Fjalimi në Mbledhjen e 35-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të dashur aktivistë të Lëvizjes, të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, i nderuar kryesues i Këshillit, z. Hydajet Hyseni, të nderuar deputetë e miq të tjerë të ftuar,

Të nderuar gazetarë e punonjës të mediave,

Loading...

Ju uroj mirëseardhjen në këtë mbledhje të 35 të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kjo është mbledhja e fundit për vitin 2018, andaj rasti e kërkon që të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të vitit që po e lëmë pas.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! fillimi i këtij viti ka qenë paksa i pazakontë, sepse ende nuk po e kuptonim se përse, një grup aktivistësh të dikurshëm, u përpoqën ta dëmtojnë Lëvizjen dhe t´ia shkaktojnë asaj një aksident.

Sigurisht, ata nuk ia dolën ta dëmtojnë Lëvizjen, sepse shumica dërrmuese e anëtarëve dhe e simpatizuesve tanë, e lexuan mirë situatën dhe nuk e tradhtuan rrugën e drejtë kombëtare dhe shoqërore.

Ne nuk e dinim pse ndodhi kjo, cilat ishin arsyet dhe shkaqet e qëndrimit të tyre armiqësor ndaj Lëvizjes e ndaj meje. Nuk arrinim ta kuptonim tërësisht, mund të kishim vetëm hipoteza.

Por, siç ka thënë historiani i shquar romak, Tit Livi, 21 shekuj më përpara, çdo tentativë mashtruese, sado e maskuar mirë që të jetë në fillim, kur të vijë fundi do ta tregojë vetveten.

Dhe kështu, kësaj tentative hileqare, arritëm t´ia kuptojmë tërësisht të vërtetën vetëm dje, kur i pamë në media të botuara mesazhet e tyre.

Ndonëse mund ta kuptosh të vërtetën si orientim, kur e kupton të vërtetën në saktësinë e përmbajtes së saj atëherë sigurisht se ky është zhvillim i ri.

Kjo e vërtetë nuk na gëzon aspak, përkundrazi, na hidhëron. Trishtohemi që parashikimet tona po dalin të sakta, e që kushdo që po del prej Vetëvendosjes, po përfundon në prehër të PDK-së.

I pata lutur të qëndrojnë në Lëvizje, por paskam qenë i pashpresë për projektin e tyre. Ashtu siç u bënë të pashpresë ata, si për të gjithë të tjerët, në fund, njashtu edhe për veten e tyre.

Nuk do ta kishim problem të madh atë që ka ndodhur, po të mos ishte momenti delikat në të cilin po kalon Kosova, sa i përket përpjekjeve të Thaçit për të përmbyllur me një skenar antikombëtar dialogun e dështuar, me një marrëveshje të dëmshme për Kosovën e për kombin.

Skenari i Thaçit për ndarje e mori përgjigjen në protestën popullore të 29 shtatorit, një protestë masive e paqësore, ku dhjetëra mijëra qytetarë dolën kundër këtij plani, dhe Thaçi mbeti vetëm. Por, mesazhet e publikuara tregojnë se 12 deputetë tashmë Thaçi i paska blerë, e tashmë këta janë borxhlinj të Thaçit e të Kadrisë. Tani ata flasin sikur Kadria, dhe mbështesin Thaçin.

Po ashtu, Thaçi e Veseli e kanë shfrytëzuar edhe lakminë e AAK-së e të Nismës për pushtet, që të shuajnë mospajtimet e tyre e t´i përfshijnë ata në dialog.

Është fatkeqësi për Kosovën që dialogu i cili do të përcaktojë fatin tonë të përgjithshëm, përcaktohet nga një njeri i cili mbështetjen e siguron përmes blerjeve dhe shantazhimeve.

Paralajmërojnë se duhet të arrihet marrëveshja deri në pranverë. A e dini pse? Sepse aq zgjat imuniteti i Thaçit nga Gjykata Speciale, pra, për aq kohë sa ndodhet znj.Mogherini në detyrën e saj. Kurse Haradinaj nuk mund të zgjas pas Thaçit. Afatin e skadimit, të shtuar për së dyti mbi ambalazh, e kanë që të dy të njëjtë.

