Gëzim MEKULI
Para marrjes së pushtetit nga nacional-socialistët (NSDAP), në Gjermaninë e asaj kohe kishte jo më pak se 4700 tituj gazetash ditore, javore dhe mujore. Si pasojë e ngushtimit dhe e cungimit të hapësirës demokratike e komunikative dhe ndalimit të publikimit të shtypit liberal të kohës, ky numër i gazetave ditore, marramendës për kohën, deri para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ra në 900 tituj. Kjo nuk rrodhi si pasojë e krizës dhe e problemeve ekonomike, apo nga mungesa intelektuale dhe teknike, por ishte një rrjedhojë logjike e politikës së qëllimshme mediale dhe komunikative të nacional-socialistëve gjermanë.
E tërë kjo faqe e zezë e historisë gjermane ndodhi para shumë dhjetëvjeçarësh. Mirëpo, çuditërisht opinionit shqiptar i duket se e ka të gjallë ngjarjen e asaj kohe në kohën dhe në hapësirën ku ai jeton sot. Padyshim, mediat shqiptare janë të shumta në sasi. Por, nëse vlerësojmë dhe shqyrtojmë përmbajtjen e tyre, mund të arrijmë në përfundim se në to ka pak cilësi gazetareske, nuk ka profesionalizëm të vërtetë. Në vend që këto të jenë goja, syri dhe veshi i shoqërisë dhe i kombit, ato po e trullosin atë.
Shumica e këtyre mediave, për të njëjtën ngjarje, ndodhi apo takim, transmetimin dhe përpunimin e lajmit e ndërtojnë në mënyra, në forma dhe në përmbajtje tërësisht të ndryshme. Kjo të lë përshtypjen sikur je duke lexuar, parë apo dëgjuar ngjarje të ndodhura në një largësi tejet të madhe gjeografike e kohore. Ndërkombëtarëve, përmes RTK-së, iu duhet ruajtur privilegji për të paraqitur të parët realitetin. Asnjëri prej këtyre shtytësve nuk është i nxitur profesionalisht, por ideologjikisht dhe politikisht. Si rezultat i këtij politizimi dhe klanizimi të çdo sfere të shoqërisë, kemi edhe ngecje të shitjes së shumë gazetave, si edhe mosdëgjueshmëri dhe mosshikueshmëri të programeve dh të stacioneve të ndryshme radiotelevizive.
Lajmet e forta
Ngjarjet dramatike që kanë pasoja negative për njerëzit, i quajmë shpesh edhe lajme të forta. Këto lajme të forta shumë herë janë në krye të çdo agjende, duke pasur hapësirë të mjaftueshme mediale. Një ndër shembujt më të mprehtë për momentin është raportimi dramatik për minoritetet që jetojnë në Kosovë. Ky është një lajm me elemente negative, konflikti, zjarri dhe lufte. Në mediat e huaja bëhet shumë fjalë rreth kushteve “jo të sigurta dhe jo të kënaqshme” për jetën e minoriteteve që jetojnë në Kosovë. E tërë kjo shpeshherë bëhet për qëllime politike, në mënyrë që të lërë mbresa kinse po manipulohet me banorët e Kosovës, para së gjithash, me pakicat e saj. Nuk do mend se ky raportim kaq i njëanshëm është fund e krye i ndikuar dhe i ndihmuar nga mungesa e strategjisë së mediave tona.
Ato, në vend që të bëjnë pasqyrimin e mirëfilltë të rrethanave në Kosovë, bëhen përsëritëse të disa pikëpamjeve për Kosovën që çojnë ujë në mullinjtë e Moskës, Beogradit dhe Athinës. Ku mund ta gjejnë gazetarët e huaj një pamje paksa më pozitive për Kosovën, kur as mediat e saj nuk e kanë një qëllim të tillë?! Ishte fund e krye i paarsyeshëm fakti që Kosovës iu imponua të quhet “shumetnike”, jo pse ne shqiptaret kemi diçka kundër minoriteteve, përkundrazi, sepse edhe Kosova do të kishte mundur të ishte si Norvegjia, vend shumëkulturor, vend heterogjen, që i ka pakicat e saj, e që nuk quhet shumetnike. Madje, as përcaktimi si “shumëetnik” i popullsisë që jeton në Kosovë thjesht nuk qëndron as historikisht. Por, sa media tonat e kanë ngritur zërin për këtë?
