Qeveria e Kosovës vendosi që ta rrisë taksën ndaj produkteve serbe nga 10 për qind në 100 për qind.

Kjo gjë tashmë është konfirmuar edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Loading...

Në komunikatë thuhet:

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka propozuar ndërrimin e masës nga 10, në 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Shala në mbledhje të Qeverisë e ka arsyetuar vendimin, duke dhënë shkaqet që duhet të merret ky vendim.

Shala ka thënë se pas një analize që është bërë nga departamenti i Tregtisë, ka ardhur një propozim i tillë.

Ky është propozimi i plotë i ministrit Shala:

“Duke marr për bazë analizat profesionale të Departamentit të Tregtisë, të MTI-së, më lejoni që të propozoj këtë propozim vendim dhe të kërkoj nga ana juaj miratim në këtë mbledhje të qeverisë. Siç e dini prodhuesit kosovar ballafaqohen me barriera të ndryshme jo tarifore në Serbi, produktet e të cilëve nuk mund të hyjnë në tregun e Serbisë. Autoritetet serbe nuk i njohin analizat e importuesve kosovar dhe gjithashtu ata kërkojnë rivlerësim të mallrave të Kosovës.

Për më tepër çështja e transitit, mbetet ende një pengesë shumë serioze për kompanitë e Kosovës, ndërsa importohet nëpër vendet e BE-së dhe kalon nëpër territorin serb. Sa i përket barrierave tregtare me Bosnjën janë po të njëjtat, si ato me Serbinë. Shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Bosnjës tregojnë qartë se importet po rriten vazhdimisht në krahasim me eksportet. Për më tepër ka një asimetri të madhe sa i përket ofertave publike, ku kompanitë e Kosovës nuk mund të konkurrojnë ligjërisht në ofertat publike në Serbi. Në anën tjetër ka më shumë se 100 oferta publike që kompanitë serbe kanë fituar në Kosovë. Problemet tjera ka shumë. Kosova nuk mund ta zhvillojë industrinë e saj të transportit dhe humb qindra vende pune, sepse kamionët e Kosovës nuk lejohen ta përdorin Serbinë si vend transit për në tregun e BE-së.

Për më tepër këto probleme vetëm rriten kur ja shtojmë edhe problemet që ne i kemi politike me këto dy shtete. Qeveria e Kosovës, por edhe ne si ministri jemi të angazhuar që të punojmë çdo ditë në përmirësimin e raporteve me të gjithë fqinjët, pa marrë parasysh ku, mirëpo këto raporte dhe marrëdhënie nuk mund të përmirësohen kur Republika e Kosovës nuk trajtohet si shtet dhe në mënyrë të barabartë. Askush nuk mund të kërkojë që të shes produktet e tyre në tregun tonë dhe të ndalojë produktet tona të shiten në tregun e tyre. Kjo është një marrëdhënie reciproke e të cilën ne me këmbëngulje kërkojmë që ta respektojmë. Duke u bazuar në këto që thash më lartë, të nderuar koleg kërkoj nga ana juaj të miratoni propozimin që e keni marr me kohë. Ju faleminderit.

Loading...