Thaçi thotë një fjali: kompromis të dhimbshëm me korrigjim të kufijve. Haradinaj shkroi 30 faqe: kompromis të dhimbshëm pa korrigjim të kufijve. Ne themi e shkruajmë e bëjmë: mjaft dhimbje ka pasur Kosova me këta!

Por, viti 2018 nuk ka patur vetëm tradhti në Kosovë e dialog për Serbinë. Ka patur edhe vdekje të punëtorëve në vendet e punës, të cilave qeveria u është përgjigjur me indiferencë. Sepse kjo është një qeveri mike e korporatave dhe kompanive që abuzojnë me punëtorët, dhe jo mike e punëtorëve. Prandaj qindra punëtorë janë drejtuar tek Lëvizja VETËVENDOSJE!, dhe janë anëtarësuar tek ne, ndër ta edhe Përparim Sadiku, punëtori i Bechtel Enkas që mbeti i varur në lartësi të madhe për dy orë, e që shpëtoi për mrekulli.

Kushtet e këqija për punëtorët mirëmbahen nga papunësia e madhe. Është vështirë të luftosh për të drejta kur ke shumë të papunë që janë të gatshëm ta marrin vendin tënd të punës ndërkohë që ti proteston. E në këtë drejtim, qeveria nuk ka bërë asgjë për zbutjen e papunësisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Përkundrazi, qeveria sivjet ka marrë vendimin absurd të rritjes së rrogës për kryeministrin, ministrat, batalionin me zv.ministra dhe armatën me këshilltarë. Tash e kemi kryeministrin me rrogën më të lartë në Ballkan, ndërkohë që jemi vendi me të ardhura më të ulëta për frymë në krejt Evropën dhe vendi me rrogë mesatare ndër më të ulëtat jo vetëm në Evropë.

Shumë protesta e greva ka patur për kushtet e punës, dhe aktualisht janë mjekët e QKUK-së që protestojnë. Këta mjekë nuk e kanë asnjë faj, kirurgu prej të cilit varet jeta e qindra qytetarëve paguhet 600 euro në muaj, ndërkohë që qindra këshilltarët paguhen nga 2.000 euro me gjithë mëditje.

Edhe nëse çdo pabarazi nuk është korrupsion, çdo korrupsion është pabarazi. E, pabarazia drastike është gjithsesi korrupsion. Kryeministri në Kosovë e ka rrogën pesëfish më të lartë se kirurgu, plus beneficionet e privilegjet e tjera për të. Mbase kirurgjia e prerjes së territorit nga Haradinaj për t’ia hequr Kosovës 8.200 hektarë na qenka më e vlefshme sesa prerja e kirurgut në spital që shpëton jetë njerëzish.

Të nderuar të pranishëm,

Varfëria po rritet, e po ashtu po rriten edhe çmimet, jeta po bëhet më e shtrenjtë. Mirëpo qeveria e Kosovës në vitin që po shkon nuk tregoi ndonjë prirje për të drejtuar ekonominë e Kosovës kah zhvillimi. Ajo vazhdoi avazin e vjetër, atë të asfaltit. A e dini pse? Sepse në asfalt gjysmën e pareve po i vjedhin, e prandaj po na del kilometri i asfaltit më i shtrenjtë se kudo në Ballkan e në Evropë.

Fatkeqësisht është se, jo vetëm në vitin 2018, por edhe në vitin e ardhshëm, siç u mor vesh edhe nga buxheti, fokusi do të jetë në asfalt e jo në zhvillim ekonomik.

Asnjë plan për zhvillim ekonomik nuk e ka kjo qeveri. Madje edhe taksën 100% që ia ka vendosur Serbisë, e cila po të qëndronte do t´i ndihmonte deri diku prodhuesit vendorë, fatkeqësisht kryeministri Haradinaj ka ofruar që ta heqë, nëpërmjet marrëveshjes së tij gjithëpërfshirëse. Pra, e vendos pa plan, dhe ofron që ta heqë po ashtu pa plan. Një qeveri pa kompetencë ekonomike, pa vizon progresist e pa orientim zhvillimor. Si të gjitha qeveritë e mëparshme, fokusi i tyre është pasurimi i vetes, privatizimet abuzive e koncesionet korruptive.

