Loading...

Familjarët e viktimave të ndihmojnë në hartimin e Projektligjit për dokumentimin e krimeve të luftës
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH), i cili merret me dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë luftës, ka mirëpritur iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje për përgatitjen e një projektligji i cili do të dokumentonte në tërësi krimet e Serbisë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Drejtori i këtij Fondi, Bekim Blakaj, ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online se përmbajtja e projektligjit duhet të diskutohet në shumë nivele dhe të shtrihet një proces konsultativ në institucione, shoqëri civile dhe organizata të ndryshme që merren me çështje të caktuara të luftës.

Sipas Blakajt, në hartimin e këtij projektligji duhet të marrin pjesë edhe familjarët e viktimave të luftës.

“Pra, organizatat janë të profilizuara, ekziston rrjeti i grupit të grave që janë marrë vetëm me dhunë seksuale. Fondi për të drejtën humanitare ka dokumentuar vrasjet dhe zhdukjet”.

“Apriori askush nuk mund të dijë çka duhet të përmbajë ai projektligj. Për të ardhur te ajo duhet të shtrihet një konsultim i gjerë, bile edhe familjarët e viktimave duhet të përfshihen, komuniteti i viktimave që të jap kontributin e vet sepse ata duhet t’i shprehin nevojat e veta se çka presin prej institucioneve në lidhje me çështjen e krimeve që janë bërë ndaj tyre”.

Në këtë aspekt, Blakaj ka thënë se si zakonisht, janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për të ndihmuar realizimin e kësaj nisme.

Ai thekson se ka pasur disa iniciativa të institucioneve, por sipas tij, trupat e ndryshëm që janë formuar nuk kanë qenë mjaftueshëm të unifikuar dhe për pasojë nuk është prodhuar ndonjë dokumentacion gjithëpërfshirës për krimet e luftës.

“Është ide e mirë që më në fund të fillojë një diskutim që të sillet ndonjë ligj në mënyrë që të gjitha këto iniciativa të shpien në një rezultat konkret. Pra, të kemi në një vend dokumentacionin për të gjitha krimet e luftës”.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se në organet e partisë janë duke diskutuar rreth përgatitjes së këtij projektligji.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovë ka miratuar të enjten në lexim të parë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Si risi në të është futur mundësia e gjykimit dhe dënimit në mungesë të të dyshuarve serbë për krime lufte në Kosovë, mirëpo FDH-ja nuk pajtohet me këtë nen.

Blakaj vlerëson se me konventa ndërkombëtare nuk lejohet gjykimi në mungesë sepse personi i akuzuar nuk ka mundësi të mbrohet, duke shtuar se të gjitha shtetet demokratike e kanë larguar këtë mundësi.

Sipas tij, vetëm për raste specifike mund të lejohet gjykimi në mungesë, mirëpo jo që të shndërrohet në një dukuri të rregullt.

“Në rend të parë, konventat ndërkombëtare nuk e lejojnë këtë sepse gjykimi në mungesë do të thotë se personi i cili gjykohet në mungesë nuk ka mundësi që të mbrohet.

“Ndërsa çështjet tjera praktike, janë edhe më të thella, në rend të parë çdo gjykim në mungesë i cili përfundon me një aktgjykim dënues dhe në momentin që i dënuari kapet për t’u dërguar në vuajtje të dënimit, avokati i tij gjithmonë do të jetë në gjendje që ta kthejë lëndën në rigjykim”.

“Pra, praktikisht ai person do të gjykohet dy herë. Pse të mos pritet derisa të kapet si i dyshuar dhe pastaj të gjykohet”.

Blakaj thekson se çështja tjetër ka të bëjë me familjarët e viktimave, sa do të jenë të kënaqur ata me këto gjykime në mungesë duke e ditur se ata që janë dënuar nuk e vuajnë dënimin.

Edhe për këtë temë, Blakaj vlerëson se nevojiten diskutime me ekspertë të fushës për të konstatuar nëse është e rrugës të ndryshohet Kodi i Procedurës Penale dhe të mundësohet gjykimi në mungesë.


 
Loading...