A janë shqiptarët zbulues të fluturakes së parë në botë?

Mjeti i parë fluturues në gjithë globin është projektuar dhe ndërtuar nga Hasan Masurica, katër vjet përpara vëllezërve Rajt.  

Loading...

Ilmi Musliu

Shqiptarët si popull i kanë dhënë shumë botës, por bota është treguar e padrejtë me ta. Edhe fluturaken e parë e ka zbuluar një shqiptar, rreth 120 vjet më herët, katër vjet para vëllezërve Rajt. Shqiptari nga Zarbinca, Hasan Masurica e kishte konstruktuar fluturaken e parë në botë, që në popull asokohe quhej “ballon”. Hasani ishte njeri tepër inteligjent. Po të kishte lindur në kohë të tjera, ai do të ishte i njohur në gjithë botën për zbulimet e tij shkencore. Masurica ka hartuar kalendarin, që përcakton pozitën dhe rrugën e planetëve në gjithësi, ka ndërtuar një mulli në Zarbincë, që bluante rreth 1000 kg drithë në ditë, por gjithsesi se dy nga shpikjet më të famshme të tij, sipas fakteve dhe dëshmive, janë aeroplani dhe pushka automatike.

Në vitin 1899, Hasan Masurica, duke punuar ditë e natë, me ndihmën kovaçit të fshatit, ndërtoi aeroplanin e parë pa motor. Me këtë fluturake, i biri Muharremi, 12-vjeçar u ngrit në ajër 50 deri 70 metra lartësi, duke kaluar një distancë prej afro katër kilometrash. Kjo ngjarje mahniti pa masë fshatarët dhe barinjtë e Zarbicës, që ishin duke punuar në fushë ose po kullosnin bagëtinë.

Vëllezërit Rajt e ndërtuan aeroplanin me motor katër vjet më vonë, ndoshta duke u nisur edhe nga shembulli i shqiptarit Masurica, që jetonte në një qoshe tjetër të botës.

Nga viti 1901 deri më 1905, Hasan Masurica konstruktoi pushkët me një, pesë dhe njëzetepesë fishekë dhe funksionimin e tyre e demonstroi para Sulltan Abdyl Hamidit, në Stamboll. Edhe kjo ngjarje ka pasur dëshmitarë okularë, siç ishin Azem Saliu, Sherif Osmani dhe Osman Zahiri nga Sedllari i Kamenicës, asokohe truproja personale të Sulltan Abdyl Hamidit. Sipas dëshmive të tyre, Sulltani ishte impresionuar nga kjo shpikje e shqiptarit dhe planifikonte fillimin e prodhimit të pushkëve në fabrikë.

Sulltani e mirëpriti Hasan Masuricën. I dha një nga vendet më të mira në Dollma Bahçe, që të rrinte e të punonte aty. I premtoi se do e ndihmonte të rindërtonte aeroplanin në Stamboll. Hasani e mahniti Sulltanin me edukatën dhe mjeshtërinë e tij intelektuale në komunikim, me një turqishte të përsosur, me fjalë të zgjedhura dhe me një kulturë të gjithanshme.

Hasani nuk ishte vetëm një mësues dhe një dijetar i rrallë, por edhe një patriot e atdhedashës i madh. Një mbrëmje, kërkon ndihmën e truprojave që të largohet nga oborri mbretëror, sepse nuk donte që me skicat e tij të punoheshin pushkët, të cilat mund të përdoreshin kundër vëllezërve të tij. Gjatë ikjes nga oborri mbretëror, Hasani i hedh armët në Bosfor, por jo edhe skicat. Rrugës, ishte kapur dhe burgosur në Sofje të Bullgarisë. Besohet që atje kanë përfunduar edhe skicat e armëve dhe se pushkët automatike ruse, e kanë prejardhjen pikërisht nga pushka automatike me njëzetë e pesë fishekë që Hasan Masurica e kishte projektuar dhe demonstruar para Sulltan Hamidit, në Stamboll dhe ambasadorit rus, në Sofje, ku ishte zënë dhe burgosur.

Figura e Hasan Masuricës, imam, mësues, patriot e novator, meriton të ndriçohet më tepër nga historianët tanë. Për të dyja këto shpikje, që ndryshuan botën, ka dëshmi e dëshmitarë.

Hasan Masurica, ishte njëri prej  katër djemve e dy vajzave të nënës Gjylsime dhe babait Islamit. Në shkollën tetëvjeçare, e mësoi bukur turqishten, arabishten dhe persishten, të cilat i përsosi në shkollën Darul Mualimin (shkolla normale e fesë islame). Në saje të njohjes shumë të mirë të tri gjuhëve orientale, leximit të librave në këto gjuhë dhe njohjes së këtyre kulturave, Hasani posedonte dituri të gjerë. Pasioni i tij ishte leximi i librave shkencorë.

Hasan Masurica ishte vizionar i madh. Qysh në vitin 1900 ka folur se si njeriu, brenda disa decenieve do të arrijë në planetët tjerë, se si njerëzit do të flasin e shihen ndërmjet vete nga një kontinent në tjetrin, ka parashikuar armët e shkatërrimit masiv. Ai thoshte se rreth vitit 2100, njerëzit do ta zhvillojnë e përparojnë aq shumë shkencën e teknikën, sa që nuk do të kenë nevojë të punojnë fizikisht fare. Kjo do të ndikojë që njeriut t’i dobësohen gjymtyrët, t`i zvogëlohet trupi e t`i rritet koka.

Koha po dëshmon se parashikimet e shqiptarit po dalin të sakta.


 
Loading...