Një ndër to, ndoshta më skandalozja, ishte marrëveshja me Contour Global-in për dhënien me koncesion të burimeve të thëngjillit, që të shfrytëzoheshin për 20 vitet e ardhshme. Pra një prej burimeve të cilin e kemi me bollëk, këta e japin me koncesion që të prodhojë energji një akter privat e që t´ia shesë qytetarëve edhe më shtrenjtë se sot. Edhe vetë e kanë pranuar se çmimi i energjisë do të rritej, e në ndërkohë ky çmim edhe sot për sot është i papërballueshëm për qytetarët.

Sa i përket organizatës sonë, ne jemi rritur e kemi ecur përpara në të gjitha aspektet, edhe gjatë këtij viti, pavarësisht përpjekjeve për ta ndalur apo dëmtuar Vetëvendosjen.

Gjatë vitit 2018, deri më sot, ne i kemi patur 5.120 anëtarësime të reja. Nuk ka asnjë vit prej se jemi themeluar me kaq shumë anëtarësime brenda vitit. Dhe, pasi i kemi përditësuar e pastruar listat, sot ne i kemi mbi 36.500 anëtarë gjithsej, duke qenë një prej organizatave politike më të fuqishme jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Sigurisht, suksesi nuk ka qenë vetëm tek anëtarësimet, por edhe te strukturimi i brendshëm. Gjatë këtij viti ne i kemi bërë edhe 146 pika të reja, pra jemi shtrirë edhe në 146 lagje qytetesh apo fshatra anembanë komunave të Kosovës ku më përpara nuk kemi patur strukturë.

Anëtarësimet e reja na i shtojnë radhët, strukturat e reja na i shtrëngojnë radhët. Synim për vitin e ardhshëm do të jetë vazhdimi i zgjerimit të anëtarësisë, dhe i ndërtimit të pikave të tjera, dhe i zhvillimit të atyre ekzistuese, ndër të cilat objektiv prioritar e kemi shtrirjen e organizimit tonë edhe me dy qendra të reja në mërgatë. Pra, në vitin e ardhshëm, do të të ndërtojmë edhe qendrën e Lëvizjes në ShBA dhe në Francë. Po ashtu, do të shikohen mundësitë për formimin e qendrave në Greqi, Kroaci e Itali, ku ka prezencë të madhe të mërgatës shqiptare.

Në aspektin organizativ, nuk mund të mos e falënderoj sekretaren tonë organizative, znj/ Vlora Haxhimehmedi, e cila është shembull i mirë i gruas që punon me ndjenjë të lartë përgjegjësie në detyrë, dhe ka prurë në mesin tonë një etikë pune të nivelit evropian. Gjatë këtij viti, me Vlorën në krye të Sekretariatit të Përgjithshëm, ne e kemi rritur ndjeshëm buxhetin për qendra, dhe kemi bërë një decentralizim buxhetor transparent. Për çdo vendim që kemi marrë, janë konsultuar qendrat, ndryshe nga ç’është bërë më përpara.

Në këtë mbledhje të Këshillit, në vijim, ne do të diskutojmë edhe për tri deklarata të rëndësishme që do të shtrohen për miratim në këtë Këshill: Deklarata për Gratë, për të Rinjtë, dhe për Mërgatën. Brenda disa muajve ne do të lëvizim me ristrukturim të organizatës sonë në drejtim të këtyre tre faktorëve shoqëror, të cilët janë faktorë vendimtarë për të sjellë në Kosovë ndryshimin që aq shumë e dëshirojmë.

