Letrat e mëposhtme janë gjetur në tryezën e Bethovenit pas vdekjes. Nuk dihet me saktësi se kujt i drejtohen. Historianët mendojnë se janë shkruar për një grua të martuar Antonie Brentano që ai e donte shumë e cila u largua nga qyteti në kohën kur ai i shkruante këto letra.

Loading...

Së dashurës së tij të pavdekshme

Mëngjes, 6 korrik

Engjëlli im, gjithçkaje ime, vetvetja ime! Vetëm disa fjalë po të shkruaj sot dhe këto me laps(tuajin). Jo më herët se nesër, do të përcaktohet me siguri akomodimi im (Çfarë humbje e kotë kohe! ) Pse kjo dhimbje e thellë, kur ne kemi aq shumë nevojë, por nuk i kërkojmë asgjë njëri-tjetrit? Asnjë vështirësi dhe flijim nuk mund ta ndryshojë faktin se ju jeni tërësisht e imja dhe unë tërësisht i juaji. O Zot, shikoni jashtë bukuritë e natyrës dhe ngushëllojeni zemrën! Dashuria kërkon çdo gjë, dhe me shumë të drejtë. Kjo është një e vërtetë edhe për mua edhe për ju. Por ju harroni kaq lehtë se unë duhet të jetoj edhe për veten, edhe për ju. Në qoftë se do të ishim plotësisht bashkë, të dy, do të ndienim më pak dhimbje. Udhëtimi ishte i frikshëm. Kam arritur këtu dje në mëngjes, në orën 04:00. Në mungesë të kuajve, karrocieri zgjodhi një rrugë tjetër, por ajo ishte e tmerrshme. Herën e fundit isha paralajmëruar të mos udhëtoja natën. Karrocieri i duhej të ndalonte herë pas here në atë rrugë të mjerë, një rrugë me baltë dhe pa fund. Pa ndihmës të tillë unë do të kisha mbetur i mbërthyer në rrugë. Edhe Esterhazy, që udhëton me karrocë me tetë kuaj, pësoi po atë fat që pata edhe unë me katër kuaj. Megjithatë, unë pata kënaqësi nga kjo ndodhi, siç më ndodh gjithmonë kur i kapërcej me sukses vështirësitë.

Tani, një kalim të shpejtë te gjërat më kryesore. Me siguri, ne do ta shohim njëri-tjetrin shumë shpejt. Pa u takuar, unë nuk mund t’jua shpjegoj dot mirë mendimet e mia dhe gjërat që më kanë ndodhur këto ditë. Nëse zemrat tona do të ishin gjithmonë afër dhe bashkë, unë nuk do të kisha asnjë nga këto mendime të shqetësuara. Zemra ime është plot me kaq shumë gjëra për t’jua thënë juve. Ah, ka çaste kur mendoj se fjalët nuk thonë asgjë. Gëzohu, mbetesh thesari im i vërtetë dhe i vetëm! Gjithcka e imja, si dhe unë i juaji. Zotat do të na dërgojnë pjesën tjetër, ajo që duhet dhe do të jetë për ne.

Ludwig-u juaj besnik

Së dashurës së tij të pavdekshme Në mbrëmje, e hënë, 6 korrik Ju jeni duke vuajtur, krijesa ime e dashur! Vetëm tani mësova se letrat duhet të jenë postuar shumë herët në mëngjes, nga e hëna deri të enjteve, të vetmet ditë kur korrieri niset nga këtu për në K. Ju jeni duke vuajtur. Ah, kudo ku jam unë, jeni edhe ju. Unë do të përpiqem që të mund të jetojmë bashkë.

Çfarë jete! E tillë? Pa ty? Ndonëse jetoj i rrethuar kudo nga mirësia e njerëzve, unë e shijoj aq pak atë, aq pak sa edhe mendoj se e meritoj. Përulja e njeriut ndaj njeriut më jep dhimbje. Por kur e shoh veten në raport me Universin, pra, çfarë jam unë dhe çfarë është Ai që ne quajmë Hyjni? Dhe mendoj se edhe qenia hyjnore këtu qëndron, te njeriu. Trishtohem kur mendoj se ju ndoshta deri të shtunën nuk do ta merrni letrën. Mendo sa më do mua. Unë të dua më shumë. Kurrë mos e fshih veten prej meje. Natën e mirë!

Pas një dushi, më duhet të shkoj në shtrat. O Zot! Kaq afër! Kaq larg! A nuk është dashuria jonë me të vërtetë një strukturë qiellore po aq e fortë sa kupola e Parajsës?


 
Loading...