Policia e Kosovës ka arrestuar e më pas liruar 5 serbë të dyshuar për kërcënim, shantazh dhe presion ndaj pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton KTV.

Loading...

Të njëjtëve u janë konfiskuar armë, fishekë, kompjuterë, CD e prova të tjera materiale. Përderisa policia ka njoftuar për arrestimin, kryeprokurori i Gjilanit ka thënë se të dyshuarit kanë qenë vetëm në mbajtje. Ndërkohë, Serbia gjatë ditës ka kërcënuar me ndërprerje të bisedimeve nëse 5 të arrestuarit nuk do të liroheshin.

Janë arrestuar e më pas liruar në procedurë të rregullt pesë serbë nga fshatrat Shillovë e Kufcë të Gjilanit, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Nëpërmjet një komunikate, në mëngjes Policia kishte njoftuar për arrestimin e të dyshuarve.

Por, pasdite kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, ka thënë se të dyshuarit kanë qenë vetëm në mbajtje dhe pas intervistimit, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Me kërkesë të Departamentit për Krime të Rënda të Policisë, kemi hapur hetimet ndaj pesë personave të dyshuar për kërcënim, shantazh dhe presion ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së. Pesë të dyshuarit janë intervistuar dhe pastaj janë liruar në procedurë të rregullt.”

Maloku ka njoftuar se gjatë bastisjes janë konfiskuar armë, fishekë të kalibrave të ndryshëm, kompjuterë, CD e materiale të tjera që do të shërbejnë si prova materiale.

“Jemi në fazën fillestare të hetimeve dhe do të shohim çfarë do të bëjmë tutje pas shikimit dhe analizimit të materialeve të konfiskuara.”

Të papranueshme, i ka quajtur kërcënimet ndaj familjeve të pjesëtarëve të FSK-së, kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ai ka shtuar se Kosova është gjithmonë për dialog me Serbinë dhe se provokimet nuk u kontribuojnë interesave të dy vendeve.

“Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit. Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës, janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE.”

Menjëherë pas marrjes së lajmit për arrestimin e serbëve, shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, kishte kërcënuar me ndërprerje të bisedimeve në Bruksel, nëse serbët e arrestuar nuk do të liroheshin deri në mbrëmje.

Ndërkohë, Lista Serbe aksionin e Policisë e ka quajtur shembull të përdorimit të tepruar të dhunës dhe frikësim të serbëve të Kosovës.

Ditë më parë, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha , ka njoftuar se më shumë se 40 pjesëtarë të forcës kanë bërë kërkesa për largim, për shkak të presionit nga shteti serb.


 
Loading...