi përdor fjalorin teknik të statistikës, vë në diskutim saktësinë e informacioneve të përhapura në këto platforma. Një histori false, kanë zbuluar autorët, ka më shumë probabilitet të bëhet virale sesa një e vërtetë. Mesatarisht, një histori false arrin 1500 persona 6 herë më shpejt sesa një e vërtetë. Dhe pavarësisht se historitë false ia kalojnë më mirë se ato të vërtetat në të gjitha aspektet – ekonomi, terrorizëm e luftë, shkencë e teknologji, argëtim – ato që funksionojnë më mirë absolutisht janë fake news që kanë të bëjnë me politikën.

Përdoruesit e Twitter duket thuajse “preferojnë” shpërndarjen e gënjeshtrave. Deri edhe kur hulumtuesit i kanë studiuar me vëmendje llogaritë që kanë ndarë informacionin – për shembull, nëse një person ka shumë ndjekës apo nëse llogaria është verifikuar – gënjeshtrat kanë 70% probabilitet më shumë që të “ricicërohen” sesa lajmet e vërteta. Dhe faji për këtë problem nuk është i bashkëvëllezërve tanë robotë. Siç ka dëshmuar hulumtimi, nga 2006 në 2016 bot-et në Twitter i kanë amplifikuar historitë e vërteta po aq sa ato false, por që lulëzojnë, shkruajnë hulumtuesit, pasi “është më probabël që t’i përhapin janë njerëzit, jo robotët”. Ekspertët e shkencave sociale dhe studiuesit e mediave sociale kanë lavdëruar kërkimin, pas ofron perspektivën më të gjerë e më rigoroze të botuar deri më tani lidhur me këtë temë, anipse disa, siç do ta shohim më poshtë, i kanë vënë në diskutim konkluzionet lidhur me bot-et dhe përkufizimin e lajmit. “Është një kërkim interesant e i jashtëzakonshëm dhe rezultatet duken të qëndrueshme, koherente dhe të bazuara”, ka shkruar në një email Rasmus Kleis Nielsen, Profesor i Komunikimit Politik në Oxford University. “Mendoj se është një punë e rëndësishme” më ka thënë Brendan Nyan, Docent i Shkencave Politike në Dartmouth College. “Kemi nevojë për këto hulumtime të shkëlqyera”. “Nuk ka asnjë motiv për të dyshuar rezultatet e hulumtimit” ka shkruar në një Rebekah Tromble, Docente e Shkencave Politike në Leiden University të Hollandës.

Pse ky hulumtim është ndryshe nga të tjerët? Në të kaluarën hulumtues të tjerë e kanë studiuar problemin e gënjeshtrave që përhapen online. Shpesh janë përqëndruar mbi thashethemet rreth një argumenti të caktuar, si koniukturat që i kanë paraprirë zbulimit të Higgs Boson në 2012 apo zërave që janë përhapur pas tërmetit të 2010 në Haiti. Por ky hulumtim i ri bazohet mbi një shkallë kohore më të gjerë dhe merr në shqyrtim praktikisht të gjithë ekzistencën e Twitter: çdo laj kontradiktor që është ndarë nga shtatotori 2006 deri në dhjetorin e 2016. Por për ta bërë Vosoughi dhe kolegëve të tij u është dashur që parasëgjithash t’i përgjigjen një pyetjeje: çfarë është e vërteta? Si mund ta dallojmë? Kjo është një pyetje me rëndësi jetike. “Fake news janë bërë problem politik tronditës dhe një çështje kulturore, por ne jemi aktivizuar prej pasojave personale të ngjarjeve që kanë goditur Bostonin 5 vite më parë”, ka shpjeguar Deb Roy, që studion Mjetet e Komunikimit në MIT dhe është një prej autorëve të këtij hulumtimi të ri.

Më 15 prill 2013 kanë shpërthyer dy bomba në afërsitë e shtegur të maratonës së Bostonit, duke vrare 3 persona dhe duke plagosur qindra. Thuajse menjëherë në Twitter dhe në rrjete të tjera sociale janë përhapur teoritë më të çmendura të komplotit për atentatet. Konfuzioni është rënduar më 19 prill, kur Guvernatori i Massachusetts u ka kërkuar miliona njerëzve të qëndronin në shtëpi teksa policia ishte e impenjuar në një gjueti gjiganteske njeriu. “Kam qëndruar i mbyllur në shtëpi për 2 ditë me time shoqe dhe më fëmijët dhe Soroush ka qëndruar i mbyllur në Cambridge”, më ka treguar Roy. Në këtë situatë, Twitter është shndërruar në një mjet komunikimi jetik me botën e jashtme. Duke përdorur këtë rrjet social, “kemi dëgjuar shumë gjëra që nuk qenë të vërteta dhe shumë gjëra që në fund kanë rezultuar të vërteta”. Në fund emergjenca ka përfunduar. Por kur të dy janë takuar në kampus, Vosoughi – që në atë kohë ishte doktorant dhe merrej me mediat sociale – ka menduar se ishte budallallëk të studiohej çdo gjë tjetër nuk ishte ajo që sapo kishte ndodhur. Roy, që ishte tutori i tij, ia ka miratuar projektin.

