Reagimi i kryetarit të partisë ZGJIDHJA pas takimit Rama-Meta në presidencë
Koço Kokëdhima

Loading...

Si u luajt loja? Për kë u sakrifikua fili që doli në fushë i pambrojtur? Ata biseduan për kandidatët për postin e kryetarit të KLSH-së, për vendet bosh në KQZ, për lënien e ndonjë bashkie kur të vijnë zgjedhjet, për ndonjë tender a koncension të radhës si zakonisht. Por ata nuk diskutuan për asgjë nga shqetësimet e mëdha e kryesore të shqiptarëve. Po ndodh ajo që ka parashikuar Partia “Zgjidhja”: Shteti dhe Kushtetuta ia kanë lënë vendin pazareve të tre vetëve, që pasi kanë grabitur sovranitetin e popullit, luajnë shah fshehurazi publikut. Populli është nxjerrë jashtë loje.

E lexoni PD-në? Ajo do ta shfrytëzonte këtë moment për të luftuar kabinetin e korruptuar qeveritar dhe për të imponuar reformën zgjedhore të shumëpritur, por u mjaftua vetëm të konstatonte se “politika nuk është lojë shahu”. Sigurisht, kur je pjesë e pazareve, nuk ke se si të veprosh. Do të mbetesh hijeve si matrapaz. Të dy palët e kanë kthyer Kushtetutën në një letër higjienike. Edhe kolapsi institucional i raporteve Qeveri-Presidencë dëshmon krizën e sistemit tonë politik. Gjykata Kushtetuese është bllokuar dhe eliminuar qëllimisht. Vendi është pa gjykata, pikërisht për t’i lënë fushë të lirë tenderëve korruptivë, pazareve politikë në kurriz të Kushtetutës, që të mos jepet llogari për marrëveshjet antikombëtare, që të mos ketë ndëshkim dhe përgjegjësi dhe asnjë kontroll mbi këta tre-katër njerëz që marrin vendime në emër të shqiptarëve të sotëm dhe atyre që do lindin e jetojnë këtu edhe në brezat e ardhshëm. Shumë qytetarë shqiptarë nuk janë indiferentë dhe shqetësohen e brengosen për rrënimin e demokracisë në Shqipëri. Atyre nuk iu mungon aftësia për të kuptuar situatën, por po e ndjekin me vëmendje. Mendojnë çdo ditë se si t’i japin fund këtij sistemi tiranik të sundimit të tre-katër bajlozëve të korrupsionit.


 
Loading...