Loading...

Luan Rama

Dora Maar, një nga muzat e mëdha të Picassos, hyri në jetën e artistit të madh duke lënë gjurmë të veçanta në krijimtarinë e tij të viteve 1930-1950, shumë më tepër se gratë e tjera të mjeshtrit të madh. Nga të dashurat e para, Eva dhe Fernande, nga Olga, gruaja e tij ruse e takuar në rininë e tij të hershme në kodrinën e Montmartres, të cilën e gjejmë në disa prej tablove të para të tij, Picasso do të pikturonte më pas Marie-Therese, Dora Maar, Françoise dhe Jacquline Roque, “rojtaren” e fundit të tempullit të pikturave në vilën e tij, e cila përfundoi me një vetëvrasje në një nga hotelet e Parisit. Gruaja do të jetë gjithnjë në qendër të krijimtarisë së tij: femra dhe sensualiteti. E megjithatë. portretet e Doras kishin një origjinalitet e unitet të veçantë stili e ngjyre, me ato ngjyra të ndezura dhe një lloj “përqeshje” me vetë personazhin Dora Maar, edhe pse ai e dashuroi atë.

Henriette Théodore Markovitch lindi në Paris, me një baba kroat, arkitekt, dhe një nënë katolike franceze. Por, shumë e vogël, në krahët e nënës shkoi në Buenos Aires të Argjentinës – siç na mëson dhe një nga biografëe e saj, Alicia Ortiz, në “Dora Maar – e burgosur nga vështrimi” – vend ku kaloi adoleshencën e saj, për t’u kthyer përsëri në Paris në moshën 20-vjeçare ku menjëherë nisi studimet për Artet Dekorative. Poeti Max Jacob e quante atëherë “gruaja e bukur etruske”, ndoshta pse ishte një femër origjinale dhe e paparashikuar. Në fillim Dora ishte muzë e Man Rayt, meqë ajo e donte fotografinë dhe kërkonte të bëhej asistentja e tij. Por, Ray i ishte përgjigjur: “Nuk marr asistente, por do t’ju ndihmoj me këshilla.” Dhe, ai e ndihmoi.

Dora Maar nisi të botonte fotografi nudo, por dhe objekte metaforike mjaft interesante, në frymën e surrealizmit. Pikërisht në këtë kohë fotografon André Bretonin dhe personalitete të tjera të letërsisë franceze në Paris. Fotot e saj atë kohë cilësoheshin si “la beauté convusive”, pasi kishte një lloj tensioni në trupat e saj femëror. Pastaj ndodhi një martesë e shpejtë me kineastin Louis Chavance e më vonë lidhja e saj me letrarin Georges Bataille, një specialist i feminitetit dhe seksit tjetër. Përmes Bataillet, ajo hyri në rrethet avangardiste të artistëve parisianë e veçanërisht surrealistëve dhe shumë shpejt fotot e saj u bënë të njohura në kritikën e artit. Pikërisht në atë kohë u njoh me Picasson, u dashurua me të, duke jetuar shumë vite së bashku.

Dashuria me Picasson do të jetë e rrufeshme. Picasso e kishte zakon të kalonte nga një grua në tjetrën dhe Dora i pëlqente për harmoninë trupore dhe zgjuarsinë, edhe pse më vonë ai do të thoshte se “për mua ajo ishte një grua kafkiane”. Përmes saj, Picasso filloi ta shikonte në një mënyrë tjetër, se dhe fotografia ishte art më vete. E habitshme, por Picasso dhe ajo jetonin në të njëjtën shtëpi, në “Rue des Saints-Augustin”, buzë Senës, por në kate të ndryshme. Ajo zbriste tek ai vetëm kur ai i telefononte të zbriste: “Tani mund të zbrisni!” – i fliste ai. Kishte një lloj autoriteti mashkullor të jashtëzakonshëm dhe kjo padyshim Doran e bënte cfilitëse, duke e ndjerë veten gjithnjë të nënshtruar. Disa të afërm që kanë njohur Picasson thoshin se ai dhe i rrihte gratë… ndoshta, por ajo nuk na e thotë këtë. Mirëpo, qëndrimi i tij me gruan e re tregohet qartazi në pikturën e tij “Minotauri”, ku Dora është e shtrirë dhe Minotauri përsipër me atë figurë të egërsuar. Është vetë Picasso me kokën e minotaurit dhe ajo preha e tij. Dora do të jetë dhe frymëzuesja për dy figurat e grave të tablosë gjigande “Guernica”.

