Joe DioGuardi, ish kongresmen në Amerikë, dëshiron të realizojë një film mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun. DioGuardi, i cili është me origjinë shqiptare, i ka treguar mediave të huaja se ka gati një skenar jo shumë të zhvilluar mbi filmin rreth heroit të madh shqiptar. “Do ti tregojmë Amerikës fytyrën e vërtetë të shqiptarëve. Kemi vetëm një koncept të shkurtër ndërsa një person po merret me analizimin e jetës së Skënderbeut në vitet 1440-1455, kur edhe Skënderbeu ishte në pikun e karrierës” tregon DioGuardi.

Loading...

Më tej ai thotë se dëshiron që filmi të krijohet nga regjisorët më të mirë të Hollivudit, ndërsa kjo ka qenë një ëndërr e tij prej vitesh. “Nëse ke skenar të mirë dhe aplikon në Hollivud do të financohesh. Nuk po e bëj këtë për vete, por për të gjithë shqiptarët” shprehet DioGuardi. Madje, është Russell Crowe personi që do të mund ta luante rolin e heroit të madh, sipas ish kongresmenit i cili është i martuar me Shirley Cloyes dhe ka edhe vajzën një person të famshëm në Amerikë, Kara DioGuardi. Joe DioGuardi apo Joseph J. DioGuardi lindi më 20 shtator të vitit 1940, është politikan amerikan me origjinë arbëreshe-shqiptare nga Italia. Sipas DioGuardit ai vjen nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut të cilët kishin ndihmuar Mbretërinë e Napolit më 1461. Ne 1986 sëbashku me kongresmenin Demokrat Mickey Leland, DioGuardi inicioi legjislacionin për t’i dhënë Medaljen e Nderit heronjve ushtarakë zezakë të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, gjë që u ishte mohuar për arsye raciale. DioGuardi është avokat i çështjes shqiptare. Pasi la Kongresin në 1989 ai ka bërë të paktën 20 vizita në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Si president i Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civic League), ai dhe kongresmeni Tom Lantosh në maj 1990 bënë një vizite historike në Kosovë dhe në Shqipërinë që akoma nuk kishte dalë nga komunizmi.

Në gusht 1990 DioGuardi ishte iniciatori i vizitës së Bob Doll (Bob Dole), (kandidat për President i SHBA në 1996) dhe gjashtë senatorëve të tjerë të senatit të ShBA në Kosovë. Në qershor 1997, DioGuardi kryesoi një delegacion për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Me kërkese të Kongresmenit Dana Rohrabacher në gusht 1998 ai udhëtoi në viset veriore të Shqipërisë për të vlerësuar krizën humanitare si rezultat i luftës në Kosovë.

Duhet rikujtuar ndërkaq fjalët e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, i cili në maj të vitit 2015, ishte shprehur se “ DioGuard më nuk është politikan, por një person privat dhe një pensionist. Ai tashmë po ndjek linjën opozitare të Kosovës. Ai këto dy vite ka treguar se është ekskluzivisht kundër PDK-së. Ai tani është duke folur si Jeremiqi (ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq), Gjuriqi (Marko Gjuriq, shef i ashtuquajturës Zyres për Kosovën në Serbi).”


 
Loading...