Vosoughi ka ndërtuar një makinë të vërtete, një algoritëm në gjendje që të kërkojë qindra tweet-e dhe të nxjerrë fakte qe më shumë probabilitet janë të vërteta. Algoritmi përqëndrohej në 3 aspekte të çdo tweet-i: karakteristikat e autorit të tij (qenë të verifikuara?), lloji i gjuhës së përdorur (ishte e rafinuar?) dhe mënyra me të cilën një tweet shpërndahej në rrjet. “Modeli i zhvilluar nga Soroush arrinte që ta kapte saktësinë me probabilitet të lartë suksesi”, ka thënë Roy. Në 2015 ka përfunduar doktoraturën e tij. më pas, bashkë me Sinan Aral, Profesor Menaxhmenti në MIT, kanë nisur të studiojnë mënyrën me të cilën, në përgjithësi, gënjeshtrat përhapen në Twitter. Përveçse pyesin se çfarë është e vërteta, u është dashur të bëjnë edhe një pyetje, më të vështirë: si arrin kompjuteri të dijë se çfarë është e vërteta? Kanë zgjedhur që t’i drejtohen një arbitri: uebsatjeve të pavarura të fact checking. Pasi kanë kërkuar dhe analizuar 6 uebsajte të ndryshëm fact checking – midis të cilëve Snopes, Politifact dhe FactCheck.org – kanë gjeneruar një liste prej dhjetëramijëra zërash në rrjet që janë përhapur në Twitter midis 2006 e 2016. Më pas kanë kaluar në sitë Twitter në kërkim të këtyre zërave duke përdorur Gnip, një motor kërkimi pronë e Twitter. Në fund kanë zbuluar 126000 tweet-e, që sëbashkuë qenë retweet-ar më shumë se 4.5 milion herë. Disa kishin një link me histori false. Disa përmbanin diçka false në tekst apo në një imazh të atashuar. Të tjerë akoma përmbanin informacione të vërteta ose linqe nga uebsajte të tjera ku të gjendeshin. Pastaj kanë kryer një seri analizash, duke krahasuar popullaritetin e zërave falsë me ato të real news. Ajo që kanë zbuluar i ka lënë pafjalë.

Ja një shembull: ka shumë mënyra me të cilat një tweet mund t’ia dalë të retweet-ohet 10000 herë, shpjegon Vosoughi. Nëqoftëse një personazh i famshëm dërgon tweet-in A dhe ka disa miliona ndjekës, ndoshta 10000 njerëz do ta shikojnë tweet-in A në timeline e tyre dhe do të vendosin ta retweet-ojnë. Tweet-i A është shkëndija që i jep origjinë një përhapje të gjerë, por jetëshkurtër. Ndërkohë, dikush që nuk ka shumë ndjekës dërgon tweet-in B. Arrin 20 ndjekësat e tij, por njëri prej këtyre personave e shikon dhe e retweet-n, pasyaj një prej ndjekësve të këtij personi të fundit e shikon dhe e retweet-on nga ana e tij e kështu me radhë derikur mijëra persona e kanë parë dhe ndarë tweet-in B. Tweet-i A dhe tweet-i B kanë një public të të njëjta përmasave, por tweet-i B, për të përdorur temrinologjinë e Vosoughi, ka më shumë “thellësi”: ka kapur midis tyre retweet-et duke u bërë viral në një mënyrë të pamundur për tweet-in A. “Ndoshta tweet-i A ka siguruar 1000 retweet-e, por ka një formë shumë të ndryshme”, ka thënë ai. Dhe ja ku vijmë në pikën themelore: fake news dominojnë në bazë të të dy parametrave. Arrijnë rregullisht një publik shumë të gjerë dhe futen më në thellësi në rrjetet sociale sesa real news. Autorët e hulumtimit kanë zbuluar se real news nuk kanë arritur të sigurojnë më shumë se 10 retweet-e. Fake news qenë në gjendje të krijonin një zinxhir më të gjatë retweet-esh dhe ta bëjnë atë me një shpejtësi 10 herë më të madhe se ajo e përdorur nga një real news për të bërë bashkë 10 retweet-et e mjera të saj.

