Jahja Lluka

Të rralla janë objektet historike të cilat i mbijetojnë kohës, ndaj është i dhimbshëm mos vetëdijësimi dhe mos përkujdesja institucionale për objekte të tilla.

Loading...

Nën hijen e kohës ka mbetur edhe objekti ku është krijuar Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (KMKK). Andaj, duke pasë respekt ndaj veprës së këtij Komiteti dhe patriotëve të tij, është e domosdoshme që ky objekt në Shkodër të restaurohet, sepse vetëm kështu mund t’ua lëmë në kujtesë të kaluarën brezave që vijnë. Mu për këtë, gjatë vizitës së kryeministrit Ramush Haradinaj në Shkodër, është marrë vendim që kjo shtëpi të restaurohet me financimin e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Nga Konferenca e Londrës me 1913, më shumë se gjysma e territoreve shqiptare iu dhuruan Greqisë dhe Serbisë. Edhe pse më 28 Nëntor u shpall Pavarësia e Shqipërisë, gjysma e popullsisë shqiptare mbeti nën sundimin sllav. Duke parë vuajtjet dhe padrejtësitë që ushtroheshin ndaj popullatës civile shqiptare, atdhetarët Bedri Pejani, Sali Nivica, Niman Ferizi, Halim Gostivari, Hysni Curri dhe Hoxhë Kadri Prishtina, më 1 maj 1918 krijojnë Organizatën politiko-atdhetare – Komiteti “ Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Të pakënaqur me vendimet e Konferencës së Londrës me 1913, patriotët shqiptarë vazhduan betejën e tyre diplomatike kundrejt shteteve evropiane, duke kërkuar të drejtat themelore të shqiptarëve të shtypur e të përndjekur. Kështu, nga Shkodra fillon veprimtaria e cila në vetvete ngërthen një mision madhor që bëhet shpresë për ëndrrat e mohuara shqiptare.

Programi i KMKK-së kishte dhjetë pika kryesore të cilat përmbanin kërkesat që ndërlidheshin me çështjen shqiptare në Ballkan. Në Kuvend kanë marrë pjesë edhe 10 anëtarë në cilësinë e nderit, pa të drejtë vote. Pas një debati tri orësh, KMKK do të ketë këtë përbërje: Hoxhë Kadri Prishtina (kryetar), Hysni Curri (nënkryetar), Halim Gostivari (nënkryetar) dhe Bedri Pejani (sekretar). Anëtarë u zgjodhën: Sali Gjuka, Isuf Veseli, Sadik Ramë Deçani, Neshi Hoxhë Sadiku, Avdush Kastrati, Jahja Begolli, Hamdi Zajmi, Niman Ferizi, Rrok Perolli, Tahir Zajmi, Kahreman Begolli dhe Ibrahim Gjakova-Çaushi. Anëtarët e nderit ishin: Hasan Prishtina (mungonte në takim sepse ishte në Vjenë bashkë me 36 prijës shqiptarë për të vizituar familjen e Franc Jozefit që kishte vdekur kohë më parë), Bajram Curri, Mehmet Delia, Azem Bejta, Naxhip Draga, Aqif Blyta, Ramë Vllasa, Ilaz Raçaku, Nak Berisha, Dan Doroci.

Aktivitetet e KMKK-së u shtrinë përgjatë brenda dhe jashtë trevave që mbetën nën sundimin e huaj. Qëllimi ishte të mbrohej sidomos populli i Kosovës i cili më së shumti përjetoi gjenocidin serb. Po ashtu, kërkohej kthimi i të gjitha trojeve të copëtuara nën një ombrellë, në Shqipërinë Natyrale.

Vepra e KMKK-së shënoi një pike kthese në kohët e vështira për kombin tonë. Përmes kësaj veprimtarie u rikthye shpresa për popullin, vullneti për të mos u dorëzuar. Përmes KMKK-së u dëshmua edhe njëherë para fuqive evropiane se populli shqiptar nuk njeh dorëzimin dhe se e drejta e tij për liri dhe pavarësi do të triumfojë pavarësisht rrethanave.

Loading...