Është bërë klishe të thuhet që “politikanët i vizitojnë qytetarët vetëm në kohë zgjedhjesh”.

Duke u përsëritur kjo fjali, thuajse e ka humbur peshën dhe kuptimin.

Loading...

Nganjëherë, si njerëz që jemi, i pështjellojmë gjërat aq shumë, e aq pa nevojë, sa na duket më e vërtetë rrena se vetë e vërteta. Kështu ka ndodhur edhe në këtë rast. Siç ndodh për çdo klishe.

Klisheja e pohuar mund të jetë e vërtetë, por tashmë është bërë bajate, e stërthënë, dhe duhet të heshtet. Edhe pohimi që e shtruam, se “politikanët i vizitojnë qytetarët vetëm në kohë zgjedhjesh” ka tendencë të heshtet. Të mos thuhet më.

 

Por, çka në të vërtetë ndryhet brenda kësaj fjalie në vdekje, që i ka ditët e numëruara? Unë mendoj se në këtë fjali ndryhen disa gjëra tepër të rëndësishme që e zbulojnë katërcipërisht natyrën dhe logjikën e pushtetarëve tanë. Pikësëpari, o i nderuar lexues, “të vizitohet qytetari vetëm një herë në katër vite”, nënkupton të ketë mungesë absolute të komunikimit mes politikanit dhe qytetarit.

A mund të besojë dikush se politikanët i marrin parasysh hallet dhe dertet e një qytetari të rëndomtë? Unë për vete, jo. Por, t’i kthehemi mungesës së komunikimit. Mungesa e komunikimit çon edhe në mungesë të empatisë. Kësaj, duhet t’i shtojmë edhe një gjë. Politikani i zakonshëm, nuk përballet me hallet e përditshme ekzistenciale me të cilat përballemi ne qytetarët (se fundja, edhe unë qytetar jam).

 

Pa i paragjykuar për ryshfete e hajni tjera, veç me paratë që merr nga institucionet, ai arrin të ketë një distancë të madhe me qytetarin e thjeshtë në raportin ekonomik. Një epërsi të jashtëzakonshme.

 

Është një gjë, o i nderuar lexues, që duhet ta themi troç: politikanët i paguajmë tepër.

Dhe kurrë askush nuk e kuptoi pse kjo përbën problem. “Ani, veç le të punojnë” – thoshin disa. Gjërat nuk janë bardh e zi.

Politikani duhet të jetë më afër situatës ekonomike të qytetarit të zakonshëm. Ai nuk duhet të ketë rrogë stratosferike sepse realiteti i tij nuk preket kurrkund pastaj, me atë të qytetarit. E gjithë kjo analizë, nuk ka të bëj me gjynahqarë e fitimtarë. Jo, unë po flas për mënyrën sesi po rrjedhin gjërat. Për logjikën e politikanit, që disi dëshiron e stërdëshiron të distancohet nga ai që votohet.

 

T’i kthehemi përsëri fjalisë që e analizuam dhe mungesës së komunikimit (dhe pastaj edhe empatisë) që e nxorrëm prej saj. Politikanët e Kosovës që qëndrojnë me këmbë në tokë, ata që voziten me autobusë, që shkojnë në punë me këmbë, duhet t’i votojmë. Pavarësisht partive. Sepse, ata e prekin realitetin në të cilin po jetojmë ne, qytetarët e thjeshtë që e kemi zor të sigurojmë kafshatën e bukës.

 

Pavarësisht me cilën parti jeni rreshtuar, unë iu bëj thirrje që të mos i votoni ata politikanë që nuk e njohin SITUATËN TUAJ EKONOMIKE E SOCIALE.

Mos i votoni ata që kanë vetura të shtrenjta, rroba të shtrenjta, dhe jetë të shtrenjtë. Përftoje, o i nderti lexues, një logjikë klasore. Votoje atë që është më afër teje, që të kupton e ka empati për ty.

Përndryshe, do të vizitohesh veç një herë në katër vjet, dhe si rrjedhoj e kësaj, vetë parfumi i politikanëve dhe pamja e tyre që shpreh luks do të të shtrëngojë t’iu përkulesh e t’iu nënshtrohesh. Dhe t’ia japësh votën duke iu siguruar edhe më shumë luks.

Pra, unë jam për një lidhje më të fuqishme dhe më të plotë të qytetarit me politikanin.

 

Valon Rogova

Loading...