Njësoj ndodh edhe gjetiu. Shikoni shqiptarët shtetformues në IRJM-së. Mediat shqiptare atje, në emër të paanshmërisë etnike dhe politike, në emër “të demokracisë” dhe të kombit – shtet, bëhen zinxhir transmetues nga jashtë – brenda, në vend që t’ia tregojnë botës së jashtme gjendjen e vërtetë të brengave të shqiptarëve të Maqedonisë. Shikoni shqiptarët në Luginën e Preshevës, Malit të Zi dhe shqiptarët në Greqi. Duke u bazuar në këto fakte dhe të meta demokratike, del se sipas “mediave kombëtare” e ndërkombëtare fotografia e “kosovarëve” duhet të shitet sa më e zbehtë, ashtu siç e përpunojnë dhe e dëshirojnë politikat e tyre. Ky imazh i “gatuar dhe i formësuar” në laboratorin e mediave ideologjike, është politikisht shumë i rrezikshëm dhe diplomatikisht “mbytës dhe varrosës” për arritjen e qëllimeve tona demokratike dhe të drejtave të natyrshme njerëzore dhe kombëtare.
Lajmet e buta
Lajmet që kanë pasoja pozitive për njerëzit, kanë hapësirë të cunguar në media. Këto lajme quhen lajme të buta. Artikujt e këndshëm e të padhunë shpeshherë i gjejmë në fund të faqeve të gazetave apo në mbyllje të emisioneve radiotelevizive. Jo rrallë ndodh që lajmet e buta të mos publikohen fare. Është shpresëthyese mënyra se si sot në shumë media evropiane është duke u bërë një përzgjedhje dhe një censurim i politikës informative dhe kulturore ndaj kombit shqiptar në përgjithësi. Ekziston sot një mekanizëm (mund ta quaj politik) që nuk lejon të depërtojë lajmi i butë, “e vërteta” e politikës dhe e kulturës shqiptare në opinionin e jashtëm evropian. Jemi dëshmitarë të kohës se si disa politika dëshirojnë që të na imponojnë dhe të na ”ndihmojnë” që mediat tona të paraqesin përrallën e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën. A nuk ekzistojnë sot histori të sajuara sipas kornizave politike të këtyre shteteve, histori ideologjike frikësuese që gati çdo mbrëmje i ofrohen nga televizioni publik dhe atyre private opinionit publik të Kosovës?
Filmimi dhe informacioni që vijnë nga shqiptarët dhe të regjistruara këto nga kamerat televizive (politike), transmetojnë e japin vazhdimisht xhami dhe hoxhallarë shqiptarë, tespihe e kuranë të përkthyer në gjuhën shqipe. Kishat shqiptare “nuk i sheh” pothuajse kurrë, ato nuk paraqiten me qëllim keqdashës në opinionin publik? Nuk i sheh këto shtëpi të Zotit syri i kamerës (politike) të ca shteteve evropiane?
Pak gazetarë kundërshtuan, shumë pak kundërshtojnë dhe prodhojnë diçka kundër “shtrembërimit” dhe keqinterpretimit të politikës, të informacionit dhe të kulturës shqiptare. Ndoshta disa edhe e kanë bërë, por pa sukses.
Kjo, sepse mediat e mëdha të vendit nuk i përkrahin ankesat e kolegëve të tyre. Ata “nuk e shohin” censurën. Në vend të saj ata “masturbojnë”, duke ndjekur telenovelat e produksionit ameriko-latin dhe spanjoll, artistikisht dhe moralisht pa vlera.
Mos, vallë, për medialistët “kosovarë” është më e mirë ngopja me fotografi të censuruara dhe të cullakuara se sa pa to fare!?
(Shkrim nga viti 2003)

 
Loading...