Në vitet 1936-1946, brenda pothuaj një dhjetëvjeçari që Picasso jetoi me të, portretet e Doras përvijojnë në mënyrë të çuditshme dhe ne na mbetet gjithnjë imazhi i saj. Vallë është një shprehje e asaj ç’përmban në vetvete ai personazh? Sigurisht që po. Në tablotë për të Picasso tregohet një novator I jashtëzakonshëm. Dora Maar i ka qejf kapelat e mëdha, siç e shohim në disa fotografi me Picasson në plazhet e jugut të Francës, veçanërisht në Antibes, Côte d’Azur. Dhe, artisti i madh luan me këtë detaj. Por, Dora ishte si ajo vajzë e vogël që qan gjithmonë, “La femme qui pleure”. Në fillim Picasso nuk e kuptonte këtë gjendje, prandaj dhe ato portrete janë me një fytyrë të “shprishur”, qaramaneje; prandaj profili i saj dyzohet, sytë e saj dyzohen në të njëjtin profil, hundët po ashtu. Herë-herë është një fytyrë kapricioze apo një koketë që do të jetë në qendër të vëmendjes, atje, ulur në karrigen e atelierit të Picassos, çfarë dallohet në disa tablo të tij. Dora Maar pozon. Ajo nuk është asnjëherë e qeshur, e gëzuar. E megjithatë portretet kanë një elokuencë të hatashme të linjës, figurës, të raportit mes ngjyrave, ku nuk ka dritë-hije, por një shfaqje disi brutale dhe të bukur njëkohësisht.

Marrëdhëniet e tyre gjatë viteve ishin të tendosura: një piktor me temperament spanjoll dhe një vajzë e rritur në Buenos Aires. Dy temperamente të forta, por ku Dora e vuante gjithçka përbrenda. Më së fund Picasso nuk e duroi më. Ai tashmë ishte njohur me një grua tjetër. Atëherë Picasso dhe Dora bënë një udhëtim në jug, meqë Dora donte të qetësohej. Ai e çoi në fshatin Menerbes, në Luberon. Dhe atje i tregoi një shtëpi duke i thënë: “Ti deshe një shtëpi në fshat që të qetësoheshe, apo jo?! Ja ku e ke, merre…”

Skulptori Brassai, një mik i afërt me Picasson dhe Eluardin, tregon një skenë domethënëse të Dora Maarit kur ata ishin në një darkë, diku në një restorant parisian dhe ku prisnin një mikeshë të Picassos. “Më së fundi, me shumë vonesë ajo mbërriti. Një femër hijerëndë që shtrëngonte duart dhe dhëmbët pa thënë asnjë fjalë. Ulet në tavolinë dhe dy minuta më vonë ngrihet duke thënë: U mërzita! Nuk mund të rri më këtu. Po iki! Dhe ajo e la restorantin. Picasso u ngrit dhe e ndoqi pas të dashurën e vet. Ikja e saj ishte aq e shpejtë sa ai s’mundi ta mbante. Ne vazhduam të bisedonim, por atmosfera tashmë ishte prishur. Ato dy vende bosh na e prenë oreksin. Nush Eluard, me buzëqeshjen e saj të bukur u përkul pranë meje dhe më tha: ‘S’është për tu shqetësuar. Histori grash!’… Një orë më vonë, tepër i shqetësuar dhe i frikësuar, Picasso u shfaq përsëri në restorantin tonë ‘Catalan’. Kurrë s’kisha parë një hutim të tillë në fytyrën e tij. ‘Paul, eja shpejt, kam nevojë për ty’. Poeti u ngrit dhe ndoqi Picasson. Dhe ne i pritëm. Ishte ora 4:00 e mëngjesit. Prisnim ende në tavolinë. Një përjetësi. As njëri e as tjetri nuk po vinin. Në orën 5:00 u larguam.”…

Tri ditë më vonë Brassai takoi Picasson që kishte lënë takim me poetin Jacques Prevert në “Café Flore”. “Ajo kishte një depresion. Kujtonte se ishte një mbretëreshë”, i tha Picasso, “dhe jo një mbretëreshë çfarëdo, por një mbretëreshë e Tibetit. Nuk donte të vishte këpucë: një mbretëreshë që ecën këmbëzbathur. S’donte të hante më: mbretëresha është gjithçka, apo jo?!”…

Thuhet se atë mbrëmje që ishte zhdukur nga restoranti, Picasso dhe Eluard e kishin çuar tek psikanalisti Lacan, i cili e ndihmoi që të shtrohej në një spital psikiatrik. Sigurisht, me një emër të rremë! Madje, në gazetat e kohës tregonin se një herë në sallën e kinemasë, Dora ishte ngritur papritur duke klithur si e çmendur.

