Gëzim Mekuli

Fushata parazgjedhore ka filluar. Varësisht nga intereset e tyre ekonomike e partiake, mediet shqipe po shpërdorojnë fjalën, zërin dhe fotografinë. Qytetarët, si asnjëherë më parë, janë të rrezatuar e të rrezikuar nga propaganda dhe nga lajmi i rremë. Në këtë trajtesë do sjellë në pah disa «modele» që ndikojnë në ndërtimin e opinionit publik si dhe në bindjet e individëve. Sot këto modele, janë duke u zbatuar me turr nga fanatikë të partive politike, por të mbeshtjellur me pëlhurën e gazetarisë së pavarur.

Loading...

1.  Band – Wagon – effect

Modeli i parë quhet “Band – Wagon – effect”. E veçanta e këtij modeli është se këtu regjistrohet një tendencë tek të dyshuarit dhe te të pavendosurit, të cilët duhet të zgjedhin mes dy pikëpamjeve apo personave me orientime të ndryshme partiake. Zakonisht ky grup i të pavendosurve vrapojnë e ngjiten në “karrocat” partiake që kanë më shumë anëtarë. Kjo do të thotë se të dyshuarit dhe të pavendosurit rreshtohen më lehtë pas pikëpamjeve/personëve të cilët dominojnë në opinion. Këtu mund të flitet për një “bashkëvrapim partiak”.
Për të pavendosurit është me rëndësi të jesh në një taborr me ekipin fitues, prandaj gjithnjë e më shumë persona u turrën dhe u bashkangjiten pikëpamjeve apo politikanëve që kanë më shumë përkrahje. Teoria mbi “Band – Wagon – effect” është e vjetër. Që para Luftës së Dytë Botërore janë zhvilluar hulumtime mbi zgjedhjet e lira në SHBA. Hulumtimet tregojnë se kjo teori është “dopinguese” dhe goxha efikase për individët dhe grupimet që nuk janë këmbëngulës dhe të pavendosur rreth ideve të tyre alternative. Pra, ky model ndikon tek ata votues që janë të luhatshëm në pikëpamjet dhe në në qëndrimet tyre politike. Në lidhje me këtë, do t’i referohem një studimi (1989) që është zhvilluar në SHBA, gjatë zgjedhjeve presidenciale në mes Georg Bush dhe Michael Dukakis. Sondazhet që tregonin rezultatet pozitive/prijëse për njërin nga kandidatët, e që transmetoheshin nga mediet, shkaktonin ndikim më të fuqishëm tek shtresat e popullit me arsimim të ulët, sesa në ato me arsimim të lartë.

2.  Modeli i fuqisë

Shprehja “modeli i fuqisë” është instaluar nga norvegjezi Braten. Aktorët/Personat me «model të fortë» në hapësirën publike konsiderohen dhe respektohen si «shembujë të mirë» për idetë, për opinionet dhe për «analizat» e tyre të thella politike. Ata që në fjalime janë të mirë dhe që kanë njohuri për një çështje të caktuar, fitojnë në publik “simbolin e të fortit”. Këta «aktorë të fuqishëm» publik kontrollojnë «modeldobëtit; pra «të fuqishmit» kontrollojnë individët dhe grupimet të cilët janë dijepak. Kështu model-dobëtit «thithin» sqarime dhe informacione mbi botën e tyre nga «model-fortët», duke mos qenë të vetëdishëm se këta janë duke e përjetuar dhe kuptuar “realitetin” social, ekonomik e politik përmes «syzeve të njerëzve të fortë».

Fushata parazgjedhore na mundëson të shofim se si komunikimi dhe debati publik në Prishtinë dhe në Tiranë ka plot shembuj nga kjo teori, ku ngritja e elitës simbolike të “modelit të të fortëve” ka përparësi. Ata që vazhdimisht paraqiten në media dhe që “diagnostifikojnë” situatën sociale – ekonomike, politike e ushtarake, fitojnë modelin e të fortit. Modeli i fuqisë nuk ndërtohet vetëm nga fjalët dhe përmbajtja e informacionit. Ky model ndërtohet po ashtu edhe nga autoriteti dhe nga karizma e udhëheqësve, e cila vjen në shprehje përmes mënyrës së plasimit të porosive të tyre në publik. Mjeshtërisht, ky lider ia “vjedh” vëmendjen publikut, më parë përmes motiveve të tij, sesa nëpërmjet veprimeve të tij. Në perspektivën politike «vëmendja» luan rol qëndror, sepse kjo është një instrument i fuqishëm politik. «Vëmendja» është e lidhur ngusht me pronësimin/pasjen e fuqisë. Mungesa e fuqisë do të thotë izolim dhe padukshmëri në publik. Për politikanët shqiptarë vëmendja në opinion është çështje midis “jetës dhe vdekjes”. Duke arritur që opinioni publik të përqendrohet tek dëshirat dhe tek personaliteti i tij, udhëheqësi i sotëm karizmatik, pengon që kundërshtimet dhe kritikat objektive të depërtojnë në publik. Duke krijuar përshtypjen për një angazhim të tij të sinqertë dhe për një vetëkontroll rreth asaj që “atë e mundon”, aktori politik bën që individi dhe publiku “të dorëzojnë pavarësinë” e vet dhe t’i nënshtrohen autoritetit të tij. Veçanërisht sot gjatë fushatës parazgjedhore, përveç opinionit publik, edhe gazetarët janë viktimë e elitës institucionale. Edhe përqëndrimi i gazetarisë së lajmit në burime “të nxjerra” nga elita e ekspertëve ushtarak, ambasadorëve, diplomatëve dhe politikanëve është i njohur. Në këtë mënyrë gazetarët e lajmit ndikojnë në përforcimin e monopolit të “modelit të të fortit”.

Në një situatë të tillë shqiptarët pyesin: Mos, vallë, mediat shqipe kanë lëvizur nga roli i tyre në mbrojtje të demokracisë në drejtim të përforcimit të autokracisë?

Loading...