Meta në fjalimin e tij tha se nëse vazhdohet të shkohet më tutje me këtë ide, të cilën po e promovon presidenti Thaçi, atëherë mund të thuhet se kjo është një kronike e një konflikti të paralajmëruar.

Loading...

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ndryshe nga kryeministri Edi Rama, ka dalë kategorik kundër idesë së Hashim Thaçit për shkëmbim të territoreve dhe lëvizje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Meta ka thënë se një ide e tillë është ide e Millosheviqit, dhe sipas tij fakti që SHBA-ja dhe BE-ja kanë dhënë alarmin karshi kësaj ideje do të duhej të ishte një fakt i mjaftueshëm se një ide e tillë është e rrezikshme.

Presidenti shqiptar, në një fjalim në Qendrën ‘George Marshall’ në Gjermani, shkoi aq larg sa idenë e Thaçit për korrigjim të kufirit e krahasoi me ambicien i ish liderit serb Slobodan Milloshevic për shtete një etnike, e cila kishte shkaktuar tragjedi dhe gjenocid në hapësirat e ish’Jugosllavisë.

Meta në fjalimin e tij tha se nëse vazhdohet të shkohet më tutje me këtë ide, të cilën po e promovon presidenti Thaçi, atëherë mund të thuhet se kjo është një kronike e një konflikti të paralajmëruar.

“Nuk mund të ketë një kërcënim më të drejtpërdrejtë se ky për sigurinë tonë. Nëse do të shkojë edhe më tej, ne mund të parashikojmë vetëm se pasojat e tij do të ishin krejtësisht të paparashikueshme. Mund të konsiderohet si kronika e një konflikti të parathënë e të paralajmëruar”, ka thënë Meta në fjalimin e tij të mbajtur në Gjermani, shtet i cili gjithashtu është deklaruar kundër idesë së ndryshimit të kufijve.

Duke iu referuar idesë së korrigjimit të kufijve, Meta tha se propozimi i fundit për një debat të ri mbi atë që do të përbënte marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, po konsumon shumë energji për objektivat e gabuara.

“Ai as nuk e konsolidon dhe as nuk e paqton rajonin. Hapja e një debati të tillë në një kohë kur janë ngritur flamujt e kuq sinjalizues e paralajmërues nga SHBA-ja dhe BE-ja për përfshirjen e aktorëve të tretë në rajon, e bën atë edhe më alarmues.

Kemi parë se gjatë javëve të fundit, retorika politike po zhvillohet me një gjuhë të ashpër provokuese, duke ringjallur ‘nostalgjinë’ e regjimit të tmerrshëm të gjenocidit”.

“Më lejoni të jem i qartë, kërkimi i normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet shkëmbimit të territoreve do të thotë të shkatërrosh e të çosh dëm një investim sigurie prej dy dekadash. Le të risjellim në kujtesën tonë se si ambiciet politike që u përpoqën të krijojnë shtete etnike homogjene në Ballkan prodhuan tragjedi të tmerrshme njerëzore. Mijëra viktima dhe persona të zhdukur, dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur forcërisht ishin pasojat alarmuese të genocidit të Millosheviçit. Ky terror çoi në angazhimin e parë ushtarak të Aleancës Perëndimore në historinë e saj pesëdhjetëvjeçare”, tha më tej Meta.

Tutje, ai ka thënë se ndërhyrja vendimtare e NATO-s në Kosovë krijoi një ekuilibër të ri në marrëdhëniet midis Ballkanit dhe Perëndimit, që do të thotë SHBA, NATO dhe Bashkimi Europian.

“Që prej atëherë, ky rajon është përfshirë në zotërimin e tyre të sigurisë si e vetmja antidotë për të pasur e gëzuar paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm. Modeli evropian i bashkëjetesës është i vetmi kusht si ne qua non (i domosdoshëm) për të ardhmen e Ballkanit dhe perspektivën e tij evropiane. Ky model është në zemër të Paketës së Ahtisaarit, shtyllës kryesore të marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Pasi Kosova e mishëroi dhe e përfshiu këtë paketë në kushtetutën e vet dhe ndoqi rrugën e saj të parashikuar të pavarësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi procesin me vendimin e saj ligjor, duke pranuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe integritetin territorial në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Sipas Presidentit të Shqipërisë, Kosova është e njohur dhe e pranuar nga shumica e vendeve anëtarë të OKB-së, përfshirë 23 anëtarët e BE-së dhe të gjitha vendet e rajonit tonë, përveç Serbisë.

“Qëllimi i dialogut të udhëhequr nga BE-ja ishte të sillte përfundimin e tërë këtij procesi. I fuqizuar nga vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian, ai lehtëson normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, deri më tani duke prodhuar një paketë prej 24 marrëveshjeve, të miratuara nga të dyja vendet. Do të ishte përtej çdo logjikimi të arsyeshëm se tani ky dialog po prodhon një marrëveshje të re, që ndryshon kufijtë përgjatë vijave etnike, duke shkuar kundër një procesi që ka zgjatur afro dy dekada si dhe kundër vetë konceptit dhe frymës së Bashkimit Evropian, ashtu siç i dimë. E kuptoj plotësisht shqetësimin dhe vështirësitë e të njëjtëve zëra europianë, të zhgënjyer, në një farë mënyre, nga ‘problemet e pazgjidhura të kufijve’ mes vendeve të BE-së dhe tani, ata pretendojnë dhe paraqesin ‘zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje’ si një kusht të fortë para anëtarësimit. Por në të njëjtën kohë, unë jam kundër çdo procesi, angazhimi, projekti që, në rajonin e Ballkanit, mund të bjerë ndesh me investimin e NATO-s dhe Bashkimit Europian për çështjen e sigurisë, stabilitetit, paqes dhe gjeopolitikën”, deklaroi i prerë Presidenti.

Ai theksoi se çështjet e kufijve nuk janë thjesht ato të një rruge, ose një rezorti turistik në fshat, projekti i të cilit ka nevojë vetëm për një kompjuter, ca vija harte gjeografike dhe disa ustallarë informatikë.

“Sidomos në një rajon, ku vetëm 20 vjet më parë, popullata të tëra, qytete, fshatra, familje, etni dhe besime të ndryshme luftuan dhe u masakruan për qytete, fshatra dhe sinore shtëpish, shkëmbimet e kufijve të projektit u bënë një çështje e veçantë dhe shumë e ndjeshme. Kjo është një çështje e jetës së përditshme të njerëzve dhe historisë së tyre. Është çështje e së kaluarës, e së tashmes dhe së ardhmes së këtyre njerëzve. Marrëveshjet e korrigjimit të kufijve nuk janë çështje e hartimit të tyre; ato janë një çështje zbatimi. Është çështje e mençurisë dhe e pjekurisë; është çështje e bashkëpunimit dhe përfshirjes; është çështje e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëjetesës paqësore në rajonin tonë”, tha Meta.


 
Loading...