Saimir Tahiri është një nga personazhet e konsoliduar të kronikës së zezë. Përkrah emrit të tij, në shkrimet dhe raportimet në media gjen thuajse gjithnjë fjalët kanabis, drogë, trafik, banda, Habilaj etj.

Loading...

Që kur e akuzuan për pjesëmarrje në trafikun ndërkombëtar të drogës në formën e grupit të strukturuar kriminal, ish-ministri i Brendshëm bëri një kapërcim në edicionin e lajmeve, nga rubrika e politikës tek ajo e aktualitetit, duke ia telendisur imazhin e ngritur me mund si politikan.

Por një vendim i fundit që ka marrë Tahiri, tregon se ish ministri ende nuk i ka humbur shpresat për t’u rikthyer në politikë. Së fundmi ka marrë një nismë për të hapur një media elektronike dhe të shkruar me emrin “Zëri i Popullit”. Askush nuk e vë në diskutim që kjo nuk buron nga asnjë vokacion i papritur i Tahirit për t’iu përkushtuar gazetarisë. Eshtë thjeshte dhe vetëm një përpjekje për t’u rikthyer “i pastruar” në jetën publike, një tentativë për t’u katapultuar sërish në rubrikën e politikës dhe për të rigjetur një vend mes socialistëve përmes “Zërit të Popullit”.

Pavarësisht se mbetet nën hetim nga Krimet e Rënda, për Tahirin problemet me drejtësinë mund të konsiderohen të mbyllura, për sa kohë prokuroria e Arta Markut e ka treguar se nuk ka asnjë vullnet të “qëllojë ndonjë gurë drejt shtëpisë së socialistëve”.

Dhe i sigurtë se i ka mbyllur hesapet me prokurorinë, Tahiri po kërkon ta përdorë Zërin e Popullit si letër higjenike, me të cilën mund të pastrojë diçka nga skandali i Habilajve që shpërtheu nga hetimet e prokurorisë së Katanias dhe denoncimet e Dritan Zaganit.

A do t’ia dalë ish ministri të na fshijë nga memorja skandalin e Habilajve? Koha ka treguar se partitë janë plot me fanatikë dhe mendje të sëmura, ndërsa kjo këmbëngulje e Tahirit për t’u rikthyer një arsye duhet ta ketë.


 
Loading...