Si përkthehet e gjitha kjo në jetën reale? Le të marrim dy shembuj nga zgjedhjet e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Në gushtin e 2015 ka qarkulluar në internet një thashetheme në bazë të së cilës Donald Trump do t’i mundësonte një fëmije të sëmurë që ta përdorte avionin e tij që të mund të kryente një trajtim mjekësor urgjent. Snopes e ka konfirmuar vërtetësinë e çdo aspekti të historisë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të ekipit hulumtues, vetëm 1300 persona e kanë pëlqyer apo retweet-uar atë. Në shkurt të 2016 është përhapur thashethemnaja se kushërimi më i moshuar se Trump kishte vdekur para pak kohësh dhe se në nekrologjinë e tij duket se e kishte kontestuar kandidaturën për president të manjatit. Nga sa thuhej, nekrologjia lexonte kështu: “Si bartës krenar i mbiemrit Trump, ju lutem të mos i mundësoni asaj lope ambulante që të bëhet President”. Por Snopes nuk ka qenë në gjendje të gjejë prova as për ekzistencën e kushëririt në fjalë, as të nekrologjisë së tij, kështu që e ka kataloguar lajmin si fals. Megjithatë, rreth 38000 përdorues të Twitter e kanë shpërndarë dhe kjo ka gjeneruar një zinxhir retweet-esh 3 herë më të gjatë se ai që kishte arritur të gjeneronte lajmi i fëmijës së sëmurë. Edhe një fake news, sipas të cilës boksieri Floyd Mayëeather kishte veshur një qylaf mysliman në një miting të Trump, ka arritur një publik 10 herë më të madh se ai i arritur nga lajmi i fëmijës së sëmurë.

Pse falsiteti ia kalon kaq mirë? MIT-i ka përpunuar 2 hipoteza. Në bazë të së parës, fake news duken më origjinale se real news. Ekipi i hulumtuesve ka zbuluar se falsitetet shpesh janë shumë ndryshe nga të gjitha tweet-et e shfaqura në timeline e një përdoruesi në 60 ditët e mëparshme. Hipoteza e dytë merr në konsideratë mundësinë që fake news provokojnë një emocion më të madh sesa mesatarja e tweet-eve. Hulumtuesit kanë krijuar një databazë fjalësh që përdoruesit e Twitter kanë përdorur për t’ju përgjigjur 126000 tweet-eve të kontestuara dhe më pas i kanë analizuar me një instrument analize. Kanë zbuluar se tweet-et false shkaktojnë fjalë të lidhura me surprizën dhe me përçmimin, ndërsa tweet-et e real news fjalë të lidhura me trishtimin dhe me besimin. Hulumtuesit donin t’i përgjigjeshin një pyetjeje tjetër: A kontribuojnë bot-et në Twitter në përhapjen e dizinformacionit? Pasi kanë përdorur algoritme të ndryshme për të individualizuar bot-et në të njëjtin kampion prej 3 milion përdoruesish të Twitter, kanë zbuluar se bot-et automatikë përhapnin fake news, por ama i retweet-onin me të njëjtin ritëm me real news.

“Diferenca me të cilën real news dhe fake news përhapen në Twitter nuk mund të shpjegohet me praninë e bot-eve”, më ka thënë Aral. Por disa politologë kanë paralajmëruar se ky argument nuk duhet të përdoret për të ngatërruar rolin që bot-et ruse kanë përdorur kohët e fundit në përhapjen e fake news. Sipas asaj që referohet nga “New York News”, një “ushtri” me bot-e në një farë mënyre të lidhur me Rusinë ka kontribuar që të amplifikohet diskutimi mbi vrasjen në një shkollë të Parkland në Florida. “Mund të jetë që 1) në të gjithë datasetin e 10 viteve bot-et të mos e parapëlqejnë propagandën false dhe 2) se kohët e fundit të jenë përdorur në mënyrë strategjike botnet-e për ta zgjeruar shtrirjen e pohimeve false të propagandës”, ka shkruar në një email Dave Karpf, studiues i Shkencave Politike në George Washington University. “Frika ime është se urtësia do të përdoret si “provë shkencore e faktit që bot-et nuk janë pastaj edhe aq të rëndësishëm”. Dhe në të vërtetë është kjo ajo që del nga studimi, nëqoftëse marrim në konsideratë të gjithë jetën e Twitter. Por debate lidhur me bot-et niset nga premisa se përdorimi i tyre kohët e fundit ka pasur një ngritje vertikale pasi dikush ka investuar në mënyrë strategjike në këtë kuptim. Studimi nuk e hesh poshtë këtë pohim”, thotë ai. Vosoughi bie dakord me faktin që kërkimi i tij nuk përcakton nëse përdorimi i botnet-eve ka ndryshuar apo jo gjatë periudhës së presidencialeve të 2016. “Nuk kemi studiuar ndryshimin e rolit të bot-eve në kohë”, më ka thënë në një email. “Është një temë e rëndësishme të cilës ka mundësi do t’i kushtojmë hulumtime të tjera në të ardhmen”.

