Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht, gjatë sesionit të sotëm, megjithatë po gjenden nën presion për shkak të rritjes së prodhimit në SHBA dhe pritshmërive për rritjen e prodhimit nga OPEC dhe Rusia.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 66.1 dollarë për fuçi.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe disa vende të tjera, duke përfshirë Rusinë kanë filluar marrëveshjen për uljen e prodhimit me 1.8 milionë fuçi në ditë, në janar të 2017 dhe kjo marrëveshje do të jetë në fuqi deri në fund të këtij viti.

Që nga fillimi i vitit të kaluar, çmimet e naftës janë rritur me rreth 60%. Analistët mendojnë se, parashikimi për tregun e naftës në gjysmën e dytë të këtij viti është i paqartë, ndërsa OPEC argumenton se ka rreziqe për sa i përket kërkesës globale.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Instituti i Naftës deklaroi se, rezervat u rritën me 830 mijë fuçi gjatë javës që u mbyll më 8 qershor, në totalin e 433.7 milionë fuçive.

Rritja e rezervave në SHBA reflekton rritjen e prodhimit, që aktualisht gjendet në 10.8 milionë fuçi në ditë.

Gjithsesi këto të dhëna nuk janë zyrtare, ndërsa të dhënat zyrtare do të publikohen më vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë.