… kjo storie starton brenda 3 minutash, … ky shou u mundësua nga …, trojka ndërkombëtare, ka një bekgraund të pasur, ka asistuar në…, Turqia merr lidershipin e BE-së, është një triangel, komision bipartizan, shqyrtoi veprat e paraqitura në kompeticion, nën pronocionin e një politike,  luku i saj tërheqës, ligji i luftës është një nonsens, mori pjesë edhe first-leidy; etj, du të surprizoj, .. qifti u divorcua, etj.
Fjalë të tilla të huaja janë të papranueshme. Ja përse:

1. Siç dihet, gjuha është një ndërmarrje bashkepunimi: lexuesi, shikuesi a dëgjuesi është ortak i shkruesit a i folësit. Është e vërtetë se ka një lexues, shikues a dëgjues, përgjithësisht me nivel jo të vogël kulturor, me një fjalor aktiv e pasiv, gjithashtu, jo të vogël, madje, një pjesë, edhe me njohje gjuhësh të huaja. Por ka edhe një lexues që nuk e ka këtë nivel, e kur përdorën fjalë të huaja, bashkëpunimi e ortakëria prishen, sepse dëmtohet aftësia kumtuese e shprehese e thënies, dëmtohet qartësia e kuptueshmëria e saj. Mbase, edhe ata me nivel jo të vogël kulturor nuk do t’i kuptonin të thëna të tilla: demarkacioni i kufirit me Serbinë, strukturat e bujqësisë do të jenë agresive…; kërkojmë pronocion agresiv për implementimin e ligjit antiduhan; kopje libri te dekoruara me ar; monedhat jane konservuar; dosje qe jane ekzekutuar; ceshtja do te kete nje solucion; divizioni i energjise elektrike…; konkurrence e konkordancave; ne substance … etj.

Loading...

Procesi i huazimit të fjalëve në gjuhë është i natyrshëm, por në më të shumtën e rasteve, në shqip ato marrin një ngjyresë tjetër kuptimore, shpesh të gabuar.
Paçka edhe fjalët si “support, adapt, start, leader, bipartisan, performance, business, bestseller, party, reality show, on air, most played, speaker”, janë bërë të zakonshme për të gjithë ne.
Prurje të tilla i kanë dhënë shkas diskutimeve që e shohin gjuhën e sotme të medias si përçudnim të shqipes.
Media, sidomos ajo televizive, është e prirur të përdorë sa më shumë fjalë të huaja, qofshin këto të huazuara nga anglishtja, italishtja, frëngjishtja apo në nisa raste dhe nga gjuhë të cilat seriozisht ne nuk i njohim. Kjo duket të jetë një “tendencë trendi”.Po të ndiqen me kujdes ditaret e lajmeve të televizioneve dhe në çdo tre fjalë, njëra është pa dyshim fjalë e huaj, dhe çka është më e keqja nuk shqiptohet siç duhet, por siç i teket folësit që lexon lajmet, herë me dialekt tosk e herë geg.
Hidhini një sy edhe gjuhës së përdorur në median e re (ditarët elektronikë, media sociale). Në “xhunglën” e internetit gëlon një gjuhë e shtrembëruar dhe e deformuar në mënyrë të skajshme.
Për shembull, Wayne Rooney shkruhet sipas traditës së shqipes, pra Uejn Runi, i përshtatur ndaj grafisë së gjuhës shqipe, duke e zëvendësuar shkronjën [W] me [U] si fonemë më e përafërt me të.
Një tjetër prirje damkosëse është ajo për t’i shuar rasat e emrave: “Merkel takoi Sarkozy” në vend të “Merkeli takoi Sarkozinë”, apo “Klinton u takua me Mahmud Abaz” në vend të “Klintoni u takua me Mahmud Abazin”.
Po për titrat e shkruara në ekran e ka pyetur kush veten? I keni hasur ndonjëherë shkronjat “ë” dhe “ç”?! Përkundër këtyre mungesave, një shembull kokëfortë do të ishte me emrin e Komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Stefan Fyle (Štefan Füle). Në një kohë që pikat mbi “ü-në” e Fyles nuk mungojnë assesi, në ekranin e televizioneve kombëtare, për çudi heroin tonë kombëtar “SKËNDERBEUN” e gjejmë “SKENDERBE”. Gjëkundi s’gjenden “ë”-të, “ç”-të. Kjo gjë vihet re në pothuajse të gjitha titrat me gërma të mëdha të televizioneve shqiptare.
Problemi në të vërtetë është më i thellë se sa një lajthitje tipografike në artikujt gabimeplotë. Gazetarët duhet të mësojnë t’i vënë pikat mbi “e”, sepse pikat e “ë”-së nuk janë sa për sy e faqe, as sa për të “strapacuar” titruesit. Ndonëse dy pika shumë të vogla
grafike, mbi “e”-në, ato japin grafemën “ë”, e cila ka vlerë tingulldalluese krahasuar me tingujt e tjerë të gjuhës shqipe.
Para do kohësh Noka në klasë të parë, nisi praktikën e të lexuarit të titrave të lajmeve. Por fjalët për të nuk kishin kuptim, jo prej vështirësisë leksikore, por prej mungesës së “ë”-ve. Vogëlushja me të drejtë lexonte: “KERCENIMI I IRANIT”, në vend të “KËRCËNIMI I IRANIT”, “PROGRAM TE RI PER MATUREN SHTETERORE”, në vend të “PROGRAM TË RI PËR MATURËN SHTETËRORE”. Po ta korrigjoje, ai do thoshte me zemërim: “Jo! Është “e” pa pika, jo me pika!”. Në fakt për t’u korigjuar ishte tjetërkush apo shumëkush, jo vogëlushi Noka.
Shembuj të këtillë që shohim, dëgjojmë e lexojmë çdo ditë, duhet të vënë gazetarët para përgjegjësisë për të qenë të vëmendshëm në përdorimin e gjuhës standarde shqipe. Duhet patur parasysh që janë brezi i ri ata që ndikohen më tepër nga huazimet e përçudnimi i shqipes, ndërsa fjalë të vyera të saj janë duke u harruar.
Duke qenë se stacionet televizive ndiqen nga shqiptarë anembanë botës, falë edhe platformave televizive, ndikimi i këtyre strukturave dhe fjalëve të huaja bëhet edhe më i madh.
Shkurt e shqip, cenimi i gjuhës shqipe përbën rrezik turbullimi të mesazhit drejtuar publikut çka rrjedhimisht shpie drejt një mendimi të koklavitur për ata.
Ndërsa për mbijetesën e gjuhës shqipe dhe identitetit tonë kombëtar, shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Evropë dhe SHBA, duhen ndihmuar pa kursim nga media që fëmijët e tyre të flasin shqip, mendojnë shqip, dhe të thurin ëndrrat e tyre në shqip.


 
Loading...