Disa studiues kanë vënë në diskutim veç të tjerash edhe përkufizimin e “lajmit” të propozuar nga hulumtimi. Duke vazhduar që t’u referohen uebsajteve të fact checking, hulumtimi vë bashkë një gamë të gjerë informacinesh false: gënjeshtra, legjenda urbane, broçkulla, falsitete dhe “fake news”. Nuk merr në konsideratë vetëm fake news – artikuj apo video që duken lajme me një punë gazetareske prapa – por edhe ato krejtësisht të sajuara. Për pasojë, hulumtimi mund të ketë disa mangësi në numrin e “lajmeve jo të kontestuara”, domethënë lajme të sakta rëndom të konsideruara të vërteta. Për shumë vite postimi më i shpërndarë në historinë e Twitter ka qenë ai që festonte rizgjedhjen e Presidentit Obama. Por pasi fitorja e tij nuk ishte një fakt shumë i kontestuar, Snopes dheuebsajte të tera verifikimi nuk e kanë konfirmuar asnjëherë. Veç kësaj, kërkimi eliminon diferencën midis përmbajtjes dhe lajmit. “Hulumtimi sugjeron se për një shumicë përdoruesish lajmet janë diçka e ndryshme nga një përmbajtje më gjenerike”, ka shkruar në një email Nielsen, Profesor nga Oxford University. “Të thuash se përmbajtjet jo të vërteta, përfshi thashethemet, përhapen më shpejt se pohimet e vërteta në Twitter është ndryshe nga të thuash se fake news dhe real news përhapen me një ritëm të ndryshëm”.

Por shumë hulumtues më kanë thënë se fakti i thjeshtë i të kuptuarit se pse gënjeshtrat përhapen aq shumë dhe aq shpejt është e rëndësishme si të dish se kjo ndodh. “Thelbi është se përmbajtjet që ngjallin emocione të forta arrijnë më larg, më me shpejtësi, më në thellësi dhe me gjerësi me të madhe në Twitter”, ka shkruar në një email Tromble, Docente e Shkencave Politike. “Ky zbulim është koherent me hulumtimet në një seri sektorësh të ndryshëm, midis të cilëve Psikologjia dhe Studimet mbi Komunikimin. Bile është edhe më intuitiv”. “Informacionet false online shpesh janë shumë origjinale dhe negative”, ka shpjeguar Brendan Nyhan, Profesor në Dartmouth College. “Përgjithësisht janë 2 tiparet e informacionit që rrokin vëmendjen tonë si qenie njerëzore dhe na shtyjnë që ta ndajmë me të tjerët”. Nyhan ka lavdëruar Twitter pse ka vënë të dhënat në dispozicion të hulumtuesve dhe u ka bërë apel platformave të tjera më të rëndësishme, si puna e Facebook, me qëllim që të veprojnë njëlloj. “Kemi shumë për të mësuar, por jemi shumë të kufizuar në studimet tona pa bashkëpunimin e platformave”, ka thënë ai. “Këto kompani ushtrojnë një pushtet dhe një influencë të jashtëzakonshme mbi lajmet ku kanë akses njerëzit. Sasia e pushtetit që këto platforma zotëronjë nënkupton se duhet të përballojnë një nivel shumë më të lartë shqyrtimi dhe transparence. Mund ta studiojmë Twitter gjithë ditën, ama vetëm 12% e amerikanëve e përdor atë. Është i rëndësishëm për gazetarët dhe hulumtuesit, por nuk është nga aty që informohet pjesa më e madhe e njerëzve”.