Në vitin e kaluar, ne kemi pasur qëllime të mira dhe kemi ecur drejt në aspektin vendës por edhe në atë ndërkombëtar. Kemi zhvilluar takime me të gjithë ambasadorët e rëndësishëm, të vendeve të fuqishme që e njohin Kosovën. Po ashtu, jemi anëtarësuar në strukturat e Internacionales Socialiste, e cila është organizata botërore e partive socialdemokrate dhe të majta të qendrës. Përmes këtij anëtarësimi ne kemi marrë pjesë si Lëvizje në disa takime ndërkombëtare ku jemi takuar dhe kemi krijuar kontakte të vlefshme me kryeministra e kryetarë të opozitave nga vende të rëndësishme të rajonit, të Evropës e të botës. Ky anëtarësim e ka rritur mbështetjen ndërkombëtare për Lëvizjen, dhe po ashtu i ka krijuar mundësi shumë aktivistëve të rinj të marrin pjesë nëpër trajnime e konferenca ku përgatiten për të ardhmen. Kjo ka ndodhur më shumë se në çdo vit më përpara.

Për të gjitha këto falënderoj sekretarin për marrëdhënie me jashtë, Boiken Abazin, dhe ekipin që punon me të, të cilët janë përpjekur përditë për të forcuar lidhjet e Lëvizjes me faktorë të rëndësishëm jashtë saj.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe komitetet profesionale të Lëvizjes, të drejtuara nga znj. Dejona Mihali. Komitetet janë krenaria jonë profesionale, ato kanë organizuar me dhjetëra e dhjetëra tryeza, takime, konferenca, me ekspertë të të gjitha fushave dhe kanë nisur me formimin e këshillave të profesionistëve. Është puna e tyre e palodhur ajo që na ka pajisur me argumente dhe na ka bërë të fitojmë çdo debat, si në Kuvend ashtu edhe në emisione televizive. Meqë ra fjala te ekspertët, shumë prej të anëtarësuarve të rinj në Lëvizje janë profesionistë të fushave të ndryshme. Kushdo që është i ndershëm dhe i mirë në profesionin e vet, e ka vendin në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila shumë shpejt do të jetë në pushtet dhe do të vendosë njerëzit e zotë në vendin që ata e meritojnë për të mirën e vendit tonë.

Së fundi, duhet të falënderoj edhe Glauk Konjufcën, i cili është edhe kryetari im, si shef i grupit parlamentar në Lëvizje. Me dijen e tij të gjerë, me mprehtësinë e mendimeve dhe shkathtësinë e potezave të tij, ai ia ka dalë të na udhëheqë neve deputetëve të Lëvizjes përballë gjithë problemeve me të cilat është ballafaquar parlamenti sivjet, probleme që fillojnë nga natyra etike e morale e deputetëve që shiten e blihen, e deri te kurthet hileqare që deputetët qeveritarë shpesh ia bëjnë popullit. Glauku bashkë me deputetët e tjerë, nuk kanë lënë plan të rrezikshëm pa demaskuar nga foltorja e Kuvendit.

Dhe, krejt në fund, më lejoni t’i falënderoj edhe gazetarët. Në vitet e mëhershme më shumë na përndiqte policia sesa që na ndiqnin gazetarët. Kësaj radhe ishte e kundërta. Ju falemnderit për raportimet e zhvillimeve, hulumtimet e temave dhe pasqyrimet e realitetit.

2019 ka për të qenë vit i vështirë për Kosovën, nëse nuk e ndalim presidentin e pazareve me Kosovën dhe kryeministrin e rrogave të larta për vete.

Por, duke njohur vendosmërinë e Lëvizjes sonë dhe të popullit tonë, unë jam i bindur se këta pushtetarë nuk do ta kenë të lehtë. Në fakt, do ta kenë shumë të vështirë, pafundësisht të vështirë. Është detyra jonë që të jemi të afërt dhe të mbajmë marrëdhënie korrekte me partinë tjetër opozitare, LDK, sepse ne jemi partitë më të mëdha shqiptare në Kosovë, dhe pa miratimin tonë, asnjë projekt nuk mund të shkojë përpara.

E nëse duan t´i çojnë përpara projektet me dhunë, me blerje të PSD-ve e me shantazhim të AAK-së e të Nismës, atëherë këta të PDK-së do të përballen edhe një herë me vendosmërinë e qytetarëve, kësaj radhe jo për t’i ndalur, por edhe për të shkuar në zgjedhje të reja, që do t´i jepnin fund pazareve e do t´i jepnin fillim zhvillimit ekonomik, mirëqenies sociale e drejtësisë institucionale në Kosovë.

Ju falemnderit.

 

Loading...