Prokuroria e Prizrenit ka nisur hetimet ndaj kompanisë gjermane “O.B.M Aviation”, e cila ditë më parë ka pasur takime të shumta me të rinj në Prizren dhe Prishtinë, duke pretenduar se ofron 2.000 vende pune në Gjermani.

Lajmin për fillimin e hetimeve e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Prokurorinë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti.

Loading...

Ajo tha se Prokuroria në Prizren po heton nëse kjo kompani ka kryer ose po kryen vepër penale.

“Duke u bazuar në kërkesën dhe në pyetjet tuaja, lidhur me kompaninë B.S.B. “Aviation “, e cila ka ardhur në Kosovë dhe u jep qytetarëve mundësi për punësim në kompaninë O.B.M “Aviation” në Gjermani, Prokuroria Themelore në Prizren ju bënë me dije se është duke ndërmarrë veprime ligjore për të siguruar provat dhe informacionet e nevojshme, nëse është kryer apo po kryhet ndonjë vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”.

Kompania “B.S.B Aviation” takimet me të interesuarit i ka zhvilluar pa pasur ende një licencë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Për këtë ka njoftuar vetë kompania përsëri përmes një publikimi në Facebook.

Kompania ka shkruar se ende nuk ka licencë pune nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe se do të japë njoftim posa ta marrin.

“Ne B.S.B Aviation ju njoftojmë që jemi në pritje të licencimit për punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Zyra e cila ndodhët ne Prizren, do të hapet pas konfirmimit dhe përshtatjes së ligjeve të Republikës së Kosovës. Posa të marrim vendimin e licencimit do të njoftoheni nga ne.

Gjithashtu ju njoftojmë se faqja B.S.B Aviation në Facebook është burimi i vetëm i saktë i të gjitha informacioneve që kanë të bëjnë me B.S.B Aviation”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kjo kompani ofronte vende pune profesionale, kryesisht infermierë, shoferë kamioni dhe punëtorë në aeroport në bagazh, pastrues dhe punë të tjera, por që aplikuesit duhet ta kenë një diplomë që konfirmon përgatitjen profesionale, për drejtimin që ata aplikojnë.

Aplikimet për këto vende pune do të hapeshin me 5 nëntor në zyrën e kompanisë në Prizren që e ka përfaqësinë për Kosovë.

Por, kjo gjë nuk ndodhi.

Në këtë datë nuk u hapën aplikimet për 2 mijë vendet e punës të ofruara nga kjo kompani.

Kështu  kishte njoftuar edhe kompania përfaqësuese në Kosovë, “B.S.B Aviation” në rrjetin social “Facebook”.

“Zyrja nuk do të hapët sot me datën 05.11.2018. Gjitha informatat e nevojshme rreth procedurës së aplikimit dhe mundësive të cilat ne mund ti ofrojmë, do të publikohen ndërkohë.

Mirëpresim durimin dhe mirëkuptimin tuaj! Me tmira”, kishte shkruar kompania pa ndonjë arsye të anulimit të hapjes së aplikimeve.


 
Loading...