Ajo e së dielës do të jetë një “Clasico” e veçantë për Julen Lopetegui, i cili ka luajtur për tre vite me “blaugranat”. Edhe pse trajnerit të Real Madrid nuk do t’i pëlqejë aspak të kujtojë të kaluarën e tij te Barcelona.

Loading...

Ai ka mbrojtur për tre vite portën e katalanasve, por kanë qenë tre vite të tmerrshëm. Një periudhë që i ka lënë një shije shumë të keqe, të cilën mund ta provojë përsëri në përfundim të ndeshjes së të dielës, nëse nuk do të arrijë të marrë një rezultat pozitiv.

Dhe shkarkimi pas një ndeshje me Barcelona-n do të ishte për Lopeteguin një vazhdim i atij ferri që zgjati plot 36 muaj. Edhe për këtë, ai do të kërkojë të bëjë gjithçka është e mundur për të dalë i padëmtuar nga “Camp Nou”.

Ndeshjen e parë me Barçën e ka luajtur në 1994-ën, ka qenë ndeshja e kthimit e Superkupës së Spanjës. Në takimin e parë, të fituar 2-0 nga katalanasit, në portë ishte Busquets, babai i Sergio, por në ndeshjen e kthimit Cruijff i ka besuar Lopetegui-t.

Një besim që nuk është shpërblyer, sepse basku ka pësuar pesë gola dhe ka bërë gabime të pafalshme. Barça, gjithsesi, arriti ta fitonte trofeun pasi shënoi katër gola. Gjithsesi, nga ai moment e në vazhdim, trajneri aktual i Real Madrid ka qëndruar vetëm në stol.

Edhe eksperienca e dytë nuk ka shkuar më mirë. Në fakt, në ndeshjen e Kupës së Mbretit të luajtur kundër Bilbao-s, ai ka shkaktuar një penallti dhe është ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 13-të të ndeshjes, që nga 1-0 është mbyllur 1-4 për bardhekuqtë.

Pas asaj sfide marrëdhënia me Cruijff nuk ka qenë aspak e mirë. Në sezonin pasues holandezi e ka lënë në shtëpi për një turne para-sezonal të zhvilluar në Itali dhe kur Busquets është dëmtuar, në portë ka shkuar Angoy, i cili ishte portieri i tretë në atë kohë.

“Dua të flas me Cruijff, duhet të sqaroj disa gjëra. Nuk jam një djalosh dhe kam shumë eksperiencë, nuk mund të trajtohem në këtë mënyrë”.

Asgjë nuk ka ndryshuar, madje shpesh ai as që është grumbulluar. Situata nuk është përmirësuar as ku Profeti i Golit i ka lënë vendin Robson-it. Përkundrazi, është përkeqësuar. Ndeshjen e fundit me Barcelona-n e ka luajtur në verën e 1996-ës, gjithmonë në Superkupën e Spanjës dhe gjithmonë kundër Bilbao-s.

Më pas, errësirë totale. Dhe pas poshtërimit të radhës (në një ndeshje pa asnjë rëndësi të Kupës së Kupave ka luajtur Busquets dhe jo ai) basku ka shpërthyer:

“Më kanë poshtëruar”.

Ferri katalanas ka përfunduar në 1997-ën, me shitjen e tij te Rayo. Por 20 vite më pas, ato kujtime djegin akoma. Dhe gjëja e fundit që do të dojë Lopetegui është që të hapë plagët e vjetra…


 
Loading...