Në një komunikatë, Twitter ka deklaruar se shpresonte që ta zgjeronte bashkëpunimin me ekspertë të jashtëm. Në një seri tweet-esh Jack Dorsey, Administratori Delegat i Twitter, ka deklaruar se kompania shpreson që ta “përmirësojë mirëqenien kolektive, hapjen dhe civilizimin në bashkëbisedimin publik”. Facebook e ka refuzuar një kërkesë për koment. Por, sipas Tromble, me çdo gjasë konkluzionet e hulumtimit janë të vlefshme edhe për Facebook. “Në fillim të këtij viti news feed e tij për të privilegjuar “ndërveprimet domethënëse””, më ka thënë. “Ishte e qartë se do t’i vlerësonte “ndërveprimet domethënëse” në bazë të numrit të komenteve dhe përgjigjeve ndaj komenteve të marra në një postim. Por, siç e demonstron ky hulumtim, kjo nuk bën gjë tjetër veçse stimulon krijimin e postimeve plot me dizinformacion dhe përmbajtje të tjera që ka mundësi do të sigurojnë reagime të forta emotive”, ka shtuar. Kur kanë nisur kërkimin e tyre, hulumtuesit e MIT-it prisnin që përdoruesit të cilët ndanin më shumë se të tjerët fake news do të ishin njerëz të dashur nga publiku. Imagjinonin të gjenin një grup personazh që e përdorin në mënyrë obsessive Twitter, duke grumbulluar më shumë fansa dhe ndjekës sesa kolegët e tyre më të tërhequr nga faktet.

Në të vërtetë hulumtuesit kanë zbuluar se është e vërtetë e kundërta. Përdoruesit që ndajnë informacione të sakta kanë më shumë ndjekës dhe tweet-ojnë më shumë sesa ai që shpërndan fake news. Këta përdorues besnikë ndaj fakteve veç të tjerash e përdorin Twitter prej më shumë kohësh dhe ka shumë mundësi që janë përdorues të verifikuar. Me pak fjalë, përdoruesit më të besueshëm mund të amplifikojnë çdo avantazh të dukshëm strukturor të ofruar nga Twitter për përdoruesit më të mirë, nga këndvështri si i kompanisë, ashtu edhe i komunitetit të tyre. E thënë me fjalë të tjera, e vërteta ka një avantazh fillestar, por pasaktësitë në një mënyrë apo në një tjetër e fitojnë garën. Këto konklzione duhet të demoralizojnë çdo përdorues që u drejtohet mediave sociale për të gjetur apo shpërndarë informacione korrekte. Sugjerojnë se, pavarësisht nga aftësia me të cilat njerëzit mendojnë se e përdorin Twitter, pavarësisht nga kujdesi që i kushtojnë news feed të tyre ose ndjekin burime të besueshme, në mjegullën e momentit gjithsesi mund ta shkatërrohen nga falsitetet.

Për mua, që e përdor Twitter qysh nga viti 2007 dhe kam nisur të bëj gazetari falë këtij rrjeti social, ky kërkim sugjeron se platformat e mediave sociale nuk e inkurajojnë gjininë e sjelljes që e bën të qëndrueshme një qeveri demokratike. Në platforma ku secili përdorues është në të njëjtën kohë lexues, shkrues dhe botues, falsitetet janë tejet tërheqëse sa për të mos patur sukses: rrënqethja e origjinalitetit është tepër sharmante, stimuli i të përbuzshmes i pamundur për t’u anashkaluar. Pas një dite të gjatë e të rëndë, deri përdoruesi më i dhembshur mund ta gjejë veten të shkojë prapa falsitetit më fitimprurës nga pikëpamja politike. në mes të një sezoni të tendosur elektoral, deri përdoruesi më i vëmendshëm ndaj të mirës publike mund t’i përmbysë interesat e tij më të larta për të hyrë në një kundërshti. Nuk kuptohet se çfarë ndërhyrjesh eventuale mund ta përmbysin këtë tendencë në favor të falsitetit. “Nuk dimë sa duhet për të thënë se çfarë funksionon dhe çfarë jo”, më ka thënë Aral. Për shembull, ekzistojnë pak prova të faktit se njerëzit ndryshojnë opinion pse lexojnë në një uebsajt fact checking një hedhje poshtë të një bindjeje të tyren. As sinjalizimi i fake news sit ë tilla, në një rrjet social apo në një motor kërkimi, nuk mund të bëjë kushedi se çfarë për t’i dekurajuar.

Me pak fjalë, mediat sociale duket se e amplifikojnë në mënyrë sistematike falsitetin në kurriz të së vërtetës dhe askush – ekspertë, politikanë apo kompani teknologjike – nuk e di sesi ta ndryshojë këtë tendencë. Është një moment i rrezikshëm për çdo sistem qeverisjeje të mbështetur mbi një realitet publik të pranuar.

(Robinson Meyer për “The Atlantic”)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al


 
Loading...