Ambasadorja e SHBA-së në OKB, deklaroi se nuk ka asnjë lidhje mes hapjes së ambasadës së SHBA në Jeruzalem dhe të vdekurve në Gaza. Përleshjet që sollën vdekjen e mbi 50 personave dhe plagosjen e mijërave të tjerë ditën kur në Jeruzalem përurohej ambasada e re, kanë provokuar reagime të forta nga disa vende që kanë lidhje diplomatike me Izraelin.

Dhuna e pakushtëzuar që u ushtrua po shihet si shenjë e një politike të caktuar nga Tel Avivi zyrtar dhe  nga kryeministri Beniamin Netanyahu, i cili është promovues i palodhur edhe i një konflikti të gjerë me Iranin. Turqia, vendi që ka sponsorizuar një rezolutë të suksesshme në OKB për të dënuar vendimin e presidentit Donald Trump, ka reaguar më ashpër nga të gjithë. Ajo ka dëbuar ambasadorin e Izraelit në Ankara, Eitan Naeh për një periudhë të pacaktuar, të cilin e ka poshtëruar duke i ushtruar kontroll sigurie në aeroport pasi ka njoftuar mediat që të mbulojnë këtë veprim. Ambasadorit i është kërkuar të heqë këpucët ndërkohë që mediat filmoinin.

https://www.haaretz.com/israel-news/.premium-israel-summons-turkish-rep-…

Përveç Turqisë janë disa vende që kanë thirrur përfaqësuesit izraelitë si Afrika e Jugut, Irlanda, Belgjika, ndërkohë që vende të tjeara si Franca, Gjermania, apo organizma si BE, OKB kanë dënuar dhunën e Izraelit.

SHBA dhe Australia kanë vlerësuar se dhuna u ushtrua nga Hamasi, kurse Shqipëria, vendi që orbiton në një politikë të jashtme absurde, ka reaguar përmes ministrit të Jashtëm, Bushati, i cili përmes një postimi në tuiter ka dënuar dhunën, por pa cilësuar përgjegjës. Në Kosovë, pushteti festonte me lule, dhe nuk reagonte fare për dhunën e Izraelit që ushtrohej në Gaza, shkruan MekuliPress.