Picasso e kishte ndërruar atë shtëpi në Menerbes me një tablo që donte ta blinte pronari i saj. Doran ai donte ta hiqte qafe dhe kurrë nuk i tha që po e ndante. Por, kjo do të vinte më vonë, kur një ditë në Paris, ajo e ndeshi atë përballë me një vajzë më të re se ajo, Françoise. Ishte diçka e rastësishme, por Dora nuk e dha veten se mendonte se do të ishte thjesht një flirt njëditor. I zënë ngushtë, Picasso e ftoi dhe atë në restorant. Kur kishin dalë nga restoranti, Picasso i kishte thënë: “Atëherë Dora s’po të shoqëroj. Tani ti je një vajzë e rritur!”. “Sigurisht, jam e zonja të kthehem vetëm në shtëpi”, ia ktheu ajo, “ndërsa ti ke nevojë të mbështetesh tek rinia. Besoj se kjo do të zgjasë 15 minuta…”! Dy javë më vonë, Picasso e mori Françoisen e re në shtëpinë e tij. Dora e ndeshi në holl dhe e tmerruar i tha Picassos: “Ti kurrë nuk ke dashur njeri në jetën tënde. Ti nuk di të duash!… Dhe ajo u largua duke u vendosur në një apartament tjetër. Ishte viti 1946.”

Që atëherë, si katolike që ishte nga e ëma, jeta e saj seksuale ndaloi edhe pse ishte veçse 36-vjeçare. Dhe, ajo nuk foli fare në shtyp. Picasso tentoi disa herë ta takonte, por ajo ishte shumë krenare. U mbyll si një murgeshë në shtëpinë e saj, rrethuar nga kujtimet, objektet, tablotë që i kishte falur Picasso, vizatimet, madje dhe një letër me një njollë gjaku ku ajo kishte shkruar: “Ky është gjaku i Picassos”… Ishte diçka që i kishte ndodhur në një restorant, por ajo i mblidhte dhe vizatimet me të vogla që bënte Picasso nëpër restorante. Një ditë, për datëlindjen e saj Picasso i kishte dërguar një pako të madhe. E habitur ajo e kishte hapur dhe kishte parë atë karrige të vjetër ku ulej në atelierin e Picassos kur ai e pikturonte. Ishte një karrige e shëmtuar. Pikërisht në këtë kohë Dora nisi të merret me pikturë. Tablo abstrakte të frymëzuara nga Picasso. Madje, hapi dhe një ekspozitë në një nga galeritë me emër të Parisit.

Picasso asnjëherë nuk e linte veten pa një femër. Që nga koha me gruan e parë Olga, ato ndërroheshin me njëra-tjetrën. Dhe ai i pikturonte. Prandaj, në krijimtarinë e Picassos, femrat kanë ruajtur shpesh rolin e modeleve.

Në vitin 1958, e mbyllur në vetmi të plotë, Dora Maar i njoftoi të gjithë të njohurit e saj: “Mos më merrni më në telefon dhe ju lutem respektojeni këtë dëshirë që kam!”

Piktori i famshëm Balthus, mik i saj, kishte dëshirë të dëgjonte zërin e saj, por ajo nuk iu përgjigj asnjëherë. Ishte mbyllur në manastirin e saj, në fshat apo në Paris. Çdo ditë në mëngjes shkonte në kishën e Saint-Sulpice, në Saint-Germain-dès-Près, lutej aty, bisedonte me peshkopin dhe zhdukej pastaj si një fantazmë.

Vitet do kalonin dhe të gjithë e harruan Dora Maarin, edhe pse në restrospektivat e Picassos ajo ishte e pranishme si portret i pikturuar nga Picasso.

Një ditë, në vitin 1997, njerëzit panë një grua që mezi ecte, gërmuq dhe që shkonte buzë Senës drejt katedrales së “Notre Dame”. Sapo kishte mbërritur atje, duke parë lart nga kambanorja, papritur ishte shembur dhe kishte vdekur menjëherë. Personazhi i tablosë “Gruaja që qan”, më së fundi kishte vdekur, më shumë se një dekadë pas të dashurit të dikurshëm të saj.


 
Loading...